Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja çfarë mund ta ndryshojë Shqipërinë!

Ja çfarë mund ta ndryshojë Shqipërinë!
Cilët janë sektorët që do të formësojnë rritjen ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen afatmesme e afatgjatë. Si do të zëvendësohen remitancat, ndërtimi e sektorë të tjerë që po shkojnë drejt maturimit. Si mund të zhvillohet industria IT dhe call center modern. A ka shanse të vijnë kompanitë prodhuese të pjesëve të automjeteve. Perspektiva e sektorëve të rinj si industria e tranzitit, e teknologjisë së informacionit, kujdesit për të moshuarit e turizmit shëndetësor…

Nga Ornela Liperi/ Blerina Hoxha

Që burimet e deritanishme të rritjes janë drejt shterimit, kjo është bërë e ditur prej disa vitesh. Që vendit i duhet një model i ri që do ta riorientonte drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, edhe kjo nuk është më një sekret.

Por, ajo që po mungon janë përpjekjet për një strategji gjithëpërfshirëse afatgjatë, me angazhim mes institucioneve politikëbërëse, ekspertëve, bizneseve, grupeve të interesit për të përcaktuar se cilat do të jenë prioritetet në afatin e mesëm dhe të gjatë, si mund të zhvillohen ato, ku dhe si mund të ndërhyjë qeveria, si do të integrohen kurrikulat arsimore me këto përparësi e kështu me radhë.

Me dobësitë strukturore aktuale, Shqipëria duket tepër larg tendencës globale, që po promovon një zhvillim të qëndrueshëm, që plotëson nevojat e së tashmes, pa kompromentuar aftësitë e brezave që vijnë, për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa promovon uljen e varfërisë, rritjen e punësimit dhe përdorimin më të drejtë të burimeve.

Si një shoqëri konsumi, Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj tek aktivitetet e shërbimeve dhe të tregtisë. Pesha e sektorit pa një rritje të shpejtë pas viteve 1990 dhe aktualisht zë 52% të strukturës së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbi 85% e ndërmarrjeve operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe sektori ka të angazhuar 57% të fuqisë punëtore në vend. Linja e tregtisë dominon sektorin, ku tregtia e automjeteve dhe pasurive të paluajtshme kanë peshën më të madhe në PBB me rreth 7% secila.

Pavarësisht zhvillimit spontan të deritanishëm, vendi i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në rrugë të mbarë dhe të shfrytëzojë përparësitë krahasuese që i ka falur natyra (klimën, pasuritë natyrore, pozicionin gjeografik) dhe ato njerëzore (forcën e arsimuar dhe me njohje të gjuhëve të huaja).

Dobësitë strukturore, si eksportet e padiversifikuara dhe me vlerë të ulët të shtuar, mungesa e kompanive të sofistikuara, duhet të kthehen në avantazhe përmes vizionit afatgjatë.

Shqipëria ka mundësi të zhvillojë eksportin e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit, shërbimet e të cilave janë më të paguarat. Vendet e rajonit po injektojnë në ekonomitë e tyre miliona euro nga zhvillimi i eksportit të shërbimeve të IT, por Shqipëria ende mbetet e nënzhvilluar edhe në këtë aspekt, për shkak të trupës së kufizuar të burimeve njerëzore që iu duhen gjigantëve botërorë të IT–së. Shërbimet e mjekësisë po bëhen gjithnjë e më të kërkuara në Shqipëri, sidomos pas hapjes së tregut në këto shërbime. Shërbimet sociale me fokus kujdesin për të moshuarit shihen me perspektivë për rritjen e vlerës së sektorit. Në shërbimet mjekësore, Shqipëria shihet avantazhuese për shkak se Universiteti i Mjekësisë nxjerr burime njerëzore konkurruese me vendet europiane.

Bujqësia, dikur e lënë pas dore, është kthyer sërish në vëmendje të sipërmarrjeve dhe po tërheq investime të shumta, por ka nevojë për orientim dhe investime drejt ciklit të mbyllur, ku mbështetja e shtetit mbetet parësore.

Industria e nxjerrjes së naftës dhe mineraleve ka dëshmuar deri tani të ketë qenë peng i kontratave koncesionare, të hartuara keq, që kanë sjellë pak vlerë të shtuar për vendin, që është i bekuar nga burime të shumta natyrore. Për më tepër, koniunktura e pafavorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare e zbehin më tej rolin e këtij sektori në ekonomi.

Teksa rajoni po e amortizon rënien e çmimeve të naftës duke u diversifikuar drejt industrisë, kryesisht asaj të automjeteve dhe produkteve mbështetëse të saj, Shqipëria, të paktën në afatin e mesëm nuk e kap këtë ritëm për shkak të mungesës së burimeve njerëzore të përshtatshme http://www.monitor.al/renditja-sipermarrjet-shqiptare-xhungla-e-rajonit/. Më shumë shanse ka diversifikimi i call center, përtej thjesht thirrjeve telefonike, por duke ofruar për të tretët edhe shërbime profesionale me vlerë të shtuar më të lartë, si ato informatike apo financiare.

Infrastruktura dhe energjia mbeten prioritete të përhershme strategjike që mund ta kthejë vendin në një nyje rajonale. Shanset për zhvillimin e turizmit janë zbehur pas masakrës në një pjesë të madhe të bregdetit, megjithatë ai vijon të mbetet prioritet, sidomos e kombinuar me turizmin ushqimor.

Në këtë speciale, me rastin e 15-vjetorit të saj, revista “Monitor” tenton të sjellë një panoramë të sektorëve prioritarë dhe ndërhyrjeve që ekspertët rekomandojnë, në mënyrë që ato të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm, pa kompromentuar burimet për brezin e ardhshëm, që është kryefjala e të gjitha ekonomive sot në botë.

EKSPORTET, NEVOJË PËR DIVERSIFIKIM DHE VLERË TË SHTUAR

Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Itali. Bankers Petroleum realizoi në vitin 2014 rreth një të pestën e shitjeve jashtë vendit, ndërsa Italia është pritësi i më shumë se gjysmës së eksporteve.

Edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Malit të Zi), Shqipëria ka pozicionimin më negativ, si në treguesin e eksporteve të mallrave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ashtu dhe në gjeografinë sipas shteteve. Me shitjet jashtë vendit, që janë sa 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pavarësisht përmirësimit në vite, Shqipëria renditet shumë më poshtë se Maqedonia, Serbia e Bosnjë-Hercegovina.

Në Indeksin e Konkurrueshmërisë të publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Global, Shqipëria renditet e 72-ta në botë në treguesin e eksporteve të të mirave dhe shërbimeve në raport me PBB-në, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit.

Ndryshe nga Shqipëria, që lundron e pasigurt drejt shtetit përtej detit, të goditur nga kriza e borxheve (drejt Italisë shkuan 52% e totalit të eksporteve në 2015-n) fqinjët kanë gjetur një mburojë më të sigurt, Gjermaninë, që është motori ekonomik i Europës.

Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.

Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%.

Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila.

Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi.

