
Dhurata Thanasi, gruaja me kaçurrela që promovon më të mirën tonë!
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Rudina Xhunga: Isha duke folur tani me Dhurata Thanasin dhe po më tregonte sesi te ky vendi ku jemi tani, që është një nga vendet më in të Tiranës, ajo dikur linte makinën gjithë frikë nga minjtë.
Dhurata Thanasi: Po ka qenë një moment kur kam pasur një mbledhje në Ministrinë e Brendshme dhe nuk u besova sytë një vit më përpara kur më thirri zonja Toptani, ishte transformuar. Më ka bërë shumë përshtypje.
Rudina Xhunga: Shiko çfarë vendi është tani! Ja kështu ndryshojnë gjërat, papritur. Ndryshojnë dhe janë në dorën tonë. Vendit ku Dhurata linte makinën me frikë të madhe, tani i ka besuar biznesin më të
rëndësishëm të jetës së saj dhe gjithë këta njerëz këtu vërdallë i besojnë paraditet e tyre, kafen, takimet, këtu janë të gjithë. Dhe mua më duken të gjithë të lumtur. Të kam zgjedhur të të intervistoj te “Shqiptarët e mrekullueshëm” në këtë moment sepse tani në shkurt i shoh njerëzit të trishtuar. Me problemet për paratë, për shëndetin, koronavirusin dhe thashë: “Ku të gjej unë një njeri të gëzuar?” Dhe m’u kujtove ti. Të ndesha në fakt dhe thashë, vetëm Dhurata mund të ma bëjë këtë të diel të parë të marsit të mbarë. Prandaj të doja në emision. Me shumë kënaqësi.
Dhurata Thanasi: Shumë kënaqësi që takohemi pas kaq shumë vitesh. Ne jemi shoqe të moçme, më bëhet shumë qejfi. Po është ditë e bukur sot. Sa herë që është ditë me diell, Kalaja e Tiranës mbushet më shumë nga sa ka kapacitet. Është një vend ku vijnë që nga të rinjtë, trendi i Tiranës, e deri te çunat e gocat nga Kosova, që bëjnë videoklipe, nënat, gjyshet, i sheh të gjithë këtu. Edhe politikanët ndonjëherë, sepse kemi Parlamentin pranë. Na vjen dhe PD-ja dhe PS-ja. Shyqyr Zotit i shohim bashkë dhe na japin shpresë.
Rudina Xhunga: Mua shpresë nuk më japin ata. Ata janë të ndërrueshëm dhe të riciklueshëm. Mua shpresë më japin këto çajet këtu, lugët, lulet. Kjo është livanda?
Dhurata Thanasi: Kjo është livanda e Shëngjergjit dhe e Reçit, e zonës së Malësisë së Madhe, por edhe e Tiranës. Sepse Tirana ka shumë livandë. Dhe zonja që e bën këtë është Silva Subashi, e ka branduar shumë bukur, në mënyrë shumë ekologjike. Në vend që të marrim ato lulet false,
ku ka më bukur sesa lëndinat tona.
Rudina Xhunga: Kjo është e bukura e Shqipërisë
dhe jotja. U ktheve, në vitrinë për të gjitha këto biznese. Malet e kishin livandën, por në momentin që dikush nuk e tregon, nuk e brandon, ajo nuk ekziston. Tregon një histori. Ti e ke treguar historinë e tyre. E ke treguar bukur.
Dhurata Thanasi: Ka qëllua me një element shumë të thjeshtë, sepse unë e adhuroj ullirin. Është ndër pemët më të lashta të kësaj toke. Sot më doli në Instagram një event që e kam bërë 4 vjet më parë me shoqërinë time. I çova në piknik në një ditë si kjo, me diell, në kodrat e Marikajt dhe u tregova që ullirit nuk i lihet asgjë. Që nga rrënjët e deri të kokrra, janë të shfrytëzueshëm. E dinin si dru, por e rëndësishme është edhe gjethja, që është çaji më i mirë.
Rudina Xhunga: Çaj me gjethe ulliri?
