
Nga Mallakastra në Vërzhezhë! Kjo është shkolla ku studioi Mehmet Shehu!
Dritare.net
Në Vërzhëzhë, një nga fshatrat më të njohur të Skraparit edhe pse prodhimet lokale prodhohen ende, mungesa e tregut ka paralizuar ekonominë e banorëve. Kryeplaku i fshatit, Qamil Meta thotë se Vërzhëzha nuk ka më as ujë të pijshëm, duke e bërë jetesën edhe më të vështirë për banorët.
“Fshati Vërzhezhë ka qenë fshati i parë më i madh në Skrapar. Fshatarët kanë punuar gjithmonë në bujqësi dhe blegtori, ky fshat arriti deri në 400 shtëpi. Sa i përket arsimit ne kemi pasur shkollën Internati, pastaj shkolla e mesme në vitin 1993 u mbyll përfundimisht. Sot është mbyllur tërësisht shkolla sepse edhe pak fëmijë që janë kanë shkuar në qytet. Vërzhezha sot numëron 53 familje gati 190 frymë, të rinjtë janë larguar në emigracion këtu ndodhen vetëm të moshuarit. Shkolla u mbyll për arsye se nuk plotësohej numri i nxënësve pasi nuk ka lindje.
Në fshatin tonë prej 10 vjetësh janë bërë 2 martesa 6 lindje dhe 32 vdekje. Nuk ka më martesa e as lindje, 4 fëmijë ka fshati të cilët arsimohen në Çorovodë. Vërzhezhës i mungonte tregu sepse ne kishim dhe kemi prodhime por nuk kemi treg largësia bën të vetën.
Ka qenë shumë e kultivuar qershia por nuk ka treg dhe na ngelet stok. Një të mirë kemi që na u rregullua rruga por ne nuk kemi ujë të pijshëm dhe mezi po e përballojmë jetesën.
Këtu ka qenë edhe shkolla Internati ku ka studiuar Mehmet Shehu. Ai erdhi nga Mallakastra dhe studioi këtu për 4 vite. Godina këtu që është e rrënuar ka qenë shkollë dhe ka mbajtur emrin e Mehmet Shehut deri në ditën që ai vrahu vetën më pas mori emrin e Riza Shahinit. Një patriot i ndershëm i shkolluar ishte i pari që solli abetaren e parë në këtë fshat”, shprehet zoti Meta.
Fshati Vërzhezë ka një histori të lidhur ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare, ku ende dhe sot 5, Dita e Dëshmorëve i bën bashkë, në nderim të 11 dëshmorëve të fshatit.
“Dëshmorët që kanë emrin te lapidari i fshatit nderohen çdo 5 maj nga familjarët dhe bashkëfshatarët”, shtoi më tej zoti Meta/E.P/dritare.net

