Megjithatë, duhet theksuar se këto vende kanë pasur lidhje të hershme biznesi e tregtie me Gjermaninë, që nga koha e ish-Jugosllavisë dhe e kanë më të zhvilluar edhe industrinë e rëndë. Në Shqipëri, Gjermania ishte partneri i tetë i eksporteve në vitin 2014, me 2.8% të totalit, nga vendi i katërt që zinte në 2005-n, me rreth 3.3% të totalit.

Fqinjët kanë avancuar dhe në sofistikimin e shumëllojshmërinë e produkteve që shesin kryesisht në Europë. Në Serbi, kryesojnë produkte të tilla si automjetet, gomat, hekuri dhe çeliku, veshjet, gruri, frutat e zarzavatet, metalet, pajisjet elektrike, armët etj. Në Maqedoni mbizotërojnë produktet ushqimore, pijet, duhani, tekstilet, industria përpunuese, hekuri, çeliku, pjesët e automjeteve etj.

Në Shqipëri, shitja e pasurive natyrore ka dominuar në 2015-n. Produktet minerale (lëndët djegëse, xeherorët, gëlqere, çimento) përbënin gati 30% të totalit të eksporteve. Metalet bazë (bakri, nikeli, zinku, giza, çeliku), me një nivel relativisht të ulët përpunimi, zunë rreth 14% të totalit. Pesha e tyre ra në 2015-n, si rrjedhojë e rënies së çmimeve, duke lënë zbuluar eksportet në total, që ranë me rreth 5% vitin e kaluar.

Ndonëse pesha e këtyre produkteve, që kryesisht janë pasuri natyrore, në eksporte është e lartë, kontributi i tyre në ekonomi është minimal, sidomos në drejtim të të ardhurave buxhetore. Buxheti i shtetit siguron nga renta minerale rreth 100 milionë euro në vit, apo maksimumi 3-4% të të ardhurave totale, ndërsa të hyrat e tjera janë të papërfillshme, teksa shumë prej kompanive, të përfshira në industrinë me kapital intensiv (çka nënkupton se kërkojnë shuma të mëdha parash dhe burime të tjera financiare për të prodhuar një mall a shërbim, por jo shumë burime njerëzore) deklarojnë humbje, apo fitime minimale.

Tekstilet dhe këpucët janë një tjetër grup i rëndësishëm, që siguruan 37% të eksporteve në 2015-n, duke pasur si avantazh kryesor koston e lirë të punës. Gjithsesi, kjo industri e mbështetur në punën intensive ka qenë veçanërisht e rëndësishme për të punësuar një shtresë të varfër dhe të brishtë të shoqërisë.

Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.

Edhe lista e 100 eksportuesve më të mëdhenj, publikuar pak kohë më parë nga “Monitor” ka nxjerrë qartë dobësinë strukturore të eksporteve shqiptare. Në listë ka pak kompani të mëdha për nga qarkullimi vjetor, mbizotërojnë sipërmarrjet e naftës që nxjerrin, përpunojnë, apo thjesht rieksportojnë karburant, nuk mungojnë ricikluesit. Nga kompanitë bujqësore ka vetëm tregtues të bimëve mjekësore (edhe këta që përdorin një burim shterues), por mungojnë industritë e mirëfillta përpunuese ushqimore, që nuk po arrijnë të çajnë jashtë vendit. Të shumta janë kompanitë prodhuese të çimentos, që lulëzuan në Shqipëri, pasi gjetën kritere më pak të rrepta për ndotjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e lëndës së parë. Mbizotërojnë në numër sipërmarrjet e prodhimit të veshjeve të këmbëve, që mund të konsiderohet si industria që ka përparuar më shumë vitet e fundit, teksa ka arritur të mbyllë ciklin dhe të rrisë vlerën e shtuar.

Mbyllja e ciklit të këpucëve, hapësira për bizneset mbështetëse

Teksa industria e prodhimit të këpucëve po kalon drejt ciklit të mbyllur të prodhimit, është rritur kërkesa për produktet mbështetëse, një pjesë e të cilave fare mirë mund të prodhohen në vend, çka do të reduktonte kostot për sipërmarrësit. Donika Mici e kompanisë së këpucëve Donianna (që jo vetëm ka mbyllur ciklin, por edhe ka dalë si prodhuese më vete) thotë se mund të nxiten linja të tjera prodhimi edhe për 70 nënprodukte, që duhen deri në ciklin final të këpucës. Mici thotë se, të gjitha këto produkte importohen nga vendet e tjera për të realizuar këpucën e gatshme në treg. Që nga etiketa e çmimit, lidhëset, kartonët e paketimit, mastiçi, perçinat, zinxhirët e shumë artikuj të tjerë mund të prodhohen në vend, pasi e kanë tregun e garantuar dhe me marzh të lartë fitimi. Krijimi i klasterave për të nxitur rritjen e ciklit prodhues në vend është një formë e njohur në ekonomitë e tjera prodhuese.

Mici sugjeron se, Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë terrenin edhe për të nxitur përpunimin e lëkurës në vend, ashtu siç ka bërë për bulmetrat. Nëse industria e përpunimit të lëkurës do të zhvillohej në vend, kosto për këtë lëndë të parë që i duhet lëkurës do të ulet me 40%.

Daniel Guçe, drejtor i Departamentit të SME-ve dhe Zhvillimit të Eksportit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), pohon se po bëhet një analizë për sektorin e lëkurë-këpucës, për të cilin dikur Shqipëria i plotësonte vetë nevojat e tregut të brendshëm me lëndë të parë. Sot, kjo gjë bëhet e mundur vetëm në masën 10%. “Ne po shikojmë të gjitha mundësitë që cikli të mbyllet brenda vendit dhe të mund të dilet për eksport. Parashikohet që brenda dhjetorit të këtij viti të përfundojnë analizat për këta dy sektorë e më pas do të vazhdohet me të tjerë”, pohon ai.

SHQIPËRIA BUJQËSORE, PA PRODHIM, KU DO SHKOJË

Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.

Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë komuniste, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut. Përkundrazi, masat e marra në vitet 1991 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve me 25% më 2015, totali i prodhimit bujqësor ka pësuar një rënie me 0.9% në nëntëmujorin e 2015-s, sipas të dhënave të INSTAT. Sektori shënoi në korrik-shtator 2015 rënien e tretë tremujore radhazi, ndërsa INSTAT ka raportuar se ka rënë edhe forca e punës. Në tremujorin e tretë, forca e punës në bujqësi u tkurr me -3.1%, ndikuar nga emigracioni masiv i vitit të kaluar.

Kush ka udhëtuar nëpër Shqipëri, ka parë parcelat e ngushta të tokës, një të mbjellë me grurë dhe një me domate, diku 100 metra me perime dhe ngjitur një parcelë djerrë. E gjithë kjo sepse vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Situata është alarmante edhe në sektorin e mekanizimit, ku 350 mijë fermave u përgjigjen vetëm 20 mijë e 600 mjete.

Sipas Censusit të vitit 2011, në zonat rurale të vendit jeton 46% e popullsisë. Toka bujqësore në total është 700 mijë hektarë, 80% e së cilës, sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, është ndarë me ligjin 7051 dhe 130 mijë hektarë janë tokë bujqësore në pronësi të shtetit. Por një pjesë e madhe e kësaj toke nuk është bujqësore, pasi është përmbytur nga ndërtimet pa leje.

