Rudina Xhunga: Jo çdo gjë është pis në këtë vend. Nëse nuk punon, nuk ke si ta kuptosh vlerën e punës!
Dritare.net
Gazetarja Rudina Xhunga ishte e ftuar sot në rubrikën Opinion në News24. Në fjalën e saj ajo tha se lajmi i përgjimeve të antimafias italiane, që po bën mjaft bujë në vendin tonë, në fakt nuk i shërben askujt. As elektoratit gri, që ende nuk e ka vendosur se për kë do të votojë më 25 prill.
Xhunga tha se ajo që ka më shumë rëndësi tani, është besimi te institucionet, sepse janë ato që bëjnë shtetin. Ajo u shpreh se sot të gjithë na duken pis dhe mafiozë në vendin tonë. Ndonëse kjo nuk është e vërtetë. Më tej ajo tregoi për punën e njerëzve që ajo njeh e takon në rubrikën e saj Shqiptarët e Mrekullueshëm.
“Tani të gjithë na duken mafiozë. Të gjithë na duken pis. Të gjithë ndërtuesit na duken oligarkë. Dhe kjo është fjala më e mirë, por mafiozë është fjala më e keqe. Por jo, kjo nuk është e vërtetë që këto ndërtime pastrojnë para. Por janë paratë e emigrantëve, që kanë blerë dhe nuk vijnë dhe po presin që një ditë të mirë të banojnë. Nuk është e vërtetë që çdo gjë është pis në këtë vend. Shkova në Koplik të bëja një emision për sherbelën dhe pashë një dynja me vila. Dhe i thashë, po këto se çfarë i bëni me sherbelë vërtetë, dhe qesha. Sepse në idenë time, është që i bënin me drogë. Sepse kështu mendojmë të gjithë. Që po ka ndonjë vilë është drogë e prostitucion. Jo moj Rudina më thanë, i bëjmë me sherbelë. Sepse sherbela është 80% e tregut. E shesim në Amerikë. Dhe ishin prodhues vendas, e kanë nisur duke e korrur me dorë sherbelën. Ishin bërë fermerë sot, dhe kanë ngritur fabrika. Dhe ishin njerëz që i kishin bërë me punë e me gjak. Dhe kështu jetonin. Ne nuk kemi respekt për punën. Dhe sa më pak të punosh, aq më pak e kupton vlerën e punës”, u shpreh gazetarja Xhunga./L.F-dritare.net