
Vdekja e efektivit të Rrugores Allaman Dervishi, i vëllai rrëfen ngjarjen
Dritare.net

Vëllai i tij, Bilbili, edhe ai një oficer karriere në Policinë e Shtetit, rrëfen momentet kur Allamani është përballur me personat e armatosur që ndodheshin në mjetin e ndaluar.
“Ata ishin ndaluar. Autorët kishin nxjerrë dokument se ishin të Gardës. Në atë moment policët shkujdesen, kur shohin se ishin të Gardës. Në atë moment, pasagjeri del nga makina dhe qëllon drejtpërdrejt me 4 plumba, e vëllai pëson goditje të rëndë. Thuajse vdiq aty”, tha Bilbil Dervishi, i vëllai.
Pas krimit, dy autorët largohen me shpejtësi nga vendngjarja.
“Ata janë arrestuar vetëm pas 4 orësh, janë dënuar”, tha Bilbil Dervishi.
Në grahmat e fundit të jetës së tij, Allaman Dervishi shënon targën e mjetit ku ndodheshin autorët e krimit.
Sot, teksa analizon ngjarjen dhe veprimet që i paraprinë, vëllai i dëshmorit ka disa rezerva dhe thotë se angazhimi i Patrullës së Policisë Rrugore për atë operacion ishte një gabim i rëndë.
“Gabimi ishte se salla operative e Durrësit njoftoi direkt atë të Policisë Rrugore, duke shkelur procedurat. Policia Rrugore kishte dhënë targën e personave të armatosur. Nuk ishin marrë masat që duheshin marrë”, tha i vëllai.
Beteja me krimin ka sjellë drama të forta njerëzore ndër vite, në radhët e familjeve të uniformave blu. Sakrifica e tyre sublime, jo vetëm që nuk është shpërblyer, por familjet e tyre ndihen të braktisura./Top Channel

















