Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekskluzive/ Zenel Laci, emigranti shqiptar që dikur shiste patate të skuqura, pushton teatrot e Brukselit me historinë e tij

Ekskluzive/ Zenel Laci, emigranti shqiptar që dikur shiste patate të
Nga Jonida Hitoveizi

Ai mund të quhet pa frikë emigranti shqiptar më i famshëm në Bruksel, i cili për 16 vite ka punuar në dyqanin e familjes së tij ku shiste patate të skuqura. Zenel Laci sot vjen në dritare.net në një rrëfim të pabesueshëm të historisë së tij familjare dhe personale. Lindur në Bruksel nga prindër shqiptarë, të arratisur nga vendi gjatë regjimit komunist, Zenel e gjen veten qysh në moshën 16 vjeçare duke punuar në biznesin e familjes; një dyqan ku shisin patate të skuqura në qendër të Bruskselit. Që aty nis gjithçka; nga arratisja e Zenelit në botën e librave, tek historitë plot rrezik e joshje që ofronte nata e një qendre të dhunshme e të populluar nga shumë kombësi si ajo e Brukselit, tek kërshëria e bisedave me klientë të veçantë, si ajo e Valencias, prostitutës që është pjesë e shfaqjes në teatrin "De Poche". Jeta e emigrantit, e familjes shqiptare rrëfehet me humor e ironi, ndërsa Zenel Laci ka shkruar dhe ka vënë vet në skenë historinë e tij, që në fakt është historia e çdo emigranti. Edhe pse jo të gjithë emigrantët munden të jenë “aktor” të jetës së tyre, si Zenel Laci.

Dritare.net:  Zenel shfaqja juaj “Fritland” ka korrur mjaft sukses në Bruksel. Si erdhi ideja për të shkruar dhe vënë në skenë një pjesë të tillë?

Drejtori i teatrit “De Poche” të Brukselit, Olivier Blin, i cili më njihte dhe kishte dëgjuar për historinë time më tha se ishte i gatshëm ta vendoste në skenë skenarin e saj me kusht që unë të luaja vet rolin tim.

Unë kam filluar të shkruaj në moshën 14-vjeçare pikërisht në “Fritland” kur punoja gjatë natës. Do të thotë, që në atë moshë shkruaja historinë e familjes sime, historinë e klientëve… Ndaj kur Olivier Blin ma kërkoi materialin, unë e kisha të gatshëm. Ndërkohë drejtori zgjodhi regjisorin e këtij teatri, Denis Lujol me të cilin e adaptuam tekstin brenda gjashtë muajsh.

Dritare.net: Në “Fritland” është jeta juaj, ajo e emigrantit e treguar me mjaft humor dhe ironi. Sa kohë ju është dashur për ta shkruar?

Për ta shkruar tekstin e shfaqjes më janë dashur dy vjet.

Dritare.net: Përse zgjodhët humorin e ironinë për të thënë të vërtetat tuaja dhe jo dramë p.sh?

Për mua ishte shumë me rëndësi që të mos bija në pathos dhe klishe lidhur me imigracionin, por të tregoja pa tabu pjesë jete të një fëmije refugjati shqiptar, veçanërisht përmes humorit. Mendoj se humori është mënyra me universale për të shprehur ndjenjat tona.

Dritare.net: Cila ishte vështirësia më e madhe e të treguarit të jetës suaj një publiku të gjerë?

Vështirësitë ishin të shumta, por më e rëndësishmja ishte ideja që të jem sa më i sinqertë me vetveten dhe publikun. Për mua intimja është më e bukura për ta rrëfyer.

Dritare.net: Ju keni lindur në Belgjikë, po pavarësisht kësaj e keni ndjerë veten emigrant. Ishte i vështirë integrimi edhe për dikë që ishte lindur aty?

Po, sepse jetonim në dy botëra. Shtëpia, ku ne jetonim si në Shqipëri dhe bota e jashtme, Belgjika.

Dritare.net: Çfarë ia vështirëson më shumë jetën një emigranti?

Gjatë kohës sime, vështirësia themelore që përjetoja për t’u integruar në Belgjikë, ishte që belgët nuk e njhnin as Shqipërinë as shqiptarët. Shembull, në shkollën fillore profesori më pat pyetur çfarë origjine kam. Ju pergjigja: Albanais. E ai përsëriti: - Ah, Libanais.

Dritare.net: Sa vjeç ishte babai juaj kur u arratis nga Shqipëria?

Babai im është arratisur nga Shqipëria në vitin 1952. Ai ka qenë 18 vjeç në atë kohë.

 Dritare.net: Kur u vendosët në Bruksel dhe si ka qenë jeta juaj në një qytet ku jetojnë njerëz të kombësive të ndryshme?

