
Ju tregoj Lisbonën, një ditë pas Krishtlindjeve!
Dritare.net

Dita 6: Cádiz - Lisbone
Zakonisht më del gjumi nga ora 7:00, por kur shoh që jashtë është akoma errësirë fle përsëri. Rreth orës 8:00 lindi dielli dhe ky proces ishte aq i shpejtë sa të krijohet përshtypja që thjesht nga një errësirë e plotë ke ndezur dritën. Lisbona duket të jetë porti i preferuar i kapitenit. Në komunikimin rutinë, sa herë mbërrijmë në një port të ri, na tregoi që në çatinë e anijes, pooldeck, na priste një kakao e ngrohtë dhe waffles, ndërkohë që do shijonim lindjen e diellit dhe një guidë në anije me pikat kryesore turistike që shikoheshin nga lumi Tejo.
Edhe Lisbona ndahet në dy pjesë, pjesa e vjetër dhe pjesa e re e qytetit. Hëngrëm mëngjes dhe mbathëm këpucët. Në Lisbonë do vizitonim qytetin pa guidë. Interesante ishte që me një biletë ditore prej 6€ mund të përdorje pothuajse çdo transport publik, autobusë hop in hop off, ashensorë (shumë tipike për këtë qytet), autobusët elektrikë (një tjetër karakteristikë e Lisbonës), një kombinim autobus elektrik-teleferik etj.
Kemi ecur shumë, 20.000 hapa dhe parë shumë në pjesën e vjetër të qytetit, megjithëse pjesa më e madhe e kishave e kështjellave ishin me pagesë. Karakteristikë e pjesës së vjetër ishte që relievi ishte kryesisht kodrinor dhe vendi ishte plot rrugica të ngushta. Edhe këtu restorantet ishin shumë të thjeshtë në pamje. Ushqimin nuk e provuam sepse në anije mund të hash sa të duash, kur të duash dhe ishim plot e pa kuriozitet për të ngrënë diçka jashtë saj. Madje mendoj se nga ushqimi i tepërt yndyror kam shtuar 2-3 kg, duhet vërtetuar kur të jem në shtëpi.
Interesante ishte që vendi shtrihej në lartësi të ndryshme prandaj dhe kishte shumë shkallë e të tatëpjeta, por ndihmonin dhe ashensorët.
Një urë e gjatë e kuqe, me harqe që ngjante shumë me Golden Gate, (e ndërtuar nga e njëjta kompani), një statujë e Zojës, e ngjashme me atë të Rio de Janeiros, disa kulla vështrimi antike, ndër to dhe Kulla Belen... Lisbona qenkërka një mrekulli.
Në darkë takuam përsëri çifte të reja në anije. Njëri vinte nga Hamburgu, qyteti im i preferuar në Gjermani, ku do jetoja me kënaqësi nëse nuk do ishte aq i shtrenjtë e aq i vështirë për të zotëruar një pronë. Edhe për këtë çift udhëtimet me kroçierë nuk ishin gjë e re pasi Hamburgu njihet për portin e tij. “Ne e ndjejmë kur ankorohen anije të mëdha në bord sepse ka lëkundje të shpejta” - tha zotëria. Çifti tjetër ishte më i ri, le të themi rreth të 50-ave. Ata kishin udhëtuar shumë dhe kësaj radhe nuk po u pëlqente mosha e udhëtarëve, prisnin më shumë të rinj.
Na treguan që në Càdiz nuk kishin vizituar qytetin, por kishin shoqëruar shefin e kuzhinës së njërit prej restoranteve Gourmet në anije, për të blerë ushqimin e freskët në market, e më pas kishin ngrënë një darkë me 8 pjata të përgatitura me këtë ushqim. “Ishte eksperiencë fantastike të shikoje peshqit e mëdhenj e t’i shijoje në darkë” (ndërkohë mua po më përzihej). “Një shoqe e jona nuk ha dot mish, thotë si mund të ha peshq bebe, apo të voglin e derrkucit, hahaha” - po thoshte me shpoti zonja, e të dy po qeshnin.
Me thënë të drejtën nuk doja të ndërhyja e të prishja atmosferën e darkës, por goja foli më shpejt se mendja. “As unë nuk mund t’i imagjinoj dot kafshët në pjatë, të asnjë lloji. Më vjen gjynah e për të vjellë kur çoj nëpër mend diçka të tillë”. “Oh, unë respektoj zgjedhjen e secilit, të lutem mos më keqkuptoni, por a nuk mendoni njësoj dhe për bimët? Edhe bimët kanë ndjenja, e kam parë në një program televiziv”, - u kundërpërgjigj zonja. “E kam parë dhe unë, dhe më besoni që qëndroj në kontakt të vazhdueshëm me informacionin që zgjedhjen time ta mbështes me studime të mirëfillta shkencore, që kanë sens. Në kushtet e sotme mund t’i marrim të gjitha vlerat ushqyese nga bimët duke lënë kafshët aty ku janë. Bimët nuk kanë sistem nervor për të thënë që kanë receptorë e ndjesi, në kundërshtim me kafshët. Ndoshta në një të ardhme do mund të jetojmë pa qenë nevoja të përdorim bimët. Më pëlqen të jem e ndërgjegjshme për kohën ku jetoj e të bëj sa më pak dëme” - ishte përgjigja ime serioze, por dhe me një buzëqeshje që shpresoj të mos jetë dukur shumë e shtirur, pasi as shumë e sinqertë nuk ishte. Duke menduar që disa pika mbi “i” i kisha vënë, kalova përsëri në listening mode. Çifti u justifikua dhe pak duke sjellë shembullin e shoqes, por unë nuk komentova më. Biseda u zhvendos në prejardhjen time, pse zotëria, si frankofon që ishte, e dashuronte Saarlandesin (landin ku ne jetojmë, që kufizohet me Francën e Luksemburgun), pse është fantastike të flasësh disa gjuhë të huaja, nuk mund të anashkalohej fakti që ne si çift jemi të dy inxhinierë informatike, prandaj do na pyesnin pak mbi inteligjencën artificiale, marrëdhënien robot-njeri dhe të ardhmen e profesioneve njerëzore. Ishte bisedë e nivelit të lartë dhe shumë e këndshme.
Përshtypje iu kishte bërë një udhëtim me anije në orient (që dhe ne do e kishim zgjedhur nëse marrja e vizës për mua do ishte aq e shpejtë sa për shtetasit gjermanë). Ndërkohë që shtetet e preferuara për pushime ishin Franca dhe Italia, për çiftin.
Meqë ra fjala, vendimin për këtë udhëtim, ne e kemi marrë para ca javësh, ka qenë vendim shumë spontan dhe tani që po e përjetoj, jam shumë e lumtur që po bëjmë një udhëtim të tillë, tani në këtë fazë të jetës sime. Mesa duket në disa raste është mirë të mos bësh shumë plane, por të dëgjosh intuitën dhe ta shijosh momentin si të vijë. Sidomos kur bëhet fjala për udhëtime. Mua më bëjnë më kreative dhe më transformojnë eksperiencat e reja dhe kohët e fundit jam shumë më e hapur dhe më entuziaste për të përjetuar momente që të ndryshojnë perceptimet e të dhurojnë kujtime.
I dashur ditar, me kaq po e mbyll dhe ditën e sotme. Nesër do jetë ditë në oqean, nuk do ankorohemi në asnjë port sepse duhet të arrijmë në Funchal/Madeira, një ishull spanjoll që është shumë më afër Afrikës sesa Spanjës, you know, kolonizimet... ?
Përqafime, Edit’h/dritare.net

















