Nga Dritan Hila
Pas fushatës elektorale ku Vuçiç rishtas fitoi, Serbia është përfshirë në trazira politike lidhur me rregullsinë e zgjedhjeve, ku kemi një qasje të butë të perëndimit ndaj udhëheqësit që tashmë po konkurron Milosheviç në jetëgjatësi.
Edhe këtë radhë në fushatë nuk mungoi gjuha nacionaliste e Vuçiç për Kosovën. Por ajo që bën dallim është një qasje e egër e tij përpara zgjedhjeve, kurse pas zgjedhjeve ai përdor gjuhën e pëllumbit duke theksuar se jemi përballë presionit perëndimor për njohjen e Kosovës.
Kjo tezë e tij ia del të funksionojë në dy plane: I tregon perëndimit që unë jam gati për kompromis por kam presion nga brenda dhe ndërkohë përgatit opinionin e brendshëm për lëshimet që ndoshta do t’i duhet të bëjë.
Arsyeja e parë e ndihmon të fitojë kohë në Perëndim, të shfaqet si i vetmi që është interlokutor i besueshëm dhe mbi të gjitha të ruajë pushtetin e tij.
Por në fund nuk mund të mohohet se sot për sot Vuçiç është i vetmi kalë ku Perëndimi ka vënë bastin dhe kjo me shpresën se do ta largojë Serbinë nga Rusia dhe do të njohë de fakto Kosovën.
A mund të ndodhë kjo?
Është një pyetje që çdo ditë mund t’i japësh një përgjigje të ndryshme. Vuçiç, për shpirt, nuk e njeh fare Kosovën. Ndërkohë Perëndimi nuk është më aq unik në qëndrimet e tij ndaj Kosovës, por ajo është një patate e nxehtë që i ka mbetur në dorë dhe të cilës duhet t’i japë zgjidhje. Rrjedhimisht do të bëjë presion për njohje.
A do ta mbajë Vuçiç këtë presion?
Vuçiç do të rezistojë derisa Perëndimi t’ia bëjë të qartë që refuzimi i avancimit të agjendës kosovare do t’i rrezikonte pushtetin dhe si rrjedhojë paraqitjen në Tribunalin e Hagës. Deri atëherë Vuçiç do përpiqet të ecë në telin e hollë ku nuk ia doli dot të ecte Milosheviç. Por përpara pushtetit, Vuçiçit nuk i duhet as Kosova. Është natyra që pushtetin e ka afrodiziak dhe arsye të qenies së tij.
Me siguri që njohja e zgjedhjeve serbe nga Perëndimi nuk do bëhet pa kushte. Kurse njohja e Kosovës nga Serbia herë do kalojë në akte deklarative dhe herë në ato të heshtura siç ishin njohja e targave. Do jetë një proces i gjatë ku Serbia do përpiqet të marrë maksimumin e lëshimeve nga Perëndimi kurse Vuçiç maksimumin e kohës në pushtet. E rëndësishme është që në këtë kalvar Kosova mos të humbasë më shumë nga sa ka humbur./dritare.net