Klodiana Spahiu propozohet ministre e Shëndetësisë, ja profili i saj!
Dritare.net

Klodiana Spahiu është propozuar nga Kryeministri Edi Rama për detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas dorëheqjes së Evis Salës nga drejtimi i ministrisë.
Propozimi për emërimin e Spahiut u bë sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, emërimi i saj vjen në kuadër të angazhimit për një shëndetësi më të aksesueshme dhe një mirëqenie sociale më të fortë.
Formimi akademik
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997.
Në periudhën 1998-2002 është specializuar në fushën e kardiologjisë pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Gjatë karrierës së saj ka kryer disa specializime në fushën e kardiologjisë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe eko-dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, në Romë.
Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studime pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, në Departamentin e Lëndëve Paraklinike. Ndërsa në vitin 2005 ka kryer specializim në kardiologjinë invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara” në Pisa, Itali.
Në vitet 2012-2014 ka përfunduar edhe masterin profesional në “Menaxhimin Shëndetësor”.
Eksperienca si mjeke dhe drejtuese
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT. Në vitet 2003-2009 ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në spitalin e Durrësit, ku më pas është emëruar edhe drejtore e këtij spitali.
Ajo ka një eksperiencë edhe në fushën akademike. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin “UFO” në Tiranë.
Prej vitit 2008 e në vijim ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.
Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”./L.F-dritare.net