Na ndiqni edhe në

Editorial

Edi Rama kapitalizoi fuqinë e shqiptarëve në Athinë!

Edi Rama kapitalizoi fuqinë e shqiptarëve në Athinë!

Nga Rudina Xhunga

Për herë të parë në Greqi, shkova pas ‘97-ës. Zhurmat e punimeve në ndërtimin e një pallati, përballë kafes ku u ula, më ngjanë melodi për veshët. Unë vija nga lufta. Athina ishte parajsa. E bukura e dheut. Po pse këta, çfarë kanë më shumë se ne? I shikoja me radhë në autobusin urban e nuk e shpjegoja dot.

Pastaj radha në aeroport. Avioni u mbush, nuk kishte vend për të gjithë. Radhët me gra e burra Shqipërie, të varfër, të dëshpëruar. Nuk kishte vend në avion. Një grua kthehej me arkivolin e fëmijës. Unë mbeta aty. Më mori në shtëpi një ikonë e televizionit, dikur, emigruar pasi mbeti pa punë. Ajo komoja e gruas së tij, bosh, m’i tha të gjitha. Ata ishin yjet tanë në mërgim.

Athina shkëlqente dhe ata ishin aty si mijëra ne, për t’i shërbyer atij shkëlqimi. I kam intervistuar këto 30 vjet, qindra-mijëra emigrantë në Greqi. Kam qenë me dhjetëra herë, në çdo qytet, çdo fshat. Nga Filati në Evron greke, nga Parga në Artë, Selanik e Paramithi. Shqiptarët janë kudo. Të hershëm e të rinj. Kam intervistuar Odisenë, të parin e klasës se Selanikut që nuk e lanë të ngrejë flamurin se ishte shqiptar, jo grek. Kam intervistuar ata që u rrahën, poshtëruan, që u fshehën dhe u rrëzuan maleve që na ndajnë nga Greqia. Kam intervistuar familjen e Ilirit që mori peng autobusin se nuk i dhanë rrogën. Dhe e vranë. Familjen e Gramozit që festoi golin. Dhe e vranë. Sepse ne nuk mund të kërkonim, as festonim. Ne shërbenim, ne punonim. Kaluan 30 vjet, mbijetesë. Ato janë një çast në historinë e një vendi. Por janë një jetë në historinë e një njeriu. Këtë moment gjeti kryeministri shqiptar Edi Rama të shkojë në Athinë, për të takuar njerëzit tanë që mbijetuan.

T’i shikoje dje në atë pallat sporti, të veshur me kostume popullore, të mbuluar me flamuj dhe të mbërthyer në entuziazëm, të kapte emocioni për gryke e nuk të lëshonte.

Sepse pas 33 vjetësh u bënë bashkë, pa frikën që ka qene shoqëruesja më besnike e jetës në Greqi për një shqiptar.

U bënë bashkë kuq e zi. U bënë bashkë jo domosdoshmërish socialistë, ishin të të gjitha moshave, gjinive, ishin të ikur hershëm dhe të lindur atje. Gjetën zërin dhe shpërthyen.

Edi Rama gjeti momentin e duhur, fjalët e duhura për t’u thënë shqiptarëve në Greqi çfarë force kanë tani. Nuk ka fshesa që t’i fshijë më. Ata janë Greqia. Ata ia dolën. Dhe kryeministri tyre u ul në gjunjë, siç i ulet njeriu-njeriut që vuajti, që mbijetoi bashkë me shqipen, bashkë me flamurin, bashkë me krenarinë për Shqipërinë.

Politikisht Rama ishte dje i pari që futi në treg forcën e 500 mijë shqiptarëve në Greqi duke i vetëdijesuar për fuqinë që kanë bashkë dhe faktin që tani nuk ka më kthim pas, ca afendikonj e ca skllevër.

Diplomatikisht Edi Rama luajti në sulm dhe në skuadër, duke bërë bashkë blu e mavi në një slogan; Ne jemi kuq e zi. Ky është hapi ynë i parë i bashkimit dhe vetëdijes kombëtare, përballë një kryeqyteti evropian, ku shqiptarët janë përçmuar më shumë se kudo gjetke. Pas këtij hapi të guximshëm dhe të pamundur, deri me sot, gjithçka tjetër do jetë kronikë.

Shqiptarët në Greqi do i ndajnë historitë me shpjegimin kohor, para dhe pas mitingut kuq e zi në Athinë./dritare.net