Pronësia mbi tokën mbetet edhe një nga shkaqet pse bujqësia është një sektor që ka vuajtur mungesën sistematike të kreditimit nga bankat.

Por historia e ecurisë së sektorit është e trishtë në këto vitet e tranzicionit, plot pengesa dhe paqartësi për të ardhmen. Nga 50% që ishte pesha e sektorit në fillim të viteve 1990, me hapjen e ekonomisë, zgjerimi i tregtisë dhe shërbimeve e uli peshën e bujqësisë në 36%, në mesin e viteve 1996.

Rritja e sektorëve të tjerë me fabrikat e para të industrisë tekstile dhe shpërthimin që pësoi sektori i ndërtimit pas vitit 2000 e uli më tej peshën e sektorit në Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke e çuar atë drejt pikës fundore, në vetëm 19.4% në vitin 2009, pas së cilës do të nisë sërish ringritja.

E megjithatë, të gjithë i kanë drejtuar sytë sërish nga bujqësia, që vlerësohet si një nga sektorët më potencialë.

Tani, 6 vite më pas, bujqësia ka nisur sërish të rrisë peshën në PBB, duke zgjeruar në mbi 22%, por kjo rritje i dedikohet më shumë tkurrjes së peshës së sektorëve të tjerë nga kriza ekonomike e vitit 2008.

Panariti: Fokusi, te serat dhe bimët mjekësore

Përveç paketës mbështetëse të bujqësisë, Ministria e Bujqësisë shpalli vitin që shkoi hartën e rajonalizimit të prodhimeve bujqësore. Në këtë hartë paraqiten përparësitë tona konkurruese dhe krahasuese në zhvillimin e bujqësisë sipas rajoneve, duke treguar se ku duhet të rritet dhe ku duhet të rrudhet prodhimi bujqësor shqiptar, në mënyrë që ai të jetë konkurrues dhe i lidhur me tregun, është shprehur në një intervistë për “Monitor”, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. “Sipas studimeve të bazuara mbi kërkesën dhe ofertën, për një tipologji prodhimi, ne nuk kemi përparësi konkurruese në prodhimin e drithërave, por kemi përparësi konkurruese dhe krahasuese në prodhim të perimeve dhe të frutave, apo për prodhimin e bimëve aromatike dhe mjekësore etj.”, tha ministri.

Ne duhet të rrisim ndjeshëm ofertën e prodhimit në perime, duke synuar daljen e tyre sa më herët në treg. Prandaj përparësi do të kenë investimet dhe mbështetja me subvencione të ndërtimit të serave, – shpjegoi ministri. Ne synojmë dhe do t’ia arrijmë që brenda 2017-s të çojmë sipërfaqen e serave nga 1000 në 3000 hektarë, pohoi ai. “Kjo është koha e bujqësisë dhe këtë e kanë kuptuar për fat të mirë edhe investues, të cilët deri tani nuk kanë qenë të lidhur me bujqësinë. Nëse investuesit do të ndjekin prioritetet tona, suksesi është i garantuar, sepse tregu për këto investime është i garantuar”, – garantoi kreu i Dikasterit të Bujqësisë.

Jaco: Duhet paketë e re ligjore për tokën

Enio Jaco, drejtor ekzekutiv i projektit “AgroKapital”, financuar nga USAID, mendon se bujqësia shqiptare ka shumë avantazhe, si p.sh. moti favorizues, përbërja e përshtatshme e tokës dhe pozicioni gjeografik. Por ka dhe shumë probleme si fragmentimi i tokës bujqësore, teknologjitë e vjetruara dhe mungesa të larta financimi. Sektorë shumë potencialë janë fruta-perimet, përpunimi i tyre si dhe i gjithë zinxhiri i vlerës së shtuar i lidhur me sektorin, tha eksperti. Kjo sipas tij, nuk përjashton sektorë të tjerë, por fruta-perimet përfaqësojnë potencial të veçantë rritjeje si për konsum lokal, ashtu dhe për eksporte në BE. “Në këtë aspekt, ne i konsiderojmë investimet e kryera në këtë sektor në përgjithësi me një kthim financiar të shëndetshëm. Është krijuar një perceptim që sektorë si bujqësia janë më të qëndrueshëm se, le të themi, ndërtimi, të cilit shumë duan t’i largohen. Unë do thosha që ky është një këndvështrim i thjeshtëzuar i çështjes. Biznesmenët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm që si në çdo sektor, investimet në bujqësi duhet të jenë të ‘zgjuara’” këshilloi Jaco. Kjo do të thotë që planet e investimit duhen bazuar jo në trendin e momentit, por në plane të sakta biznesi dhe në investime me kthim të qartë financiar. Duke nënvizuar këtë “parakusht”, dua të theksoj se bujqësia përfaqëson një sektor me rritje ekonomike të kënaqshme dhe ne kemi pasur fatin të përgatisim dhe zbatojmë plane impresive investimi në bujqësi.

Perspektiva e bujqësisë shqiptare është e ndriçuar, por në të njëjtën kohë problemet e shtuara për zgjidhje janë të shumta dhe komplekse. “Unë do të dalloja katër elemente të rëndësishme që, nëse adresohen suksesshëm, kanë shansin të bëjnë diferencë të madhe. Së pari, Shqipëria meriton një paketë më të mirë ligjore mbi tokën bujqësore dhe ligjin mbi kooperativat ose shoqatat bujqësore, rekomandon Jaco. Incentivat mbi unifikimin e prodhimit dhe lehtësimi i tregtimit të tokës do të rrisnin shumë ekonomitë e shkallës në bujqësi e për rrjedhojë, rritje ekonomike më të lartë”, – shpjegoi ai. Së dyti, thotë Jaco, certifikimet ndërkombëtare dhe adaptimi i teknologjive bujqësore bashkëkohore do të rriste ndjeshëm eksportet bujqësore dhe rendimentet e produkteve. Ndryshe nga perceptimi aktual, si certifikimi ashtu dhe teknologjitë e reja, ulin koston afatmesme të ekonomive të vogla. Së treti, financimi duhet dhe mund të jetë në përmasa shumë më të larta se aktualisht. Politika incentivuese si njësimi i programeve të garancisë dhe rritja e fondeve grant do të rriste ndjeshëm investimet në sektorët prioritarë, thotë eksperti.

Ago: Cikli i mbyllur, zgjidhje për rritjen e vlerës

Petrit Ago, një nga biznesmenët e rrallë që ka zhvilluar ciklin e mbyllur në sektorin bujqësor, thotë se vetëm në këtë mënyrë do të mund të rritet vlera e sektorit. Ago ka ngritur në rajonin Tiranë-Durrës, fermën më të madhe në vend, me gati 2000 krerë, lopë, dele dhe dhi dhe pak kilometra larg saj është gati të nisë punën fabrika më e madhe e përpunimit të qumështit në vend. Ndërkohë, ai ka të ngritur rrjetin e shitjes me pakicë, pasi prej më shumë se dy dekadash është i pranishëm në sektorin e pakicës me disa artikuj industrialë importi dhe bulmeti nga aktiviteti i një fabrike qumështi në Libohovë. Ago thotë se pas një përvoje të gjatë në tregtinë e produkteve bujqësore ka marrë iniciativën të zhvillojë prodhimin vendas. Por ai pohon se, çështja e pronësisë së tokës është një pengesë e madhe. Për shkak të parcelizimit të madh, sigurimi në vend i bazës ushqimore është shumë i vështirë, duke e bërë atë të importojë 70% të jonxhës nga Spanja. Ai tha se Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë studime të thelluara dhe të japë konsulenca për zhvillimin e sektorëve të veçantë brenda bujqësisë, sidomos blegtorisë, sipas rretheve. Zonat malore janë të përshtatshme për mbarështimin e të imtave dhe Ultësira Perëndimorë për gjedhin, ndaj dhe subvencionet duhen të orientohen në bazë të kësaj harte – tha Ago.

