
Sherr për një kafe! Vriten dy persona me armë zjarri pranë një karburanti në Durrës
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin sotëm në Manëz, pranë një karburanti, ku kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit Aranit Kurti 23 vjeç, dhe Flori Paluçi 33 vjeç.
Shkak dyshohet se ka qenë konflikti për një kafe. Nga veprimet hetimore rezulton se Flori Plauçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Arianit Kurti. Ndërsa, 33-vjeçari është qëlluar me armë nga 21-vjeçari Daniel Pela, ky i fundit i shpallur në kërkim.
"Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit", njofton policia./dritare.net

















