
Zonjat e Tragjasit, një histori që nisi nga Zonja Çurre!
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Tragjasi është fshati i Zonja Çurres. Nga Zonja e Tragjasit te zonjat që kam njohur atje është një histori që dua ta tregoj, te “Shqiptarë të mrekullueshëm”. Sepse është historia e Shqipërisë që nuk e njohim, se nuk bërtet. Është historia e Shqipërisë që punon e prodhon shqip. Si të mos e duash dhe të mos e tregosh, atë?
Kështu e gjeta Ortencën. Nga aroma e një domateje, gjeta Ortencën edhe Herbertin në Tragjas. Dhe më thanë që fermë si kjo nuk ka. Nuk furnizon vetëm Vlorën, Tragjasin, Orikumin, Dukatin, me domatet që mezi po i presin pushuesit në verë, por ka shkuar deri në Rusi dhe Holandë. Nuk doja të flisja me Herbertin, doja të flisja me zonjën e tij. Sepse unë jam këtu për zonjat e Tragjasit. Dhe i shoqi tha: “Patjetër, nuk ka asnjë problem!” Dhe më prezantoi me zonjën e tij, e cila ka dhe një bebush të vogël që do të vijë së shpejt. Shumë kënaqësi që të takova, mes domateve. Intervistë si kjo nuk kam bërë ndonjëherë.
Ortenca Alemi: Kënaqësi edhe për ne. Mirë se erdhët! Na bëhet shumë qejfi që keni dëgjuar për prodhimet tona dhe që morët rrugën e erdhët deri këtu.
Rudina Xhunga: Me shumë kënaqësi unë do të vij gjithmonë! S’ka si domatet tuaja. Ti je zonjë apo vajzë Tragjasi?
Ortenca Alemi: Po jam zonjë Tragjasi. Megjithatë kjo e ndenjura në Tragjas po më pëlqen shumë.
Rudina Xhunga: Më trego pak, përse shkove në Tiranë?
Ortenca Alemi: Unë jam e një profili krejt tjetër, sepse kam studiuar në Universitetin e Shkencave Mjekësore Teknike. Jam teknike e lartë laboratori në fakt, por nuk është se nuk ka lidhje me prodhimet bujqësore. Si biologjia dhe kimia që kam studiuar, na hyjnë në punë tani në biznesin tonë. Duke qenë se bashkëshorti im kishte prona të trashëguara nga familja e tij, thamë se përse mos t’i vëmë në punë.
Rudina Xhunga: U shkollove në Tiranë, jetove aty. Si i le të gjitha pastaj dhe erdhe në këto serra në Tragjas? Çfarë mendove?
Ortenca Alemi: Unë me Herbertin jam njohur në Vlorë. Jemi të dy nga Vlora, dhe nuk e kishim shumë të vështirë të ktheheshim të dy sërish nga Tirana në Vlorë. Madje me këtë iniciativë që kemi marrë, na pëlqen shumë tani.
Rudina Xhunga: Tani nuk ikni më. Po vajza, sepse ke dhe një tjetër?
Ortenca Alemi: Me gocën më ndihmon mami. Falë Zotit kemi gjyshërit afër, sepse është akoma e vogël.
Rudina Xhunga: U rrit mes domateve. Nuk i iket asaj më.
Ortenca Alemi: Ajo vjen këtu, i këput me dorën e saj.
Rudina Xhunga: Kë furnizoni, sepse kjo më habiti? Unë mendova se ju shkonit vetëm në Vlorë.
Ortenca Alemi: Jo, jo domatja ka marrë një famë më të madhe, sesa thjesht në Vlorë. Sepse ne eksportojmë edhe jashtë. Ka shkuar në shumë shtete të tjera. Si në Bullgari, në Greqi, në Rusi, në Holandë.