Beka: Të inkurajohet zinxhiri nga prodhuesi te tregu

Shqipëria duhet të përcaktojë modelin e saj bujqësor si dhe duhet të zhvillojë politika afatgjata mbështetjeje të ekuilibruar midis modeleve mikse të zhvillimit të fermave, tha Ismail Beka, drejtues i Zyrës së Koordinimit-GIZ në Shqipëri.

Beka shpjegoi se, bujqësia me ferma të vogla do të jetë baza e sektorit dhe si e tillë do të duhet të orientohen edhe politikat bujqësore afatgjata. Sot, 99% e fermave i përkasin këtij grupimi, me mesatarisht 1,2 ha. Do të duhen shumë vite (ndoshta dekada) për të ndryshuar ndjeshëm strukturën e fermave, qoftë edhe për të dyfishuar madhësinë e fermës. Por e sigurt do të jetë fakti se 80% e fermave do të mbeten të vogla në kufijtë e 2 ha edhe pas 10 vjetësh dhe shumë prej tyre mund të mbijetojnë si aktivitete dytësore të familjeve në zonat rurale, kur të kenë më shumë punësim në aktivitetet e tjera ekonomike, shpjegoi Beka. Kjo pjesë e bujqësisë do të duhet të mbështetet për t’u bërë konkurruese, kryesisht nëpërmjet integrimit me industrinë ushqimore përpunuese dhe rrjetin e tregjeve vendase të pakicës. (edhe në Strategjinë e Zhvillimit Rural për periudhën 2014–2020, që është miratuar nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2014 është parashikuar që deri në vitin 2020, struktura e fermave do të jetë me 2,5 ha, nga 1,2 ha në vitin 2013), shpjegoi ai.

Beka pohon se, fermerët në zonat malore (që bëjnë pjesë te grupi i parë, rreth 40% të tyre) vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe duhet të përfitojnë mbështetje në kuadrin e zhvillimit rural, veçanërisht në përdorimin e agro-biodiversitetit, mbrojtjen e mjedisit dhe masat për uljen e varfërisë, duke shfrytëzuar edhe prioritete të tjera të diversifikimit të prodhimit, veçanërisht agroturizmin atje ku janë potencialet, si dhe bimët aromatike.

Sipas tij, bujqësia intensive “fermerët e mëdhenj” me investime në perime, frutikulturë, vreshta dhe blegtori, në struktura marketingu e përpunimi, janë padyshim një tendencë e re e rëndësishme për të rritur konkurueshmërinë e bujqësisë shqiptare, veçanërisht për rritjen e eksportit dhe uljen e importeve. Ky model i ri i bizneseve bujqësore, që ka filluar të krijohet, ndonëse do të jetë i vogël në numër (jo më shumë se 5% e fermave në 10 vitet e ardhshme), do të mbajë një peshë të rëndësishme në tregun ushqimor në zonat urbane. Ata kanë nevojë për asistencë teknike të specializuar, ndërkohë që financimi i tyre, duhet të orientohet edhe nga kreditimi bankar dhe jo vetëm me skema grantesh.

Në përputhje me këtë progresion të strukturës së fermave duhet të ndërtohen edhe programet dhe politikat bujqësore, bazuar në konkurrueshmërinë e fermave të vogla bujqësore. Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla, referoi Beka.

Ai tha se, shpeshherë, përdoret argumenti: ne do të mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do ta mbështesë bujqësinë e vogël. “Koha na ka bërë dëshmitarë të shumë strategjive të zhvillimit të bujqësisë përgjatë 20 viteve të fundit. Në të gjitha këto strategji, ka pasur vizione, objektiva zhvillimi, indikatorë për t’u arritur, por në asnjë rast ato nuk janë mbështetur me fondet e nevojshme financiare për t’i zbatuar dhe për pasojë, bujqësia bën pjesë te sektorët më pak të financuar nga buxheti i shtetit”, – shpjegoi eksperti.

Nivelet e buxheteve vjetore për Ministrinë e Bujqësisë janë rreth 60 – 80 milionë euro, nga të cilat, si skema mbështetëse, jo më shumë se 20-30 milionë euro në vit. Një vlerë kjo shumë e ulët për të realizuar objektivat për zhvillimin e sektorit. Strategjitë nuk janë shoqëruar me politika mbështetëse afatgjata, pasi janë ndryshuar në çdo mandat qeverisës (veçanërisht kur bëhet fjalë për skemat e granteve), përfundoi Beka.

Kredia për bujqësinë, në rritje

Që nga 2007, kur raportohen statistikat sipas sektorëve nga Banka e Shqipërisë, pesha e kredisë për bujqësinë është rritur nga 1.1% e totalit në rreth 2% më 2015. Sipas bankierëve, ndër vështirësitë që hasen në sektorin bujqësor nga pikëpamja e bankës, paraqitet informaliteti i lartë në regjistrimin dhe në qarkullimin e parasë. Problemet me pronësinë e tokës mbeten reale dhe një pengesë e madhe në zhvillimin bujqësor të vendit. Sipas ekspertëve, kërkesa për financim nga sektori i bujqësisë ka qenë në rritje, kur vitet e fundit vihen re gjithmonë e më shumë investime, që synojnë të përmirësojnë teknologjinë e përdorur, e cila do të sjellë dhe rritje të produktivitetit dhe cilësisë së prodhimit. Cilësia e portofolit të kredisë në agrobiznes është 4-5 herë më e mirë se sektorët e tjerë të ekonomisë.

Por, me gjithë dëshirën e bankave për të shtuar investimet në këtë biznes, problemet e shumta e kanë mbajtur shumë të limituar kreditimin.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar së fundmi 75 milionë euro si fond garancie për kreditimin e bujqësisë nga bankat, në një përpjekje për të përmirësuar mundësitë e financimit për agrobizneset vendase, duke ofruar linja të dedikuara kredie për bankat shqiptare dhe institucionet mikrofinanciare apo duke ndarë me ata riskun e huadhënies në sektorin e agrobiznesit.

