
Nga Dritan Hila
Sot Berisha ka shpallur koalicionin për ndryshimin e Shqipërisë, përmbysjen e diktaturës së Ramës, dhënien fund të narkoregjimit.
Nuk mungon asnjë kolorit në atë koalicion, që nga liridashësit e telikosur të Metës, fetarët e përdëllyer kristianë që kanë nja 3-4 parti, ato arkaike si Gjuzi, gaztore si Jenisheri, vorio-epiriote të nevrikosur si Dule, çam i çngjyrosur si Idrizi, e të tjera që nuk u mbahet mend emri, me anëtarësi as sa fisi i tyre, por që kryetarët i nxjerrin nga xhepi sa herë ka zgjedhje. Janë i njëjti koalicion që bëri Lulzim Basha në 2017-ën dhe për të cilin më vonë e shanë pasi kur u tërhoq PD&LSI-ja nga Parlamenti (ec e besoje sot se ishte vullneti i Bashës dalja nga kuvendi) nuk lanë gjë pa u thënë, pa i nëmur e pa i tallur, a thua se ua kishte dhënë Rama me zor në listë. Sot i marrin prapë, me shpresë se kanë shtuar në numra e në peshë. Shpresojnë të fitojnë në 11 maj, megjithëse sot janë 8 vjet më të plakur e më të tallur. Kur nuk fituan me një 40-vjeçar, besojnë të fitojnë me një 80-vjeçar!
Në gjithë këtë mishmash, mes një konglomerati partish me emra nga më arkaikët e deri te më ekzotikët, mungon e vetmja që mund t’i prishte punë Ramës, socialdemokratja e Tom Doshit. Dhe kjo armatë Brankaleone siç do ta quante Mario Monicelli apo e vullnetmirëve si e quajti Bushi koalicionin e tij me ca ishuj të humbur në oqeane si ato Palau etj, e ku bënim pjesë modestish edhe ne me qërues patatesh, ndërsa i binte Irakut, ky koalicion pleqsh e të lajthiturish, do rrëzojnë Ramën!
E gjitha të kujton barsoletën e dy policëve që po shikonin në kinema një film ku ishte një garë mes një kali të zi e një të bardhi.
-E vëmë me bast se fiton i bardhi, e pyet polici i parë të dytin.
-Ok, unë po e vë për të ziun, ia kthen i dyti. Në fund fiton i bardhi. Më fal, i thotë rishtas polici i parë të dytit, ta hodha, pasi unë e kisha parë filmin edhe dje. Edhe unë e kisha parë, ia ktheu i dyti, se bashkë ishim, por sot m’u duk më në formë kali i zi.
Në fakt është barsolete e vjetër, sikurse Berisha, sikurse koalicioni, sikurse rezultati i tij që është po aq i vjetër si barsoleta e që akoma nuk vënë mend. Kushedi, thonë, mbase bëhemi edhe njëherë dhëndurë! Kush e mendonte që do ndodhte në 2019-ën që do bëheshim deputetë, megjithëse askush nuk na merrte seriozisht as në lagje./dritare.net

















