Na ndiqni edhe në

Shëndet

Gjumi me orë në dorë. Ekspertët: Gabim. Mos u fiksoni!

Përpjekja e tepërt për të kontrolluar dhe përmirësuar gjumin mund të ketë efekt të kundërt dhe të shkaktojë më shumë shqetësim, paralajmërojnë specialistët.

Vitet e fundit janë bërë të njohura pajisjet që matin gjumin, si orët dhe unazat inteligjente. Ato tregojnë sa kemi fjetur dhe përpiqen të përcaktojnë periudhat e gjumit të lehtë, gjumit të thellë dhe fazës së ëndrrave. Shumë prej tyre japin edhe një vlerësim për cilësinë e gjumit.

Por mjekët theksojnë se ky vlerësim nuk është një matje zyrtare e njohur në mjekësi. Pajisjet bëjnë llogaritje bazuar kryesisht në lëvizjet e trupit dhe nuk mund ta matin drejtpërdrejt aktivitetin e trurit gjatë gjumit.

Kjo mund të krijojë shqetësim te disa njerëz. Ata mund të fillojnë të mendojnë vazhdimisht nëse kanë fjetur mirë apo keq, duke u bazuar vetëm te numri që shfaq pajisja.

Një studim i Universitetit të Oksfordit tregoi se edhe kur njerëzve u jepeshin vlerësime të rreme për gjumin, ata që mendonin se kishin fjetur keq ndiheshin më të lodhur dhe më pak të përqendruar gjatë ditës.

Ekspertët këshillojnë që gjumi të mos kthehet në një garë për të arritur një rezultat të përsosur. Për një gjumë të mirë rekomandohet që dhoma të jetë e freskët, e errët dhe e qetë, të ekspozohemi ndaj dritës së mëngjesit, të bëjmë aktivitet fizik të lehtë dhe të ushqehemi shëndetshëm.