Na ndiqni edhe në

Editorial

Rexhep Qosja, zëri i Kosovës në zgjedhje!

Rexhep Qosja, zëri i Kosovës në zgjedhje!

Gazetarja Rudina Xhunga në Tregimin e Ditës ka folur për sulmin që i është bërë ditët e fundit akademikut të njohur Rexhep Qosja. Ja çfarë thotë gazetarja!

“Para pak ditësh, akademiku i njohur, autoriteti moral shqiptar, profesor Rexhep Qosja në një shkrim të gjatë u shpreh për votën në Kosovë dhe tregoi qëndrimin e tij. Unë e çmoj akademikun shqiptar, Rexhep Qosja, sepse e kam lexuar, e kam njohur, e kam besuar dhe do ta besoj gjithmonë profesorin. E çmoj për mënyrën se si i drejtohet kombit, kur njerëzit kërkojnë orientim. Rrugët tona do të ishin një kaos pa semaforë. Por edhe në jetën virtuale kemi nevojë për ata si profesor Qosja, autoritete morale të mendimit, semaforët tanë të lëvizjeve në udhëkryq. Kemi pak të tillë, sepse është e vështirë të ndërtohen personalitete të gjallë në vende si tonat. Ne i quajmë autoritete morale, i nderojmë e vlerësojmë, veç pas ndarjes nga jeta. Por harrojmë se na duhen tani, të gjallë. Rexhep Qosja na duhet tani i gjallë, na duhet për atë që thotë, për atë që bën, për atë që është. Na duhet q[ të kthejmë kokën nga ana e duhur, kur jemi në mëdyshje.

Kur e kam njohur profesor Qosjen punoja në RTSH dhe drejtoja emisionin Dritare. Ai ishte i strehuar në Shqipëri kur Prishtina ishte bombarduar. Shteti shqiptar kishte marrë në mbrojtje profesorin dhe familjen e tij. Intervistat e mia me profesor Rexhep Qosen janë bërë në momente delikate për shqiptarët. Unë e pyesja në emër të gjithë atyre njerëzve që kërkonin orientim. Nevoja më e madhe që ka njeriu është orientimi. Në një kohë që jetojmë në periudhën e influencuesve të Instagramit, ne kemi nevojë për influencuesit tanë të mendimit, që flasin jo vetëm për votën, por për gjithçka që ndodh, për atë që i përket kombit, jo vetëm shtëpisë tënde, dollapit apo gardërobës tënde . Në momente të tilla ka njerëz që ngrihen mbi veten, ngrihen mbi moshën, që ngrihen mbi çdo nevojë personale dhe flasin. Flasin sepse shohin më shumë se ti, më larg se ti, se kanë eksperiencë më shumë se ti, sepse kanë pasion më shumë se ti, sepse kanë studiuar ata që e kanë zhvilluar dhe ndriçuar këtë vend më shumë se ti. Këtë ka bërë profesor Rexhep Qosja. Akademik Qosja ka pasuruar sjelljen në shqip të rilindësve dhe i ka treguar në të gjitha ngjyrat, ata që nuk do të vinin deri te ne, po mos ishte ai. Mos të hedhim baltë mbi llambën që na bën dritë, kur ecim në errësirë. Ne kemi hyrë në një vit me zgjedhje, me probleme globale, me tërmete politike dhe fizike. Dhe në këto kohë duhet ta kthejmë vëmendjen jo vetëm nga influencuesit e Instagramit, por nga influencuesit e mendimit politik, patriotik dhe mbarëshqiptar dhe ata janë të rrallë. Rexhep Qosja është i rrallë ndër të rrallët, ai është rilindësi ynë i fundit. Prandaj unë i përulem mendimit të tij.”, tha gazetarja Rudina Xhunga./dritare.net