Na ndiqni edhe në

Editorial

Kur aktori ndryshon regjisor!

Kur aktori ndryshon regjisor!

Nga Dritan Hila

Procesi bitisi ashtu si nisi: gallatë. Rama ia doli që pa pasur nevoje të investohet, t’i telendisë opozitarët. U nxori topin dhe opozitarët në vend ta gjuanin u nisen ta shqyenin.

Nuk zhgënjeu Berisha, i cili kur niset të telendisë një proces, e bën helaq tamam. U duk qysh se u tall me kandidatin që zgjodhi (të njëjtën pati bërë edhe me Këlliçin që pasi e zgjodhi, e tallte për ngjyrën e lëkurës), duke thënë që Tirana ka njeriun që duhet. Të vendosësh një aktor modest për të qeverisur metropolin e vendit, motorin ekonomik dhe qendrën më të ndërlikuar të marrëdhënieve të grupeve të interesit, me një njeri eksperienca e të cilit është disa role sipërfaqësore, është të tallesh me të gjithë: Me kandidatin, me ata që i gënjeu mendja dhe u veteofruan, me aleatët dhe me procesin.

Kuptohet që pas kësaj, nuk ka më garë. Nëse do citonim Florjanin në një nga parodizimet e tij, Rama nuk ka nevojë të kërkojë vota se ato ia jep vetë opozita.

Në rrjet ka një keqkuptim të madh, ku shumë prej tyre e konceptojnë politikën punë likesh. Në fakt rrjetet sociale janë vetëm punë gallate. Ti mund të marrësh like dhe komente por nuk merr vota. Politika është kontakt me njerëzit, koordinim interesash, grupe biznesi që duan perspektiva dhe garanci, kanale lidhje mes votuesit dhe të votuarit. Këto janë vetëm disa mes shumë të tjerave që e bëjnë politikën art që nuk ka lidhje me skenën por me prapaskenën.

Dhe për t’u ndalur me disa rreshta te kandidati, keqardhje për përdorimin e pamëshirshëm që i ka bërë Berisha. Djali nuk ka asnjë eksperiencë politike. Nuk është një Bepe Grillo i cili pas kuintave të skenës, ka pasur një debutim dekadash tek e majta italiane dhe as George Carlin që në thelb ka qenë një filozof popullor kontravers. Floriani mbahet mend për rolin e policit, imtimin e Ramës dhe të periodizimit të filmave shqiptarë, të cilat për hir të së vërtetës nuk i bënte keq. Por atëherë kishte edhe regjisor të zot. Këtë radhë ka zgjedhur një regjisor mizerabël./dritare.net