Dhurata Thanasi: Është një mrekulli për tensionin, diabetin. Por nuk i njohin, duhet të lexosh për këto gjëra. Që në Romën e Lashtë janë përdorur. Ulliri jo vetëm kokrrën dhe drurin që i mbajnë, por edhe bërthamën, sepse bëhet tullë. Nuk i lihet asgjë ullirit. Ne arritëm ta nxjerrim si produkt dhe të ndihmojmë edhe fermerët, duke u treguar se edhe gjethet po të thahen mirë mund të bëjnë një çaj të mrekullueshëm dhe për ta është një e mirë materiale.
Rudina Xhunga: Nuk e kanë fitimin vetëm te vaji?
Dhurata Thanasi: Ulliri nuk është vetëm vaj, është gjithçka, është jetë. Rudina Xhunga: Dhe të mendosh që ne kemi ullinj, kemi diell, toka, i kemi të gjitha. I kemi të gjitha për të na mbajtur në Shqipëri. Kur isha me Altinin e Mrizit të Zanave, këtë përdora si logo: “Rri në Shqipëri, rri në shtëpi!”.
Dhurata Thanasi: Altini është idhulli im, unë e adhuroj. E kam vëllanë e madh, në kuptimin e
profesionit. E kam vëlla të madh në profesion. E dua shumë dhe me njerëz si Altini dhe të tjerë si ai, mendoj që duhet të rrimë në Shqipëri, duhet ta mbajmë vendin tonë. Me të mirat e të këqijat e veta, por duhet ta mbajmë.
Rudina Xhunga: Ne nuk kemi Atdhe tjetër. Prandaj ne te “Shqiptarët e mrekullueshëm” kemi promovuar ata që na e kanë bërë Shqipërinë
të ngjajë e mrekullueshme dhe të bëhet e mrekullueshme. Sepse po nuk e tregove, po nuk e brandove, siç është Luga e Argjendtë, që është brandi i Dhurata Thanasit, nuk ka prodhuar, por ka provuar. Është luga që i provon të gjitha dhe ajo është vitrina më
e mirë e Made in Albania, bëjë shqip, thuaje shqip. Këtë ke bërë ti dhe
e ke bërë në mënyrë të shkëlqyer. Unë vij te kjo zona, kaloj, por për të ngrënë shkoj te Dhurata. Jo se vij përditë, por kur qëlloj. Kur më hahet një gjë shqip dhe dua të besoj do të ha trahana të mirë, vij te ti. Kur dua të provoj qifqitë e Gjirokastrës, që më pëlqejnë shumë, vij te ti. Kjo është shqipja jote.
Po ti ç’lidhje kishe me kuzhinën që e bëre këtë gjë?
Dhurata Thanasi: Janë ato lidhjet e fëmijërisë. Unë jam mbesa e një zonje, gjyshes sime që nuk e lë pa përmendur asnjëherë, është bërë klishe tashmë, e ka pasur pasion gatimin. Aso kohe kur ne nuk kishim shumë gjëra përsa i përket recetave, dhe përditshmërisë sonë, ajo krijonte. Nga ajo e mora gjithë pasionin e madh. Kishte pasion për çdo gjë që bënte, kjo trashëgohet. Ndoshta kam qenë në momentin
e duhur, në vendin e duhur, që shumë gjëra rreth meje kanë funksionuar dhe janë lidhur ngjarjet njëra pas tjetrës, që jo vetëm ushqimi dhe gatimi, por ka qenë edhe lajtmotivi. Sepse unë pëlqej natyrën dhe është e vështirë për një njeri që pëlqen natyrën, të mos ta përkthejë atë në ushqim.
Rudina Xhunga: Njerëzit që janë si Dhurata, mbase nuk bërtasin. Ju mbase nuk e njihni, nuk e dini, që kjo është Luga e Argjendtë, sepse edhe në dizajn ajo nuk bërtet. Është shumë e thjeshtë. Madje ti ngatërrohesh kur futesh këtu. Futesh këtu dhe nuk të dilet më pastaj. Sepse futesh në: Bëje shqip! Unë këtu dua të hyj tani, në kuzhinë jo. Besoj se ti nuk hyn në kuzhinë?
Dhurata Thanasi: Unë hyj në kuzhinë sepse s’më rrihet dhe shefi më nxjerr me shqelma. Nuk rri dot, kur hyj te Luga e Argjendtë dhe shefi më thotë: “Dhurata boll ndenje këtu!” Më pëlqen të fus duart në atë që bëj, ose të kontrolloj gjatë ditë. Kur kthehem nga shërbimet dhe sjell një produkt të ri i them shefit: “Si do ta bëjmë sot, si ta stisim që ta sjellim në një mënyrë edhe të pranueshme nga njerëzit, por edhe estetike, dhe të shijshme.”