INDUSTRIA MBËSHTETËSE E AUTOMJETEVE, PAK SHANSE

Të paktën tre kompani të mëdha të prodhimit të aksesorëve për industrinë e makinave, CapCon, Johnson Control dhe Lear kanë studiuar tre vitet e fundit tregun shqiptar për të hapur linjat e tyre të prodhimit, në kërkim të kostove më të lira të fuqisë punëtore. Por, siç kanë pohuar burimet pranë kompanive, në mesin e disa arsyeve ata kanë zgjedhur të mos investojnë në Shqipëri, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Tani të tre kompanitë në fjalë kanë hapur aktivitetet në Maqedoni, duke punësuar mijëra persona. Johnson Control njoftoi për hapjen e një fabrike të dytë, pas suksesit të asaj në Stip, ndërsa ishte në vitin 2014 sipërmarrja më e madhe në atë vend nga qarkullimi vjetor .

Flet Dekani i Inxhinierisë Mekanike, Andronaq Londo:

Shqipëria nuk është konkurruese me rajonin, urgjente ngritja e arsimit profesional

E ndërsa rajoni po thith gjithnjë e më shumë industri me vlerë të lartë për ekonominë, Andronaq Londo, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, pohon se Shqipëria e ka humbur konkurrueshmërinë në burimet njerëzore, që duhen për të përballuar kërkesat e gjigantëve botërorë të industrisë. Londo, për këtë situatë, radhiti një sërë shkaqesh që na dizavantazhojnë në raport me rajonin.

E para është humbja e traditës. Shqipëria, para viteve 1990, për shkak të izolimit të tejskajshëm, e zhvilloi ciklin e mbyllur për të gjitha linjat e ekonomisë, ndryshe nga fqinjët. Në përgjigje të kërkesave të kohës, sistemi arsimor në të gjitha nivelet ngriti një fuqi punëtore të kualifikuar për të gjithë sektorët. Në të gjithë zinxhirin e arsimit ka më shumë rëndësi arsimi profesional i mesëm, vuri në dukje profesori. Shqipëria, para viteve ‘90, e kishte përsosmërisht të zgjidhur mirë këtë pjesë. Ekzistonin shkollat e mesme dyvjeçare, tha Londo, në të cilat përgatitej fuqia punëtore e kualifikuar. Në këtë nivel kishte më shumë praktikë dhe pak teori. Kjo kategori nxirrte saldatorë, hidraulikë, elektricistë me nivel të lartë kualifikimi. Më pas, niveli i mesëm i arsimit ishte i përshkallëzuar në ciklin katërvjeçar profesional ku, kualifikoheshin mekanikë dhe profesionistë të nivelit të lartë në gjendje për të zbatuar të gjitha projektet inxhinierike. Londo tha se tradita ka qenë shumë e mirë dhe aftësitë profesionale të inxhinierëve shqiptarë janë treguar përmes ndërtimit të veprave të mëdha në rang europian si hidrocentrali i Fierzës, etj. Studimet thonë se vendi pati krijuar në atë kohë një nivel profesionistësh në rang më të lartë se industria e kohës.

Por pas viteve ‘90 terapia e shokut, zeroi të gjithë zinxhirin e mirë të vlerave. Ekonomia, nga prodhimi dhe cikli i mbyllur, kaloi tek konsumi dhe sistemi arsimor orientoi më të mirët, drejt shkencave sociale. Niveli më i ulët, mesatar apo poshtë saj u orientua drejt shkencave ekzakte. E kundërta duhet të ndodhte, – tha Londo. Nënvlerësimi i Fakulteteve të Inxhinierisë ka krijuar hendekun që nuk mund të riparohet shpejt, shpjegon Dekani. Ai tha se vendet e rajonit dhe specifikisht Maqedonia nuk kanë vepruar në këtë mënyrë. “Me informacionin që kam unë, Maqedonia ka mbajtur në konservim dhe nuk i ka shkatërruar fabrikat e trashëguara nga e shkuara, por ndërkohë ka ruajtur edhe nivelin në arsimin profesional”, tha Londo. Dekani shpjegon se në të gjitha takimet rajonale ka vënë re që vendet e tjera kanë një nivel më të lartë të arsimit universitar dhe kërkimit shkencor në degët e inxhinierisë dhe në arsim profesional.

Londo pohoi se aktualisht, sistemi arsimor i lartë, konkretisht inxhinieria mekanike, i ka mundësitë e kufizuara për shkak të mungesës së theksuar të infrastrukturës dhe laboratorëve. Një inxhinier i mirë nuk mund të mjaftohet vetëm në aspektin teorik, tha Dekani. Ai pohoi se universiteti përpiqet t’u shkojë pas prioriteteve të qeverisë. Në këtë periudhë është parë se, ekonomia po orientohet drejt prodhimit dhe zgjerimit të tregut të energjisë, ndaj edhe studentët janë këshilluar të diplomohen në degë të inxhinierisë elektrike. Londo tha se qeveria duhet të ketë një prioritet të qartë dhe shumëvjeçar në mënyrë që edhe sistemi arsimor universitar t’u përgjigjet nevojave reale të tregut. Por profesori pohon se, është shumë e rëndësishme që qeveria të orientojë arsimin e mesëm profesional, si hallka kryesore për të formuar krahun e kualifikuar të punës për të cilin ekonomia në këto momente ka shumë nevojë.

CALL CENTER INTELIGJENT, APO NJË “INDI E VOGËL”

Call Center (qendrat e thirrjeve telefonike) janë kthyer në sektorin me rritjen më të shpejtë vitet e fundit, duke shfrytëzuar avantazhin konkurrues të fuqisë së lirë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Numri i kompanive Call Center po rritet me shpejtësi deri në dyfishim në një vit, ndërsa çdo sipërmarrje raporton se është rritur minimalisht 10% në vit. Sipas INSTAT, në vitin 2014 operonin 414 biznese Call Center në të gjithë vendin, ose 35% më shumë se një vit më parë. Krahas rritjes në Tiranë (ku janë dhe më shumë qendra universitare) ky lloj shërbimi po zgjerohet në të gjithë vendin.

Industria pritet të sofistikohet më tej, duke ofruar shërbime më të specializuara, përtej thjesht njohjes së gjuhës italiane.

Deloitte Albania, shoqëri shërbimesh auditimi e konsulence financiare, ka sot mbi 100 të punësuar që punojnë për simotrën Deloitte Italy. Ata duhet jo vetëm të dinë gjuhën, por të jenë ekonomistë dhe informaticienë të mirë, teksa kryejnë shërbimet e auditit, konsulencës dhe të IT-së dhe zbatojnë programin SAP në aplikimet e biznesit për kompanitë kliente të Deloitte në Itali, të mbikëqyrur nga ekspertët italianë. Kosto e lirë e fuqisë punëtore mbetet avantazhi kryesor, teksa një punonjës në Itali paguhet mbi 1000 euro, ndërsa në Shqipëri, një i sapodiplomuar, me pak trajnim mund ta ofrojë të njëjtin shërbim me gjysmën e kësaj pagese.

Shërbimet e design kanë filluar të kryhen nga sipërmarrje shqiptare për llogari të klientëve italianë.

Intercom Data Service (IDS), operatori më i madh Call Center në vend ka diversifikuar shërbimet së fundmi, përmes një marrëveshjeje me Google për ofrimin e shërbimeve të teknologjisë së informacionit, për të cilin ka punësuar inxhinierë, ndërsa ka sjellë inxhinierë nga Italia për të trajnuar punonjës shqiptarë. Nëse do të dëgjojnë administratorin e kompanisë që ka nënshkruar marrëveshje me “Google”, të gjithë të rinjtë do të suleshin në Fakultetin e Inxhinierisë Informatike, matematikës informatike, e çdo sektor që ka të bëjë me disa shërbime teknike.

