Hiqet flamuri gjigant i Ukrainës nga qendra e Prishtinës
Dritare.net

Flamuri gjigant i Ukrainës, i vendosur në qendër të Prishtinës prej nisjes së luftës në Ukrainë, është hequr të dielën.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka publikuar edhe pamjet e heqjes së flamurit.
Rama ka deklaruar se Prishtina do të vijojë të tregojë solidaritet me popujt që përballen me luftë dhe persekutim, por ka theksuar se shtetësia e Kosovës duhet të respektohet.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, është shprehur Rama.
Flamuri ukrainas ishte vendosur në Prishtinë si shenjë solidariteti me Ukrainën pas nisjes së pushtimit rus në vitin 2022.
Heqja e tij vjen një ditë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi, ku ai deklaroi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar./l.F-dritare.net