Këtu te Luga është postulate, produkti duhet të jetë shqiptar. Përveç sheqerit dhe kafes që nuk janë nga toka jonë, të gjitha janë shqiptare. Nuk ka dyshim për këtë.
Rudina Xhunga: Ama bërjen e kafes e keni shqiptare?
Dhurata Thanasi: Kafenë po. E bëjmë vetë ekspresin, por kemi gjetur një shtëpi kafeje shqiptare, një shtëpi e vogël kafeje. Nuk kemi vajtur te këto të mëdhatë, sepse kanë mundësi. Thamë që këta të vegjlit nuk kanë mundësi dhe kjo është shtëpia e të vegjëlve, është shtëpia e atyre që nuk e kanë mundësinë.
Rudina Xhunga: Kjo është shtëpia e të vegjëlve, që ka një derë të madhe ama.
Pjesa e dytë, ulur jashtë Lugës së Argjendtë.
Rudina Xhunga: Kjo është vitrina jote. Këtë e mban si vitrinë të Lugës. Dhurata Thanasi: Këtë tavolinën e kemi sjellë së fundmi. Është shqip. (Kamerierja sjell kafen në tavolinë)
Rudina Xhunga: Ja dhe kafja e mirëseardhjes! Unë kisha merak dhe thashë: “Me llokume e sjell kafen?”
Dhurata Thanasi: Nuk e kemi me llokume, sepse na thahen, por kemi karamelet Zana.
Rudina Xhunga: Si dukur janë këto?
Dhurata Thanasi: Po, i bën një zotëri që kemi këtu në kala.
Rudina Xhunga: Qenka karamele Rozana.
Dhurata Thanasi: Po Rozana. Sepse karamelet Zana, të vërtetat bëhen vetëm në Shkodër, janë brand.
Rudina Xhunga: Më bën përshtypje që gjërat që provonim dikur na kanë ngelur në mend. Mbase ngaqë ishin pak, ose ngaqë ishin të mira.
Dhurata Thanasi: Këto janë të mira sepse janë bërë me karamel. Kanë mbetur të mira dhe të buta.
Rudina Xhunga: Edhe filxhanët shqiptarë?
Dhurata Thanasi: Filxhanët shqiptarë, na i bën një grua që kemi këtu.
Ja dhe “I love Tirana”, meqë jemi të gjithë nga Tirona këtu.
Rudina Xhunga: Ti në fakt nuk je nga Tirana.
Dhurata Thanasi: Unë me origjinë jam nga Vlora. Edhe pse kemi tri gjenerata në Tiranë, nga Vlora mbetemi. Nga Vlora mbetemi, por që Tirana na ka pranuar me atë zemërgjerësinë
e saj dhe jemi falë Tiranës. Unë e quaj qytetin tim, e adhuroj Tiranën, për shumë gjëra. Por një pjesë e shpirtit mbetet në Vlorë.
Rudina Xhunga: E ke menduar të bësh diçka për Vlorën?
Dhurata Thanasi: Po sigurisht! Unë nuk rend së bëri gjëra sipas mënyrës sime. Edhe këtë vit kemi filluar një projekt me qeverinë gjermane, me të cilën punoj si konsulentë, me Gizin, për të bërë diçka për Vlorën, për të vlerësuar produktet tipike të zonës.
Rudina Xhunga: Unë i mbaj mend të gjitha ëmbëlsirat, glikotë që bënte gjyshja, apo nëna kur isha e vogël, kasatat. Tani në Vlorë, në asnjë restorant nuk shoh ëmbëlsira. Ty të ka bërë përshtypje kjo?
Dhurata Thanasi: Është e vërtetë. Jo vetëm për Vlorën. Unë kur vete në Shkodër, që më qëllon të vete shpejt, shkoj te Turizmi dhe u them: “A keni haxhimakulle, a keni tespixhe?” “Epo s’i do njeri.”, më thonë. Epo a jeni shkodranë more, ato duhet të promovoni. Të paktën ato tri ëmbëlsirat që keni.
Rudina Xhunga: Vetëm Berati i ka ruajtur. Te Tomori kishin MontBlanc. Të helmon aq e ëmbël është, por i bëjnë.