Sot, kësaj kompanie i duhen inxhinierë, konsulentë për të gjitha shërbimet “Google”, e këtu nuk flasim për operatorë me pagë mujore 30-50 mijë lekë. Duke parë zhvillimin e sektorit informatik, disa sipërmarrës në këtë sektor theksojnë se do të ketë hapësira të mëdha për inxhinierët e informatikës, programuesit, konsulentët IT.

Flet Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho:

Kërkesa e të huajve për IT në rritje, të rriten kapacitetet e universiteteve

Bota në epokën e teknologjisë dhe internetit po ofron gjithnjë e më shumë mundësi për biznes dhe punësim. Ashtu si edhe në shumë linja të tjera, vendet e zhvilluara të Europës po kërkojnë shërbime të Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit (TIK) edhe në rajon. Këto vitet e fundit, eksporti i shërbimeve të IT po zgjeron gjithnjë e më shumë hapësirën në eksportin e shërbimeve në tërësi. Shqipëria, si porta hyrëse në rajon, është e para në të cilën investitorët interesohen. Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho tha se, këto dy vitet e fundit shumë kompani të huaja janë interesuar pranë fakultetit për të kontraktuar në punë programues. Kërkesa për këtë lloj shërbimi është në rritje, – tha dekania dhe kualiteti profesional që fakulteti shqiptar i TIK ofron është i lartë. Mirëpo Miho tha se, pagat që kompanitë e huaja ofrojnë për programuesit shqiptarë janë dukshëm më të ulëta se në Itali apo edhe në rajon. Në Shqipëri, një programues paguhet mesatarisht 60-70 mijë lekë në muaj, ndërsa në rajon dhe vende të tjera, kjo punë është shumë më e paguar. Miho tha se Fakulteti i TIK e ka programin e mësimdhënies sipas modelit të Universitetit të Torinos në Itali. Studentët që mbarojnë nivelin bachelor mund të vijojnë studimet për master në shumicën e vendeve të zhvilluara të Europës, si Francë, Gjermani, Austri etj.

Ajo tha se, diploma shqiptare e nivelit të parë njihet në vendet e tjera, ndryshe nga diplomat e fakulteteve të tjera. Mirëpo ky fenomen ka bërë që studentët më të mirë të ndjekin studimet master jashtë vendit, duke zgjedhur të mos kthehen më në Shqipëri.

Dekania tha se në Shqipëri, tregu i punës nuk ofron rroga stimuluese për burimet njerëzore shumë të kualifikuara. Duke qenë se Europa është afër gjeografikisht me Shqipërinë, gjithnjë e më shumë studentët e mirë zgjedhin të punojnë jashtë Shqipërisë. Ajo tregoi se kapaciteti vjetor i diplomave është rreth 180 studentë në vit për të tre degët e TIK-ut.

Mungesa e infrastrukturës në universitete që nga sallat e mësimdhënies dhe laboratorët e kufizojnë fakultetin të prodhojë punonjës IT, nëse nga ana tjetër do të kishte një kërkesë gjithnjë e në rritje. Politikat qeveritare duhet të jenë stimuluese edhe në këtë drejtim pohoi ajo.

Miho tha se modeli turk i universiteteve është për t’u marrë në konsideratë. Atje universitetet e IT kanë pronësi toka ku ftojnë kompanitë të zhvillojnë aktivitetin. Në këtë mënyrë, edhe kompania merr shërbime me kosto të lirë dhe studentëve u mundësohet praktika me e mirë e mundshme.

NDËRTIMI, SEKTORI NË RIORGANIZIM

Zhvillimi i çorganizuar i sektorit të ndërtimit ka lënë pasoja të pariparueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Nga rreth 750 mijë banesa, sipas Censusit të vitit 2011, rreth 400 prej tyre kanë probleme me pronësinë. Pra më shumë se 53% e banesave të ndërtuara në vend pas viteve 1990 janë një investim i ngurtësuar në ekonomi, për të cilat transaksionet zhvillohen tërësisht në të zezë.

Zhvillimet e sektorit arritën kulmin në vitin 2009, duke zënë 19% të peshës së PBB-së edhe për shkak të kulmit që arritën punimet në Rrugën e Kombit, vepra më e madhe inxhinierike e bërë në vend pas viteve 1990. Maturimi në sektorin e banesave dhe kriza financiare e vitit 2008 solli pikatën në sektor, i cili, përveç vështirësive që solli për bizneset e fushës, futi në ngërç të gjithë zinxhirin e ekonomisë, duke përfshirë edhe bankat. Aktualisht në ndërtim janë të angazhuar 7.3% të totalit të të punësuarve, me një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar. Në strukturën e punësimit, sipas aktivitetit ekonomik, gjatë vitit 2009 punësimi në sektorin e ndërtimit përbënte 10%.

Në përpjekje për të mbijetuar, shumë biznese të ndërtimit e kanë diversifikuar portofolin e investimeve në sektorë të turizmit dhe bujqësisë.

Por sektori nisi të përmirësohet vitin që shkoi. Pas rritjes me 24.8% në tremujorin e dytë 2015, vlera e shtuar e ndërtimit shënoi rritje të lartë vjetore me 16.5% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015.

Fratari: Sektori i ndërtimit do të riorientohet brenda tij

Në vijim, sektori do të mbështetet në mënyrë të veçantë nga planet rregulluese, të cilat tashmë për shumë qytete, duke përfshirë edhe Tiranën, janë të miratuara, me përjashtim të planeve që mungojnë për disa komuna përreth Tiranës dhe që tani janë pjesë e bashkisë së madhe. Është e natyrshme që pas një periudhe të gjatë bllokimi të fillojë dhënia e lejeve të ndërtimit, tha Hajredin Fratari, ndërtues dhe njëkohësisht presidenti i Konfindustrisë Shqiptare. Sipas tij, Bashkia është e interesuar të rrisë arkëtimet, meqenëse ka pesëfishuar taksën e lejes, por kompanitë që e kanë të bazuar aktivitetin tyre në punët publike (kryesisht kompanitë e rrugëve) do të kenë ulje të aktivitetit për shkak të rënies së investimeve me fonde publike.

Kërkesa në vijim do të jetë e përqendruar për apartamentet e lira, kryesisht nga çiftet e reja, shtoi ai.

Por ndryshe nga Tirana, sektori i ndërtimit në rrethe do të ketë ecuri të dobët, përveçse investimeve në zonat turistike, nëpërmjet fshatrave turistike në bregdet dhe ka të ngjarë që të zhvillohet edhe ndërtimi i pistave të skive në zonat malore.

INDUSTRIA, MES NXJERRJES DHE PËRPUNIMIT

Një vend i begatë me tokë të praruar dhe nëntokë plot me minerale, naftë e gaz si askund në Europë, Shqipëria i ka edhe sot të gjitha shanset të jetë konkurruese, jo vetëm në rajon. Por pamundësia për shfrytëzimin e kapaciteteve të industrisë, edhe sot pas 25 vitesh ekonomi tregu, e ka lënë sektorin me një produktivitet të ulët pa peshën që i takon në prodhimin kombëtar të vendit.

