
"Më kërkoi kafe, por kisha fikur ekspresin"/ Si ndodhi përplasja mes Daniel Pepës dhe Flori Paluçit, zbardhet krimi
Dritare.net
Një debat me kamarierin për një kafe në një lokal ka përfunduar me dy të vrarë në Manëz. Ngjarja e rëndë u shënua pranë një karburanti rreth orës 01:45, ku 33-vjeçari Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçari Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur. 21-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje.
Në polici janë shoqëruar 7 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.
Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamarierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë se nuk mund ta fyejë kamarierin, pasi është ulur në tavolinë me të. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Arianit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.
Punonjësi i karburantit pranë të cilit u vranë dy të rinjtë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti ka folur për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë. Ai tha se kur shkoi në punë në mëngjes pa karburantin e rrethuar si skenë krimi, ndërsa djemtë i përshkruan si të sjellshëm.
“Unë erdha në mëngjes, gjeta karburantin e rrethuar, si skenë krimi. Më thanë ka ndodhur në ngjarje. Njëri nga Manza por nuk rri këtu. Ishin çuna të sjellshëm.”, u shpreh punonjësi i karburantit.
Ndërsa një banor thotë se janë tronditur nga ngjarja e rëndë. Banori thotë se Aranit Kurtin që mbeti viktimë e ka pasur kushëri.
“Jo nuk dimë gjë. Na ka tronditur rëndë por ndodhi. Nuk di gjë pse ka ndodhur. I njihja, e kam pasur kushëri Aranit Kurtin”, thotë një tjetër banor./dritare.net

















