Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Evis Sala largohet pas një viti në krye të Shëndetësisë. Ja mesazhi i saj!

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka konfirmuar largimin nga kabineti qeveritar. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sala bëri të ditur se mbledhja e sotme ishte e fundit për të si anëtare e qeverisë. Ajo tha se ka pranuar angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e saj të ekspertizës, që përfshin onkologjinë, inteligjencën artificiale dhe inovacionin.

"Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji - inteligjencë artificiale - inovacion. Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë. Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh. Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!"

Evis Sala hyri në qeveri me një emër të fortë profesional dhe me ambicien për ta orientuar shëndetësinë drejt onkologjisë moderne, inovacionit dhe standardeve europiane. Por largohet pas vetëm një viti, duke lënë pas më shumë reforma të shpallura sesa rezultate të konsoliduara. Mandati i saj do të mbahet mend për përpjekjen për reformimin e Onkologjikut, por edhe për mungesat e vazhdueshme të barnave dhe perceptimin e një ministreje jo gjithmonë të pranishme në drejtimin e përditshëm të sistemit./L.F-dritare.net