Rudina Xhunga: Dhe e di kush është e bukura? Tani në kohën e pandemisë domatja shkon, por jo çifti Alemi. Ata nuk e shoqërojnë dot domaten e tyre. Por domatet vazhdojnë rrugën, nuk i ka ndërprerë asgjë. Si nisi fama e domates suaj? Unë e njoha rastësisht. Një aromë e panjohur, një aromë prej vërteti, një domate e asaj kohe, që më kujton vetëm fëmijërinë, që e haja dikur në plazhin e vjetër, te Pylli i Sodës. Thashë: “Ç’është kjo domate kështu?”
Ortenca Alemi: Pasioni për të krijuar diçka në tokat tona, ishte që të bënim diçka me kualitet të lartë. Një produkt të një cilësie të lartë.
Rudina Xhunga: Kur nisët?
Ortenca Alemi: Vitin e kaluar.
Rudina Xhunga: Një vit keni ju?
Ortenca Alemi: Ky është sezoni i dytë që ne po prodhojmë domate dhe jo vetëm. Kemi edhe produkte të tjera që ende nuk janë bërë. Domatja është e para, që është bërë.
Rudina Xhunga Kjo domate kur është mbjellë?
Ortenca Alemi: Në mesin e janarit. Kemi filluar nga mesi i prillit që ta nxjerrim në shitje. Pasi ajo bëri ciklin e saj dhe po bëhet gati një muaj që domatja ka dalë në treg, në Vlorë dhe tashmë është e njohur gjithandej.
Rudina Xhunga: Pse bëhet që në prill?
Ortenca Alemi: Ajo ka ciklin e saj. Varet nga momenti kur mbillet dhe kur piqet.
Rudina Xhunga: Ortenca, këto janë të kuqe, kjo është e bardhë, çfarë ndodh? Piqet më shpejt afër rrënjës?
Ortenca Alemi: Si çdo produkt bujqësor, nuk bëhen të gjitha në të njëjtën kohë. Disa mund të bëhen më shpejt, disa më vonë. (Ulet te domatja) Kjo lloj domateje, tregon që këtu nuk është tepruar me produkte kimike.
Rudina Xhunga: Ku e kuptove që nuk është tepruar?
Ortenca Alemi: Jo të gjitha i ke në të njëjtën ngjyrë. Njëra është pak më e kuqe, tjetra më e verdhë apo jeshile. Ato kanë kohën e tyre për t’u bërë.
Rudina Xhunga: I janë lënë kohës për t’u bërë, se ndryshe do të ishin të katërta të kuqe.
Ortenca Alemi: Nëse do ta teprosh me produkte kimike, ti do ta shpejtosh procesin e pjekjes së saj dhe nuk do të ketë më të njëjtën shije.
Rudina Xhunga: Ç’është kjo aromë kështu? Jua thonë të gjithë, apo vetëm unë u çmenda?
Ortenca Alemi: E thonë të gjithë, prandaj dhe domatja është kaq shumë e pëlqyer.
Rudina Xhunga: Aromë fëmijërie. Kjo është e pabesueshme.
Ortenca Alemi: Domatja është pëlqyer gjithandej dhe ne jemi shumë të lumtur që kemi bërë një produkt sa më shumë afër natyrës dhe që të gjithë njerëzit e marrin dhe e rimarrin.
Rudina Xhunga: Domethënë shkolla jote ia vlejti. Ia vlejti fakti që e besove burrin tënd, apo pati ndonjë moment që i the jo. Ai e kishte iniciativën në fillim?
Ortenca Alemi: Po. Unë isha pak skeptike, sepse nuk e kisha menduar që mund të bënim një gjë kaq të madhe dhe nuk kisha shumë informacion për produktet bujqësore. Por ai ishte i sigurt, i bindur që këto toka që janë kaq pjellore, ku të parët e tij kanë prodhuar vazhdimisht dhe tha: “Pse mos ta bëj dhe unë? Pse të mos bëjmë diçka tonën? Dhe Tragjasi ka klimën shumë të mirë, ka territorin, pozicionin gjeografik e ka shumë të mirë, që e favorizon edhe deti. Dhe pse jo? Domatja këtu do të dilte shumë e mirë.”
