Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama nga Brukseli: Rruga e vështirë na ka bërë më të fortë

Rama nga Brukseli: Rruga e vështirë na ka bërë më

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për mediat në Bruksel, deklaroi se Shqipëria ka bërë “hapa të jashtëzakonshëm” në procesin e integrimit europian dhe se objektivi i qeverisë është mbyllja e të gjithë grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027.

Rama u ndal tek rrugëtimi i vështirë i viteve të fundit, duke theksuar se periudha kur Bashkimi Europian ishte “i ashpër” me Shqipërinë ka forcuar vendin dhe institucionet e tij. “Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur, ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe ‘grushtat në stomak’, por ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm dhe më të pjekur”, tha ai.

Kryeministri theksoi se ajo që dikur ishte vetëm ëndërr, sot është shndërruar në një plan konkret pune përditë. Ai falënderoi Komisioneren Marta Kos dhe presidencën daneze për mbështetjen e vazhdueshme: “Marta është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.”

Rama vuri në dukje se mbi 90% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa paralajmëroi se procesi kërkon punë të pandërprerë, disiplinë dhe rezultate të prekshme. “Kurrë mos e merr asgjë të mirëqenë në Bruksel. Kur buzëqeshin, shijoje, por mos e merr si të garantuar. Vazhdo puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultate,” tha ai.

Sipas Kryeministrit, Shqipëria del me “krenari dhe përgjegjësi të shtuar” nga faza e parë e negociatave, ndërsa e ardhmja europiane e vendit mbetet angazhimi qendror për qeverinë dhe institucionet./L.F-dritare.net