
E shkuara kriminale e lazaratasit që u përlesh me policinë te Zogu i Zi
Dritare.net

Bako Buzheri është personi i cili u arrestua sot nga Policia e Shtetit në zonën e Zogut të Zi në kryeqytet, i cili ka kundërshtuar efektivët gjatë momenteve të ndalimit.
Mësohet se policia ka qëlluar me armë zjarri në ajër gjatë momenteve të arrestimit të tij, sepse i kërkuari kishte qëlluar me grusht një nga efektivët dhe kishte tentuar të largohej.
Personi i ndaluar Bako Buzheri ka qenë i dënuar me 23 vite burg por ishte liruar nga Apeli. Të arrestuarit, iu gjet edhe një sasi hashashi me vete.
Kush është Bako Buzheri?
Ai është njëri nga shtatë lazaratasit që u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se kanë rrëmbyer e mbajtur peng katër persona me të cilët kanë pasur konflikt për çështje droge.
Ngjarja ka ndodhur më 3 mars 2012 në Gjirokastër e Lazarat. Për shtatë personat, nga Gjykata është vendosur masa e sigurisë arrest me burg, por prangosja e tyre nuk ka qenë e mundur.
Atëhere kishte dyshime se të akuzuarit qëndronin brenda në Lazarat dhe policia nuk ka arritur t’i ndalojë. Sipas Prokurorisë, personat e rrëmbyer në Gjirokastër dhe të mbajtur peng në një shtëpi të boshatisur në Lazarat, janë Ergest Shele, Velo Shele alias Kosta Agora dhe Ergys Goxhaj.
Ata kanë denoncuar fillimisht në Policinë e Gjirokastrës, se më 4 mars 2012 janë rrëmbyer dhe janë keqtrajtuar fizikisht nga grupi i Lazaratit, pasi shtatë të kërkuarit dyshonin se të rrëmbyerit kishin vjedhur lëndën narkotike.

