Rudina Xhunga: Si është jeta larg kryeqytetit? Unë të shoh ty dhe mendoj se, mund të jesh një prej vajzave të zakonshme që unë i shikoj në rrugë, dalin nga një parukeri, hyjnë në një palestër, mund të bëjë këtë lloj jete tani.
Ortenca Alemi: Tendenca e njerëzve tani është të shkojnë sa më afër natyrës. Më pëlqen ky stili i fshatit. Ajo jeta e Tiranës edhe të lodh gjatë gjithë vitit. Zhurma, smogu, në fundjavat gjithmonë i kemi dashur t’i kalojmë sa më afër natyrës. Mua tani po më pëlqen shumë, sepse kam qetësi, kam ajrin e pastër këtu. Kam lirinë për të dalë, nuk jam e mbyllur, e kufizuar. Po e shijoj shumë.
Rudina Xhunga: Do të rrisësh edhe vajzat e tua me dashurinë për natyrën dhe tokën, që nuk është pak. Dhe jo vetëm kaq, por një iniciative që ka ardhur deri këtu, besoj që do të vazhdojë shumë më tepër. Kjo nuk ka asnjë dyshim.
Ortenca Alemi: Patjetër! Ne kemi dëshirë që të zgjerohemi në të ardhmen. Besoj që do të vini prapë kur të nxjerrim gjëra të reja.
Rudina Xhunga: Te ju më solli një domate, por nuk më gënjen intuita. Kushedi çfarë do të më sjellë prapë.
Ortenca Alemi: Do të mundohemi të bëjmë gjëra sa më të mira.
Rudina Xhunga me Arlinda Sejdin e ATA, Tragjas
Rudina Xhunga: Tani jam me një tjetër zonjë Tragjasi. Arlinda ti je zonjë, apo vajzë Tragjasi?
Arlinda Sejdi: Unë jam nuse Tragjasi.
Rudina Xhunga: Epo ç’është kjo punë? Ngacmimi ishte që të tregoja Tragjasin që ka kaq shumë zonja. Por një vend që nuset e veta i ka bërë të drejtojnë, patjetër që është vend zonjash. Unë me Arlindën jam njohur nga djathi. Vij, blej djathë te ti, madje blej dhe hirrë. Të lash pa hirrë. Edhe më kënaq shumë. Por të kam parë vetëm baxhon gjithmonë dhe më ka bërë përshtypje sa të pastër e kishe. Tani doja të më tregoje edhe ku e merr ti qumështin. Dhe ku rrinë delet e tua?
Arlinda Sejdi: Delet tona rrinë në natyrë. Kullosin në natyrë. Janë të zonës së Tragjasit, të Radhimës, Dukatit, Llogorasë, zona e Karaburunit. I grumbullojmë në punishte.
Rudina Xhunga: Të gjithë grumbullojnë qumështin te ti, e gjithë zona?
Arlinda Sejdi: Po e gjithë zona.
Rudina Xhunga: Edhe dhie besoj.
Arlinda Sejdi: Edhe dhie po. Më tepër të zonës së Dukatit dhe të Karaburunit.
Rudina Xhunga: Një zonje që ka mbaruar për teknologji ushqimore, kur studioje të shkonte në mendje që do të ndiqje me një furgon dhitë edhe delet e Tragjasit?
Arlinda Sejdi: Në fillim jo. Pastaj po, duke qenë se edhe burri punonte në sektorin e bulmetit, në punishte në Itali, vendosëm që të bënim këtë punë.
Rudina Xhunga: Kur e nisët?
Arlinda Sejdi: 12 vjet më parë.
Rudina Xhunga: Nuk është kaq kollaj kjo gjëja që shohim aty. Nuk u ngrit brenda një ditë, në oborrin e shtëpisë.