Dhurata Thanasi: Edhe në Krujë vazhdojnë të bëjnë.
Rudina Xhunga: Po në Krujë çfarë bëjnë?
Dhurata Thanasi: Kabuninë e famshme, vazhdojnë ta bëjnë në Krujë. Vete dhe e gjen.
Rudina Xhunga: Po ne në Vlorë kishim shumë. Kishim sultjazhin, hasudenë.
Dhurata Thanasi: Sultjazhin e kemi edhe ne këtu te Luga e Argjendtë. E kemi pak ndryshe se e bëjmë me të pjekur.
Rudina Xhunga: Po revani?
Dhurata Thanasi: Vlora po. Reshedin bënin. Duhet t’i fusim këto, sidomos tani që po bëhet Muradija e vjetër, që ka ndryshuar komplet. Muradija ishte bërë një mrekulli.
Rudina Xhunga: Kjo është ëndrra ime. Të shoh Muradijen plot, siç shoh Kalanë e Tiranës. Dua të provoj atje ëmbëlsirat që bënte Vlora dikur. Ato glikotë vlonjate të papara, të gjyshes sime. Nuk e di çfarë bëjë ti me gliotë e gjyshes tënde, por unë fusja gishtin dhe më ngelej gishti brenda, aq shumë e trashë ishte. Më ka marrë malli të rikthehet. Këtë bën kjo vajza. Ka rikthyer atë kohë në një mënyrë tjetër. Shumë nga shefat e kuzhinës dhe nga njerëzit më të rëndësishëm të kuzhinës
në këtë vend, Fredi
i Rapsodisë, këtë bëjnë. E sjellin në mënyra të tjera. Dhurata Thanasi: Ata janë më elegantë se këtu tek unë. Ne të Luga, mbetemi një elegancë shtëpie. Pra nëse një restorant i jashtëzakonshëm si, Fredit të Rapsodisë, apo shumë shefa të tjerë me emër në Shqipëri bëjnë gjëra shumë më elegante, shumë kuzhinë konceptuale, ne mbetemi te një familje shqiptare që ka evoluar. Që thjerrëzat nuk i bën si një herë e një kohë, por i hedh edhe pak shafran, asaj sallatës i vë ca lule që dalin tani në pranverë. Por që e ha pjatën, pjatë. Ne jemi të ngjashëm si me një taratori italiane, apo një bistro e thjeshtë franceze, ku ti vete ha drekën, apo darkën në një fundjavë, e të kënaqesh. Këto restorante që kanë këtë koncept gastronom dhe gurme, ne nuk i arrijmë dot dhe ata janë me të vërtetë shefa që unë u heq kapelën, jemi më të thjeshtë.
Rudina Xhunga: Këto karriget po më pëlqyekan shumë. Shqiptare edhe këto ëëë?
Dhurata Thanasi: Po shqiptare, i ka prodhuar një djalë në Kosovë.
Ne mundohemi të promovojmë, aq me sa kemi mundësi gjithë artizanët shqiptarë, dhe kur them shqiptarë, po them për të gjitha trevat, në Ballkan.
Rudina Xhunga: Këtë ka
emisioni “Shqiptarët e mrekullueshëm”. Nuk ka fare drojë për të folur për të tjerët. Nuk ka fare drojë për të treguar për artizanë. Shqiptarët e mrekullueshëm njohin njëri-tjetrin, e promovojnë. Këtu ndryshojnë ata nga shqiptarët, jo të mrekullueshëm, ata që bëjnë politikë të keqe në këtë vend, ata që bëjnë ekonomi të keqe, që bëjnë propagandë të keqe. Ata nuk flasin për tjetrin, ata thonë: ”Unë!” ndërsa shqiptarët e mrekullishëm: “Ne”. Janë bashkë, ata zhvillojnë njëri-tjetrin dhe gjithë Shqipërinë. Dhe e bëjnë të dashur vendin. Prandaj unë e bëj me shumë kënaqësi dhe në këtë emision unë kam bashkuar
atë që kam bërë dikur, turizmin me kuzhinën, me historinë, me emisione
të ndryshme në kohëra të ndryshme të Topit, që tani i kam bashkë.
