Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kriza politike/ Zbulohet vendimi, Meta: Ja çfarë do të bëj me 22 tetor!

Kriza politike/ Zbulohet vendimi, Meta: Ja çfarë do të bëj

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë për “Rtv Ora” ka zbuluar hapat e tjerë që do të bëjë ky institucion në lidhje me krizën politike.

Meta ka thënë se zgjedhjet janë me 13 tetor, ndërsa ka shtuar se me datën 22 tetor, ai do të shpallë nismën për mbrojtjen e Kushtetutës.

“Për sa i takon çështjes së Kushtetutës, duhet t’ju siguroj që për mua tani ka dy data. Data e parë është 18 tetori, pra unë, nuk do të lodhem më që t’u kujtoj partive që dekreti për 13 tetorin është në fuqi, apo që siç thotë qartë Raporti Final i OSBE/ODIHR:“mosbotimi në Fletoren Zyrtare nga ana e qeverisë, i dekretit të 13 tetorit, është i paligjshëm”.

Së dyti, për mua data tjetër përveç 18 tetorit është 22 nëntori, dita kur shqiptarët në vitin 1998 me referendum miratuan Kushtetutën, që natyrisht është sakatuar padrejtësisht që nga viti 2008 e në vazhdimësi. Atë Kushtetutë të gjithë shqiptarët e kanë votuar me shpresën dhe besimin se ajo do të mbrojë dhe garantojë të drejtat themelore të tyre.

Ndaj unë më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptar dhe kjo do të jetë një nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirorganizuar në mënyrë që të mos tolerojmë më në këtë vend, shkeljen dhe dhunimin sistematik të të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë” – tha Meta.

I pyetur nëse kjo nismë do të jetë si Presidenti i Republikës apo do t’i ktheheni betejës politike, Meta përgjigjet.

“Kjo është një nismë si President i Republikës, që e ka detyrim të kujdeset për të drejtat themelore të qytetarëve shqiptare, të mos pajtohet me asnjë institucion që i cenon ato. Gjithashtu të mos të pajtohet me gjithë institucionet që e kanë për të detyrë për t’i mbrojtur dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe do të jetë një nismë, ku shumë surpriza të tjera do të shpalosen në kohën e duhur, pasi fokusi im tani është 18 tetori, për momentin nuk është 22 nëntori.

Por pas 18 tetorit fokusi do të jetë 22 nëntori dhe ky do të jetë një aksion i vazhdueshëm që, nuk ka lidhje me partitë dhe forcat politike. Por që do të përfshijë gjithë ato personalitete të së drejtës, të të drejtave të njeriut që besojnë në demokraci, në rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka respektimi i të drejtave të njeriut në këtë vend, të institucioneve të pavarura dhe që nuk konformohen dhe nuk pranojnë këtë situatë mjaft kritike në të cilën ndodhen sot të drejtat e njeriut në vendin tonë” – tha Meta. / I.M-Dritare.net