
Ditari Editit/ Krishtlindje në kroçierë
Dritare.net

Dita 1: Saarbrücken-Mynih
Kjo ditë ishte udhëtim për në aeroportin e Mynihut nga ku morëm avionin për në Las Palmas, Gran Canaria.
Meqë fluturimi ishte herët në mëngjes, vendosëm që të kalonim një natë në Mynih. Zgjodhëm një hotel të lirë përmes Booking.com, afër aeroportit. Mynihun e gjetëm me dëborë dhe, pavarësisht lodhjes, ishte kënaqësi të përkëdhelesha nga flokët e dëborës, ndërkohë që prisnim për trenin, apo tramin e radhës.
Ushqyerja: Gjatë rrugës Saarbrücken-Mynih hëngrëm ushqimet e përgatitura për rrugë që në shtëpi (cookies vegane, arra shqeme dhe speca të kuq). Në darkë porositëm një party pica, se na kishte marrë uria, edhe pse pjesën më të madhe të ditës e kishim kaluar ulur duke vegjetuar në tren.
Dita 2: Mynih-Las Palmas de Gran Canaria
Pas dushit të mëngjesit dhe rregullimit të dhomës (nuk lë dot shtëpinë/hotelin pa rregulluar krevatin, edhe nëse e di që do bëhem vonë) u nisëm për në aeroport.
Pas boarding duhet të prisnim rreth një orë që të pastroheshin krahët e avionit nga dëbora, në mënyrë që fluturimi të ishte i sigurtë (të paktën për sa i përket faktorëve të kontrollueshëm). Udhëtimi zgjati 4 orë dhe Concord nuk ofronte as pije dhe as ushqim falas, gjë që më la shumë përshtypje, jo shumë pozitive le të themi. Ndërkohë që stuartët e stuardesat parakalonin çdo 15 minuta me oferta nga më të ndryshmet, që kishin lidhje me ushqimin, apo shitjen e materialeve të tjera në bord. Marketing - Sa e urrej këtë strategji të çfarëdolloj kompanie, kur e kalon masën!!!
Më në fund mbërritëm dhe klima ishte goxha ndryshe, krahasuar me Gjermaninë. 20 gradë dhe erë. Kudo kishte personel nga anija (AidaSol) që ne të udhëzoheshim për të marrë autobusin që do na dërgonte në port, ku ishte ankoruar anija.
Bagazhi do transportohej direkt nga autobusi në kabinë nga personeli i anijes. Rruga aeroport-port zgjati 20-25 minuta dhe autobusi ishte shumë i pastër e i rehatshëm.
Më bëri përshtypje ndërtimi pa plan në ishull (më ngjau pak me qytetet bregdetare në Shqipëri) dhe mungesa e vegjetacionit. Shikoje vetëm palma, tokë të thatë e djerrë, pa bimësi, dhe sera, shumë sera. Ndërkohë gjatë rrugës kishte masive shkëmbore mbresëlënëse, por të pasiguruar me rrjetë (që do të thotë rrezikshmëri për udhëtuesit me makina - dhe kjo një tjetër ngjashmëri me Shqipërinë).
Pas mbërritjes në port bëmë checkin-in, skanim të fytyrës dhe qytetarët jo gjermanë ishin të lutur të linin pasaportat në recepsion. Duhet thënë që kjo anije është e projektuar për turistë gjermanë.
Kabina jonë ishte në bishtin e anijes në katin e 6 dhe me ballkon. (AidaSol ka 12 kate dhe katet e fundit janë të rezervuara për pishina, sauna, fusha volejbolli e basketbolli, restorante, palestër.
Hëngrëm darkë në një nga restorantet e përfshira në pagesën fillestare. Ushqimi ishte me bufet ku dhe pijet (ujë, çaj, lëngje frutash, birrë dhe verë) ishin të përfshira. Kishte një gamë tepër të gjerë zgjedhjeje për vegjetarianët dhe me pak durim e njohuri gjeje dhe ushqime shumë të shijshme vegane.
Darka vijoi me takime informuese, takimin më të rëndësishëm mbi sigurinë në bord dhe në raste emergjence, show me performues shumë të talentuar dhe në fund lamë portin në 23:00 me Dj. në bord. Lënien e portit e shijuam në kokën e anijes, nga kati i 12, e më pas nga ballkoni i kabinës sonë, domethënë bishti i anijes. Zhurma e dallgëve që krijoheshin nga përplasja e anijes me Atlantikun, shoqëruar me dritat e ishullit, të cilit po i largoheshim pak nga pak, ishte shumë qetësuese e magjepsëse.
Nuk e fsheh që si natyre që mendon 48574839494 gjëra në minutë, në 2-3 orë, para se të më zinte gjumi imagjinoja çdo skenar në mes të detit dhe ngrihesha të shikoja herë pas here si lëkundej anija, meqë njëra faqe e “murit” ishte pamje e plotë nga deti dhe drita e hënës reflektohej qartazi në dallgë.
I dashur ditar, ditë të mbarë e të shëndetshme, deri në shkrimin e radhës./dritare.net

















