
Infermierja shqiptare në Bremen: Ju tregoj situatën në spitalet gjermane!
Dritare.net
Nga Lorena Fjolla
Një histori suksesi u konsiderua strategjia e Gjermanisë në menaxhimin e pandemisë në muajt e pranverës. Me në krye gjermanen e hekurt, ndërsa virusi gjunjëzoi shumë prej vendeve evropiane, Gjermania bëri përjashtim. Suksesi ishte te tre sekretet e modelit Merkel.
Por, përballë valës së dytë, Gjermania nuk rezultoi aq e fortë. Pas verës, ‘sukses’ ishte një fjalë më pak e përdorur, për strategjitë e vendeve.
Çfarë po ndodh tani në Gjermani?
Shqiptarët të shpërndarë kudo në botë, janë ata që na tregojnë se ç’po ndodh tani, në vendet ku ato jetojnë.
Madona, që ndonëse nga emri mund të mos ngjajë si një shqiptare, është njëra prej tyre. Vajza nga Lushnja, që jeton dhe punon prej 4 vjetësh në Gjermani është në vijën e parë të luftës me virusin. Ajo tregon në një intervistë për Dritare.net, se sfidat për të mbërritur atje, nuk kanë qenë të lehta. Por kjo e fundit, është më e forta se të gjitha. Ajo jeton dhe punon në Bremen, spitalin më të madh të këtij Landi.
“Është një qendër spitalesh këtu, dhe unë punoj në atë qendrorin. Bremen është një Land i vogël. Në valën e parë të virusit, ishte Landi me numrin më të ulët të të infektuarve. Që prej fillimit të tetorit, Bremen u vu në ‘listën e zezë’, duke u quajtur një vend me rrezik të lartë infektimi. Numri i të infektuarve për 100 mijë banorë, i kaloi 50. Fatkeqësisht numrat po rriten çdo ditë.
Spitali po jep maksimumin e tij, jemi të angazhuar në situatën aktuale. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë pavarësisht shumë sfidave, ky ishte raporti që na u komunikua të premten nga drejtuesit.
Dritare.net: Si shkuat në Gjermani?
Madona Prendi: Kam ardhur në fillim si ndihmësinfermiere me një kontratë pune me kohë të plotë dhe me vizë pune të marrë në ambasadën gjermane në Tiranë.
Procedurë e cila zgjat shumë. Theksoj që nuk kam ardhur me institucionin shtetëror, kjo e bëri më të vështirë për mua ardhjen dhe ecurinë këtu. Tashmë çdo gjë është e kaluar dhe e arrirë me sukses.
Dritare.net: Si po e përballoni valën e dytë në krahasim me atë të pranverës?
Madona Prendi: Që prej prej pranverës deri në fillim të tetorit, ka qenë shumë mirë në krahasim me pritshmëritë. E kemi përballuar me sukses dhe jo me mbingarkesë.
Madje u përfol që përgatitjet ishin të panevojshme. Shumë aparatura të blera nuk u vunë në funksion, shumë shtretër ishin bosh. Duke nisur prej fillimit të tetorit, në vend shifrat e të infektuarve u rritën frikshëm dita-ditës. Mund të them që tani shtretërit po mbushen, ngarkesa e personelit është shumë e madhe, ndërsa fuqia punëtore e vogël.
Dritare.net: Çfarë masash keni marrë për të menaxhuar fluksin?
Madona Prendi: Spitali ka marrë shumë masa për të përballuar valën e dytë që pritet të jetë më e rëndë. Që prej fillimit të tetorit ish-pavioni im i punës, Nefrologji dhe Kardiologji, u shpërbë. U krijua një pavion i dytë për pacientët me kovid. Pra po shpërbëhen disa pavione duke i krijuar ato enkas vetëm për pacientët e infektuar.
Përmes bashkimit të disa pavioneve është rritur edhe fuqia punëtore. Por sërish, mungesat në personel janë shumë të mëdha, ndaj stafet nuk janë të kënaqur me masat që po merren. Edhe pse është e kuptueshme që masat janë për të na ndihmuar, duke mos lejuar kaosin në spitale.
Dritare.net: Cilat janë masat kufizuese që janë në fuqi tashmë atje?
Madona Prendi: Që prej 2 nëntorit, janë mbyllur restorantet, aktivitetet e sportit, organizimet për festat e fundvitit janë pezulluar, nuk lejohen grumbullimet etj. Qeveria thekson se këto masa janë marrë për të shmangur kaosin në spitale, por është e qartë që edhe ekonomia po merr një krizë të fortë.
Dritare.net: Madona, ju ishit një model suksesi në pranverë. Çfarë mendoi se shkoi keq?
Madona Prendi: Jo nuk mendoj që shkoi keq. Por njerëzit u lodhën me këtë situatë të cilës nuk i dihet fundit. Mendoj që si kudo, edhe këtu për një kohë njerëzit filluan edhe të mos e besonin më virusin. Dhe pasojat po i vuajmë tani. Por besoj se masat e marra do të bëjnë një kthesë. Gjermania do të përgëzohet sërish për menazhimin e situatës. Kam besim në punën tonë të përbashkët, në qëllimin tonë të përbashkët dhe vetëm së bashku e di që do të mund ta përballojmë këtë luftë./dritare.net

















