Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Di një vend, në Tiranë, ku të shkosh për piknik

Di një vend, në Tiranë, ku të shkosh për piknik
Nga Fjorda Llukmani

Gjyshen e kam nga Shëngjergji me origjinë dhe shpesh më ka rënë rasti të shkoj për piknik. Me familjen zgjedhim të pushojmë buzë lumit.

Bëjmë zgarë e dëgjojmë muzikë. Xhaja im është ai që merr përsipër shumicën e organizimit. Unë mbledh njerëzit, ai ben pazaret dhe zgarën. Me shumë vonesa (si përherë) nisemi parti- parti,  kur i thonë, disa para e disa mbrapa.

E kishim një ide ku mund të ndalonim për piknik, por ne ndryshojmë mendje dhe në moment të fundit. Koha ishte me re, jo e pastër me diell,, sic do ta dëshironim. Që të shkosh në Shëngjergj, duhet të marrësh rrugën e Dajtit. Para se të shkosh te trau i  Parkut Kombëtar të Dajtit, merr kthesën e vetme djathas. Ndalojmë tek qafa e Priskës ku ndodhet dhe gurorja e famshme me dritaret e ngjyrosura.

Këtu janë xhiruar disa klipe dhe vijnë modele për sete fotografike. Marrim rrugën për poshtë që të çon në Shëngjergj. 

Aty ndodhet dhe një liqen i vogël, i cili vjet në dimër u bë si pistë patinazhi nga ngrica.  Sa më poshtë zbrisnim aq më bukur dukej. Rruga është me kthesa dhe më kujton Llogoranë. Po imagjinoja të isha me motorë, çfarë adrenaline do më jepte.  Grupit tim nuk i pëlqeu ideja e piknikut buzë përroit dhe donin të shkonin tek ujëvara. 

Unë thjesht isha në dijeni të një ujëvare në Shëngjergj, por se ku, si, qysh e tek, nuk dija gjë. Që mos të rrezikonim kot, u them grupit që logjikisht në ujëvarë nuk besoj të ketë vend për piknik. Si eksperimentues që jemi vendosim të provojmë fatin. Marim në telefon një shok nga Tirana që na jep ca koordinata dhe arrijmë ne shtegun e ujëvarës. Kishim shumë rraqe për të mbajtur. Duke filluar nga ushqimet, zgara, batanijet dhe një frigorifer me dorezë të sajuar. Kur e filluam shtegun na u duk i thjeshtë. 

Sa më shumë afroheshim, aq më shumë na dukej që ishte e pamundur të gjeje një vend të përshtatshëm për të shtruar batanijet e piknikut pranë ujëvarës.

Ky shteg zgjat rreth 30 min. Nëse e bën pa ngarkesa është normal për nga vështirësia. Madje ke edhe shenjat e shtigjeve që mos të ngatërrohesh. 

Në një pjesë duhet treguar pak kujdes mos rrëshqet. Zhurmën e ujëvarës e dëgjonim sa më shumë afroheshim. Sapo e pamë me sy të gjithë lamë plaçkat në tokë për ta shijuar. Shkëmbi i ujëvarës duket sikur është i ndarë me vizore dhe ka ngjyrë si lejla. Ato ditë nuk kishte patur reshje shiu prandaj ujëvara rridhte sasi normale.

"Hë more e shikoni që nuk ka vend për piknik këtu",- vazhdoja i thoja unë që doja të shtrihesha diku. E diela për mua duhet kaluar sa më rehat të jetë e mundshme. Boll strese dhe halle kemi gjatë javës, të paktën një ditë të jetë për pushim. "Do e sajojmë një piknik këtu",- ngulmonin ata. Sigurisht nuk kishte asnjë vend ku të rrije rehat nëpër shkëmbinjtë e ujëvarës. Ose ulur ose në këmbë, s'ka zgjidhje tjetër. Që mos të dal kundra rrymës, i futa dhe vetë një mendje të lehtë. 

Ndezëm zgarën dhe zjarrin poshtë ujëvarës. Ndërkohë qe zjarri digjej, uji binte nga sipër shumë pranë nesh. Sa pamje e lezetshme! Dy elementë të kundërt afër njëri tjetrit. Ashtu me siklet nëpër gurë,  luajtëm letra, poqëm mish në zgarë, madje bëmë dhe një mini party me muzikë. Pasi mu servir dreka u ula buzë ujëvarës dhe vetëm e shikoja me sy nga qielli. Qëndruam gjatë megjithëse e pranova me vështirësi për shkak të terrenit të parehatshëm. 

Si ditë e diel, nuk mund të mungonin dhe turistë të tjerë. Ndërkohë që ne qëndronim aty, ata vinin për ta parë, bërë foto dhe ikur. Se di si i shijojnë gjërat kaq shpejt disa njerëz. Unë po nuk e sodita dikë ose diçka për një kohe të gjate, nuk më ngel në memorie, ose nuk më bën përshtypje. Nejse, secili ka mënyrën e tij të shijimit të gjërave. Sigurisht që në fund i mblodhëm të gjitha mbeturinat dhe e lamë ujëvarën siç e gjetëm. 

Në kthim zbritja me ngarkesa na lodhi më pak. Të paktën personalisht më dukej sikur do të rrëshqisja nga momenti në moment. E forta është që në fund të shtegut kur kisha kaluar pjesën më të vështirë dhe isha gati duke ecur ne asfalt, për dreq pengohem dhe bie.

Sa inat më vjen që ndonjëherë ngatërrohem kot me këmbët e mia, aty ku s'ta pret mendja. 

Pikniku dhe mini party në ujëvarën e Shëngjergjit na ngeli në mendje. Shikonim njëri tjetrin dhe mendonim "Ok e bëmë edhe këtë!" Ndalesa për të parë perëndimin u bë përsëri tek gurorja në qafën e Priskës. Me shpresën që herën tjetër do të vizitoj dhe fshatin e Shëngjergjit, e mbylla udhëtimin me përshtypjet më të mira. Çdo fundjavë mësoj se Tirana ia vlen të jetosh. Me njerëzit e duhur në vendet e duhura, edhe këtu mund të kalosh ditë larg monotonisë së përditshme. Dhe cfare ditësh./ dritare.net