Sektori në total, në fund të 2014-s, zuri 14.5% të peshës në PBB, ku industria përpunuese udhëhoqi strukturën e PBB me 8.1% dhe ajo nxjerrëse 6.4%. Pesha e sektorit në tërësi ka ardhur në rritje pas vitit 2008 për shkak të zhvillimit të nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petrolium. Por, në krahasim me kapacitetet, kontributi i industrisë nxjerrëse në ekonominë shqiptare mbetet ende i ulët. Nafta është sektori që gjeneroi më shumë të ardhura, me rreth 3% të PBB-së në 2014.

Por, për nga pesha në eksporte dhe punësim, kontributi anon nga industria përpunuese, në të cilin janë të angazhuar 17.2% të totalit të të punësuarve në fund të tremujorit të tretë të 2015. Sektori i industrisë përpunuese ka mbi 9% të ndërmarrjeve aktive në treg, por sektori me përqindjen më të madhe të investimeve është industria nxjerrëse me 17,6%, për shkak të angazhimeve të mëdha financiare që kërkon nxjerrja e naftës.

Për shkak edhe të koniunkturës ndërkombëtare të çmimeve, industria ka zhvilluar veten, duke anuar një herë nga nxjerrja dhe një herë nga përpunimi. Ulja e çmimit të naftës preu hovin e industrisë nxjerrëse sidomos naftës në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT volumi i prodhimit në këtë industri u ul me -27% në tremujorin tretë të 2015, ndërsa rënia në sektorin e nxjerrjes duket se është balancuar nga zhvillimet pozitive në industrinë përpunuese, ku volumet e prodhimit në të njëjtën periudhë janë rritur me 23%. Ecuria e industrisë përpunuese në vendin tonë udhëhiqet nga tekstili, eksportet e të cilit u rritën me 5% në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 34% të totalit). Për rrjedhojë, pesha e industrisë fasone në strukturën e PBB në 2014 arriti në 1.7% nga 1.37% që ishte në vitin 2008. Brenda grupit të industrisë përpunuese, zëri me peshën më të madhe mbetet prodhimi i energjisë elektrike. Por varësia nga reshjet e bën këtë industri të paqëndrueshme. Në fund të vitit 2014, pesha e energjisë, elektrike dhe furnizimit me ujë arriti në 1.7% të PBB, me një ulje 0.7% në krahasim me mesataren e pesë viteve të fundit.

Brenda sektorit të industrisë, vitin që shkoi pësoi hov të madh prodhimi i makinerive dhe pajisjeve.

Industria e fasonit duket se po diversifikohet në disa drejtime të reja që sjellin më shumë të ardhura në ekonomi dhe paga më të larta për punonjësit. Kompanitë e huaja kanë rritur interesin të montojnë pajisje të ndryshme industriale, elektronike dhe elektrike në Shqipëri. Funksionojnë njësoj si fasoni i tekstileve dhe këpucëve. Grupi i makinerive dhe pajisjeve u rrit me 16.8%, i nxitur nga zhvillimi i fasonit industrial. Megjithatë, pas një rritjeje mbi 30% në pjesën e parë të vitit, ky grup është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e fundit të vitit dhe ka filluar rënien.

Industria e përpunimit të ujit e ka rritur volumin e prodhimit me mbi 13% më 2015, por ecuria e sektorit mbetet tërësisht e varur nga volumi i reshjeve. I gjithë sektori i industrisë zë më shumë se 90% në peshën e eksporteve, kur për vitin 2014, kryeson industria e fasonit. Brenda industrisë, sektori i energjisë po shihet si perspektivë e mëtejshme për zhvillim. Shfrytëzimi afër i kapaciteteve i burimeve ujore mund ta shndërrojë Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë së rinovueshme, tashmë shumë të kërkuar nga BE.

Sakaq, kromi mbetet minerali kryesor i nxjerrë dhe përpunuar në vend me rreth 72% të prodhimit total minerar në vitin 2013 dhe 76% në vitin 2014. Minierat e Bulqizës gjeneruan rreth 45% të kromit në vitin 2013 me mbi 110 licenca aktive në prodhim. Ky kontribut u rrit në 53% në vitin 2014. Por sektori është përfshirë në agoni dhe kompanitë janë në prag të falimentit, për shkak të çmimeve të ulëta në tregun e huaj që nuk e avantazhojnë nxjerrjen e tyre.

PLAN PËR GJENERIMIN E 3000 MW ENERGJI

Shqipëria ka një kapacitet për të shtuar prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme (kryesisht energji hidrike, nga era, nga biomasa dhe energji diellore) deri në 3000 MW. Ministria e Energjetikës vuri në dispozicion të “Monitor”, Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Energjisë së Rinovueshme në Shqipëri 2015-2020. Për shkak se qeveria është edhe operatori kryesor në tregun e energjisë, shpalli së fundmi se ekziston ende një potencial i konsiderueshëm hidrik për ngritjen e kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë, që do të ndërtohen gjatë viteve të ardhshme. HEC-e të reja propozohen të merren në konsideratë të ndërtohen. Rreth nëntë hidrocentrale do të jenë mesatare dhe të mëdha me kapacitet total të instaluar prej 385 MW, përfshirë HEC-in e Kalivaçit. Në lumin Devoll janë në proces ndërtimi nga kompania Statkraft HEC-i i Banjës dhe HEC-i Moglicës me kapacitet 256 MW. Planet janë për zhvillimin edhe të impianteve të erës me kapacitet total të instaluar 30 MW dhe impiante fotovoltaike me kapacitet total të instaluar 32 MW.

SEGMENTE TË VEÇANTA

Natyra, me më shumë se 260 ditë me diell në vit dhe pozicioni i favorshëm gjeografik i japin Shqipërisë avantazhe unike krahasuese në rajon, që mund të shfrytëzohen me pak investime dhe shumë zgjuarsi për zhvillimin e segmenteve të veçanta (niche markets).

Produktet bio

Ishte viti 2009, kur Philip Bay, presidenti i atëhershëm i Dhomës Amerikane, pas një qëndrimi disavjeçar në Shqipëri dhe potencialit që ai kishte parë për investime në sektorin e bujqësisë organike do t’i bënte thirrje qeverisë shqiptare të fokusohej në këtë sektor. Në një intervistë të atëhershme për “Monitor”, ai do të shprehej: “Nëse titullarë të qeverisë si kryeministri, ministri i Bujqësisë dhe i Ekonomisë, do të vendosnin se Shqipëria do të përcaktohet si një vend organik, efektet ndërkombëtare të këtij vendimi do të lexoheshin e dëgjoheshin në mediat kryesore në botë brenda pak ditësh”. Ai besonte në atë kohë se Shqipëria ka një mundësi të marrë një vendim të qartë për të ndryshuar. Sipas tij, mundësitë për ta zhvilluar këtë sektor në Shqipëri janë edhe për faktin se në vendin tonë nuk janë krijuar ende lobingje të forta nga tregtarët e farërave, plehëruesve, të cilët i orientojnë fermerët të përdorin inputet e tyre. Ai rekomandonte që qeveria të përqendrohej në atë që është aspekti më thelbësor i infrastrukturës: të krijojë vende pune në komunitetet e vogla rurale në mënyrë që fshatrat të rigjallërohen sërish; të rrisë ushqim që u mundëson shqiptarëve të jenë më të shëndetshëm dhe të bëjë të mundur që fëmijët të jenë më rezistentë ndaj sëmundjeve; të gjenerojë më shumë pasuri në fshat, që qytetet të mos vazhdojnë të rriten në mënyrë jo normale; dhe të lejojë fermerët shqiptarë të jenë më shumë produktivë dhe më përfitues pa u zhytur në borxhe masive, siç janë fermerët në Perëndim.