Arlinda Sejdi: Është nisur shumë pak në oborrin e shtëpisë, që ka arritur është bërë punishtja tani.
Rudina Xhunga: Të gjithë kanë fjalët më të mira për ty. Janë të pastër, janë të kujdesshëm, nuk ankohen nga asgjë. Po si ia bën ti, 24 orë në punë rri?
Arlinda Sejdi: Pak a shumë. Në mos 24, 12 orë i bëjmë. Është punë, është përgjegjësi. Kur vjen sezoni, do një impenjim të madh. Përderisa i je futur kësaj punë, ose bëje ose mos e bëj fare.
Rudina Xhunga: Kur erdhët nga Italia e dinit çfarë do të bënit, kishit ardhur me këtë ide?
Arlinda Sejdi: Erdhëm me idenë për të ngritur punishte, por donim të bënim me mozzarella-n.
Rudina Xhunga: Pse ku ishit ju në Itali?
Arlinda Sejdi: Në Trevizo. Duke qenë se bashkëshorti punonte në punishte atje, dhe menduam të sjellim mozzarella-n. Atëherë nuk njihej shumë mozzarella te zona jonë, dhe vendosëm ta sjellim. Më vonë futëm dhe tradicionalin. Sido që të jetë, jemi te tradita ne shqiptarët.
Rudina Xhunga: Burri është nga Tragjasi? Tokat janë të familjes?
Arlinda Sejdi: Toka ku është ndërtuar punishtja, po. Pastaj kullotat janë të vetë fermerëve, të të gjithëve.
Rudina Xhunga: Si të besuan fermerët që erdhën pak nga pak të sollën qumështin? Apo kanë interes? Është interesi që të bën të besosh.
Arlinda Sejdi: E kemi krijuar besimin vit pas viti. E nisëm me pak, bënim likuidimet. U ka ndodhur në vende të tjera që punonin dhe nuk merrnin lekët.
Rudina Xhunga: Ka më kthim pas tani, Arlinda?
Arlinda Sejdi: Në këtë pikë jo.
Rudina Xhunga: Nuk lodhesh ndonjëherë dhe thua: “Të vejë në dreq, të kthehem në Trevizo prapë.”
Arlinda Sejdi: Jo, jo. Puna ka vështirësi, por që të kthehemi pas jo. Të paktën në këtë pikë ku kemi arritur s’ka më kthim pas. Vetëm para.
Rudina Xhunga: Çfarë ka para?
Arlinda Sejdi: Mendoj më mirë.
Rudina Xhunga: Nuk ke frikë tani nga pandemia?
Arlinda Sejdi: Ditët e para ishte shumë frikë. Duke qenë se ne jemi sektori që duhet të jemi në punë. Donim apo s’donim ne ishim të detyruar për kontratën që kemi lidhur me fermerët. Është bulmet, nuk tërhiqesh dot. Ditët e para ishte e vështirë, pastaj u ambientuam. Morëm dhe masat tona, si të punishtja që ditët e para, edhe në pikat e grumbullimit.
Rudina Xhunga: Kur të shoh ty me atë furgonin, them: “Bravo! Bravo për të gjitha!” Çfarë ka ky Tragjasi që nuk ka vetëm mishin e mirë, nuk ka vetëm domaten e mirë, po ka këto zonjat, kaq të zonja. Çfarë ka ky Tragjasi? Apo kudo do e kishe bërë ti?
Arlinda Sejdi: Është vendi, është toka e deti. I kemi kushtet për të gjitha.
Rudina Xhunga: Është jodi, është dielli. Ne u përvëluam.
Arlinda Sejdi: Kjo dhe na solli. Duke parë se në vendin tonë i kishim të gjitha, erdhëm këtu.
Rudina Xhunga: Dhe bërë jo mirë, po kaq mirë, sa u shtofshin ata si ty. Apo s’doni konkurrencë ju?
Arlinda Sejdi: Këtu jo!/dritare.net

