Prindërit e mi janë vendosur në Belgjikë më 1963. Ata kanë jetuar 8 vite në kampe refugjatësh në Jugosllavi dhe në Itali. Shpresonin një vizë për në Amerike, që iu është refuzuar. Përfundimisht u pranuan nga Belgjika si refugjatë. Ne Bruksel kemi jetuar në një qytet me imigracion të dendur. Ka qenë e vështirë për prindërit tanë dhe për ne fëmijët të integroheshim, të punojmë, të shkolloheshim dhe të argëtoheshim.

Dritare.net: Fëmijëria juaj duket se ka qenë e vështirë dhe për një kohë të gjatë keni punuar në dyqanin e familjes ku shisnit patate të skuqura. Cila është gjëja më me vlerë që keni mësuar gjatë kësaj kohe?

Prej moshës 14-vjeçe deri në moshën 30 vjeçare kam punuar ne dyqanin e prindërve të mi. Gjëja e vetme që kam mësuar dhe ruajtur me krenari kur punoja në “Fritland” gjatë atyre viteve, është respekti ndaj punës.

Dritare.net: Si shkuat nga djali që skuqte patate tek aktrimi?

 Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem shkrimtar, por kurrë aktor. Një rastësi e lumtur deshi që drejtorit të teatrit De Poche të Brukselit t’i bjerë në dorë skenari im dhe t’i pëlqejë. Ai donte patjetër ta vendosja në skenë, por me të vetmin kusht, që unë të luaja rolin tim.

Dritare.net: Kush ju ka ndihmuar më shumë për të qenë njeriu që jeni sot?

Motra ime Shyret është personi i parë i familjes që ka bër studimet. Ajo ka zgjuar tek unë ndjenjën për letërsi. Natyrisht të gjithe shkrimtarët e letërsisë botërore, ndër ta Ismail Kadare.

Dritare.net: Çfarë ju tregonte babi dhe gjyshi për Shqipërinë?

Ata kanë pasur një nostalgji të madhe për vendin e tyre, që e konsideronin të mbyllur përgjithmonë. Na tregonin plot historira të mrekullueshme lidhur me rininë e tyre në malet e Veriut të Shqipërisë. E këto histori i ëndërroja me ëndje.

Dritare.net: A e keni vizituar ndonjëherë vendin e origjinës së prindërve të tu?

Me rënien e komunizmit me 1990-ën babai im dhe unë kemi shkuar në Shqipëri pas 40 vitesh ekzili për ta vizituar familjen.

Jam kthyer disa herë në Shqipëri, gjithmonë me atë dashuri për këtë vend, që është vendi im i origjinës.

Dritare.net: Qendra e Brukselit dikur ishte e dhunshme,  dhe se klientët tuaj qëllonin shpesh të ishin problematik, si ia keni dalë të mbijetoni?

Në vitet 80–90 nata në qendrën e qytetit të Brukselit ka qenë shumë e dhunshme. Klientët që e frekuentonin lokalin tonë ishin delekuentë, të droguar, prostituta etj. Meqë isha i ri dhe shërbeja vetëm, më duhej të rrahesha për ta mbrojtur lokalin. Ishte tmerr. E për të ikur prej këtij tmerri mbyllesha në vetvete dhe lexoja.

Dritare.net: Çfarë ka të veçantë prostituta nga jeni frymëzuar për Valencia princeshë e botës?

Gjatë atyre viteve kur punoja natën në Fritland kam takuar shumë njerëz të margjinalizuar. Vinte një femër prostitutë, Valencia. Emri i saj i vërtetë ka qenë Vanesa. Ajo tregonte në mënyrë krejtësisht të veçantë takimin me klientët. Më bënte përshtypje të treguarit e saj. Ajo me bindje e konsideronte veten sikur “Nënë Tereza”, duke iu dhënë dashuri njerëzve.

 Dritare.net: Si i shihni sot emigrantët shqiptar në Belëgjikë?

Tani, një pjesë e madhe e imigracionit shqiptarë është integruar mirë në shoqërinë belge. Natyrisht të rinjtë e gjeneratës së dytë apo të tretë të imigracionit vijojnë studimet universitare; mjekë, avokatë, gazetarë, etj.

Dritare.net: Sa të përbashkëta ndjeni se keni me ta?

Për mua lidhja me imigracionin shqiptarë është të përjetuarit e përbashkët. i kuptoj vuajtjet, sfidat…

Dritare.net: Cili është projekti juaj i radhës?

Jam duke shkruar një skenar për “Fritland”, adaptuar për kinema.

 Dritare.net: A do ta sillnit “Fritland” në Tiranë nëse do j’ua ofronin si mundësi?

Drejtori i teatrit “De Poche” dhe vet unë do të ishim shumë të kënaqur të vinim në Shqipëri ta luanim   shfaqjen “Friland”./dritare.net