Ndërsa vitet po kalojnë dhe Shqipëria po e humbet gradualisht autenticitetin e farave organike, ky avantazh duhet shfrytëzuar sa nuk është vonë. Me vlerë të shtuar të lartë, ai i përshtatet fare mirë dhe strukturës së copëzuar të tokës, karakteristikë kjo e bujqësisë shqiptare.

Kujdesi për të moshuarit

Klima e ngrohtë, çmimi i lirë i pasurive të paluajtshme, afërsia me Europën, ekzistenca e një stafi mjekësor të disponueshëm dhe të specializuar e bëjnë vendin e shqiponjave të përshtatshëm për ofrimin e shërbimit të kujdesit për të moshuarit, duke e kthyer vendin në një Spanjë të vogël dhe duke siguruar burime të qëndrueshme të hyrjes së valutës në vend .

Tranziti

Shqipëria ofron një mundësi shumë oportune komunikimi mallrash mes Lindjes dhe Perëndimit, Jugut të pasur me lëndë të para dhe Veriut me produktet e gatshme. Shqipëria mund të bëhet një nyje universale transiti, që do të thotë që të ketë vëllime portuale trajtimi mallrash të paktën 500-1000 herë më të madh nga çka aktualisht.

Industria e luleve

Trëndafilat, tulipanët, karafilat janë një tërheqje e veçantë e Holandës, që përmes klasterave e ka kthyer këtë industri në një model në botë. Shqipëria, me një klimë shumë më të favorshme dhe pozicionim të favorshëm, mund të kthehet në një vend të lulëzuar dhe eksportues drejt destinacioneve europiane.

Klasterat nuk dalin nga moda

Klasteri është një dukuri ku firmat nga e njëjta industri mblidhen së bashku në një territor të afërt.

Ekonomistët e shpjegojnë klasterin si një mënyrë që kompanitë e vogla të gëzojnë disa nga përparësitë e ekonomisë së shkallës, zakonisht të rezervuar për bizneset e mëdha, shkruan “The Economist”. Një territor i izoluar i papërdorur është zonë ku nxitësit e shumtë qeveritarë mund të sjellin përfitime të menjëhershme për një kompani të re, por, në një afat më të gjatë, kompania e re mund të kishte më shumë përparësi nëse do të ngjishej në një zonë të shtrenjtë të pasurive të paluajtshme urbane, në afërsi të madhe me një numër domethënës të konkurrentëve të saj.

Duke u mbledhur bashkë, firmat janë në gjendje të përfitojnë nga gjëra të tilla si ekspertiza dhe punonjësit e specializuar, lehtësinë për të mbërritur te përbërësit e furnizuesve (furnizuesit e “Toyota”-s në përgjithësi i krijojnë klasterat rreth fabrikave të kompanisë mëmë, kudo që ato të jenë) dhe kanalet e informacionit (si ato formale p.sh. revistat tregtare dhe informale si thashethemet e përditshme në baret fqinje). Në Anglinë e hershme të industrializuar, klasterat ishin të zakonshme. Staffordshire ishte shtëpia e shumë prodhuesve të qeramikës, aq shumë sa rajoni është ende i njohur si “Qeramika”. Qyteti i Nottingham-it ishte baza e shumë prodhuesve të lidhësve, Lutoni për prodhuesit e kapelave e kështu me radhë.

Klasterat modernë të teknologjisë së lartë shpesh mblidhen rreth universiteteve të njohura, pasi mund të mbështeten në kërkimet e tyre. Silicon Valley është afër Stanford University, për shembull dhe klastera të ngjashëm të teknologjisë së lartë mblidhen rreth MIT afër Bostonit në Shtetet e Bashkuara dhe pranë Cambridge University në Britani.

Një nga klasterat më të famshëm është ai i industrisë së filmave në Hollywood. Kur sistemi i studiove të mëdha të filmave u shpërbë në vitet 1930, ai u nda në një numër të madh të atyre që ishin në thelb firma të vogla të specializuara. Grumbullimi rreth Hollywood-it i mundësoi secilës prej firmave të vogla të përfitonin sikur të kishin shkallën e një studioje të vjetër të filmave, por pa rreptësinë e hierarkisë së pagave të studiove të mëdha.

Në disa raste, shërbimet ndihmëse që krijohen e rriten për t’u shërbyer klasterave industrialë kanë mbetur në pozicion dhe janë zhvilluar në industri të reja shumë kohë pasi klientët e tyre origjinalë të industrisë ishin zhdukur. Afër Birmingham-it në Britani, për shembull, klasteri i firmave të shërbimit të industrisë së makinave, që u rrit kur qyteti ishte një forcë aktive në këtë industri, është bërë një element i rëndësishëm i zhvillimit të Formula 1 dhe biznese të tjera të specializuara të makinave.

Që klasteri nuk është një fenomen që i ka kaluar koha, kjo duket qartë në Silicon Valley të Kalifornisë. Firmat e reja të teknologjisë së informacionit (IT) dhe të internetit vazhdojnë të mblidhen atje, pavarësisht çmimeve të larta të pasurive të paluajtshme lokale dhe rrezikut të tërmeteve. Në mënyrë ironike, ata konstatojnë se pjesa më e vlefshme e informacionit të tyre nuk sigurohet në mënyrë elektronike, por nga takimet ballë për ballë.

Michael Porter, një profesor në “Harvard Business School”, e ka studiuar kohët e fundit këtë ringjallje në dukje paradoksale të klasterave industrialë. Në teori, thotë ai, vendndodhja nuk duhet të jetë më një burim i përparësive konkurruese në një periudhë të konkurrencës globale, transporti të shpejtë dhe telekomunikacioni të shpejtësisë së lartë. Biznesi global gjithnjë e në rritje nëpër botë duhet të jetë tashmë mbi dhe përtej përmasave gjeografike. Megjithatë, ende situata nuk është qartësisht e tillë.

Porter-i jep disa shembuj (jo të lidhura me Silicon Valley), duke përfshirë industrinë në rritje të verës në Kaliforninë Veriore dhe biznesin e luleve që po zgjerohet në Holandë. Holanda nuk do të ishte zgjidhja e parë natyrale për këdo që do të donte të niste një biznes të tillë sot, nëse nuk do të ishte për faktin që ky lloj biznesi është tashmë atje. Kjo është një përparësi e madhe konkurruese për një aktor të ri në treg, që mund të përfitojë nga elemente të tilla si ankandet e sofistikuara të luleve holandeze./Monitor