Një kujtesë për Presidentin e Republikës dhe “sovranistët” shqiptarë!
Dritare.net
Nga Dritan Hila
Deklarata e Ambasadës së SHBA-së dje, nënvizonte pa dykuptimësi se organizatorja e protestave ishte dyshja opozitare Berisha-Meta.
Ka ca kohë që amerikanët nuk përdorin gjuhën diplomatike me ne.
Sot, ambasadorja e Suedisë, një vendi i cili nuk lodhet të kuptojë politikën “e hollë” dhe shqetësimet presidenciale për standardet e demokracisë, bëri të qartë distancimin e tyre nga ky tensionim politik dhe se ishte me zjarrfikësit dhe jo me zjarrvënësit.
Tashmë nuk është sekret se vazhdimësia e protestës për vdekjen e Klodian Rashës është një kauzë e gjetur nga opozita dhe protestuesit janë mbështetës të saj. Deklaratat e dyshes 30-vjeçare të politikës shqiptare Berisha-Meta nuk lënë dyshim për këtë.
Ndërkohë marrja e pozave sovraniste nga këta të dy, synon pikërisht uljen e ndjeshmërisë popullore ndaj ndikimit dhe mendimit të perëndimorëve.
Në këtë kuadër, ndjekës të tyre, mendojnë se ka ardhur koha që Shqipëria të bëhet rishtas fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut. Mbase nuk e kanë keq. Vetëm se përpara se të fusin vendin në spiralen e një konfrontimi me Perëndimin, duhet të kenë parasysh disa gjëra.
Së pari, ky vend merr në formë grantesh, ndihmash, projektesh, kredish të buta të drejtpërdrejta ose tërthorta, rregullim bilanci pagesash, rreth 500-600 milionë euro në vit. Pa këto ndihma, ky vend nuk do të kishte rrugët që ka, ujësjellësit që ka, përpunimin e ujërave të zeza, etj. Pa oksigjenin e Perëndimit, treçereku i Tiranës që mbahet me projektet e përfaqësive të huaja, do të mbetej pa punë.
Së dyti, Perëndimi është garant i qenies sonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Jo vetëm i pavarësisë sonë. Falë tyre ne kemi çlirimin dhe garancinë e Pavarësisë së Kosovës; të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe emancipimin tonë si komb.
Së treti, falë politikave të tyre, 1.5 milionë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Perëndim, duke qenë një burim i pazëvendësueshëm të ardhurash për vendin.
Së katërti, falë kulturës së tyre, ne kemi filluar të përvetësojmë konceptet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ku ende konceptet tona janë bazike.
Mirëpo ndjekësit e flaktë të opozitës, ka filluar t'i bezdisë ky qëndrim i perëndimorëve. Mendojnë se janë pjekur tamam për t'i dhënë, madje, mend edhe vetë Perëndimit në këtë fushë. Ngjan pak si thënia e urtë që “T'i tregosh stambolliut sa xhami ka Stambolli." Por këta jemi ne.
Berisha dhe Meta, mendojnë që në këtë mënyrë të konkurrojnë edhe Enver Hoxhën për jetëgjatësi politike (u duhet edhe dhjetë vjet ta barazojnë). Nuk është e kuptueshme pse shqiptarët duhet të prishen me Perëndimin pse Meta dhe Berisha kanë frikë burgun. Gjithsesi, kush mendon dhe e ka marrë malli të kthehet edhe njëherë në vitet ‘90-të kur ishim bërë bojë hiri nga shëllira dhe mendon se me Berishën dhe Metën në krye, mund t’ia dalin aty ku nuk ia doli Hoxha, le ta vazhdojnë këtë rrugë se mbase shumica e shqiptarëve i voton.
Vetëm se duhet të marrin parasysh se mjafton pak, shumë pak, që një vend me GDP sa një lagje e Milanos të gjunjëzohet. Mjafton mbyllja e rubinetit për bilanc pagesash, apo frenim grantesh, dhe brenda gjashtë muajsh të jemi sërish në ditë të hallit. Nëse “elitat” e Tiranës që paguhen në borderotë e Berishës dhe Metës, mendojnë se janë shumë vasalë nga Perëndimi, le të vazhdojnë në argumentet e tyre sovraniste, vetëm se puna është që shqiptarët kanë hallin e vizave dhe lëvizjes së lirë. Nëse dikush mendon se me lumpenin në rrugët e Tiranës, mund t'i mponohet Perëndimit në axhendat e veta, gabon. Do te na lënë të skuqemi me dhjamin tonë. E nëse mendojnë se mund të destabilizojnë rajonin, duhet të kujtojnë ‘97-ën dhe llogaritë bankare që kanë jashtë./dritare.net