Dhurata Thanasi: Rudina, shpeshherë kur më qëllon të flas për turizmin dhe këto vitet e fundit shumë, kujtoj ato emisionet e tua e para në Theth, ke qenë promotore e këtyre gjërave, e para dhe që atëherë
ndoshta nuk e kanë pasur vëmendjen shumë njerëz për të promovuar turizmin. Do të ishte shumë bukur të ishte promovuar që atë kohë kur ti e para si partizane fillove ta bëje.
Dhe ne të falënderojmë që jemi të këtij sektori. Unë mendoj që forca, qëndron te thuprat, siç thoshte Skënderbeu. Kështu që po të bëhemi bashkë secili prej nesh me atë prurjen e vet, më pak e vështirë do të na duket Shqipëria, më e dashur do të na duket, me më pak probleme. Sepse nuk na
e ka fajin Shqipëria, është faji ynë, për shumë gjëra që bëjmë. Ne duhet ta ruajmë Shqipërinë, ta mbrojmë, ta promovojmë edhe ta nxisim me njëri-tjetrin aq sa kemi mundësi. Edhe të mos na vijë turp fare, edhe për një tokë të lënë djerrë, të cilën mund ta shohim si një potencial për ta kthyer në të mira materiale.
Rudina Xhunga: Ti kur fillove ta tregosh Shqipërinë?
Dhurata Thanasi: Unë fillova ta tregoj Shqipërinë shumë herët, por në mënyrë visherale, nga stomaku në 2012-ën. Sapo isha kthyer në 2011-ën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aty pata ato qasjet
e para për të nxjerrë në pah Shqipërinë tonë, aq sa kishim mundësi. Tani shoh profesorët e mi të vijnë në Shqipëri, punojnë këtu. Kjo është një mrekulli për mua, që ata vijnë sot
e kësaj ditë. Kur erdhën para ca kohësh, e kaluan këtu, profesori i politikës që është nga Venezuela më tha: “Kjo është arritja më e mirë për mua, që s’arrij ta bëj dot në vendin tim.” Të shikojë një studente të laureuar në politikë, që të bëjë këtë. Sepse politika më e mirë është te rrënjët. Është më e mira që mund të bëjmë.
Rudina Xhunga: Vajin e ullirit u njohe profesorëve?
Dhurata Thanasi: Nuk u njoha vajin e ullirit, por u thashë që vaji i ullirit nga Evropa është më i miri nga të gjithë. Dhe shumë gjëra mund t’i ndryshojmë edhe me vajin e ullirit që është eliziri i jetës. Dhe ashtu bëmë. Edhe në shkollën time kemi ndryshuar ca gjëra ne nga Shqipëria. Te mensa e shkollës
gjithë ato, se në Amerikë përdoren
shtesat, thashë: “Pse mos i bëjmë me vaj ulliri dhe limon, bëhen shumë thjeshtë?” Kur erdha në Shqipëri vendosa të bëj këto gjëra të vogla. Rrita vetëbesimin te vetja, te shkolla e djalit tim,
ka qenë te shkollat Montessori, një nga kopshtet dhe shkollat më të mira që kam hasur në jetë dhe ata më mbështetën. Në vend thanë, e bëjmë direkt. S’ka rëndësi që të kesh mbaruar për nutricionist, mjafton të sjellësh diçka që ndryshon jetën e fëmijëve. Sepse për mua është bërë mision tashmë, të punoj me ta. Unë mendoj që nëse fëmijët i edukon që të njohin tokën, ta duan atë, të kuptojnë si vepron ajo në jetët tona, nesër kur do të bëhen politikanë një pjesë e tyre, do të shkruajnë politikat e së ardhmes, do ta kenë dy herë ndër mend para se të bëjnë një VKM, apo VNM, të mirëmenduar për të ardhmen.
Rudina Xhunga: Sepse që aty nis, te fëmija. Nuk ka asnjë mundim të vesh në shkollën e fëmijës tënd dhe të flasësh për tokën, natyrën, ose t’i tregosh ushqimin. E çfarë ndodh? Kjo që ti thua për shijen e vajit të ullirit, unë mbaj mend veten e vogël, në Llogora, kur me merrnin në këto ekskursionet që bëheshin dikur, vajin e ullirit me uthull, në një enë të vogël që
e bënin gati për t’ia hedhur sallatës. Dhe unë kur kaloj atje më duket sikur mban erë vaj ulliri me uthull. Dhurata Thanasi: Dhe erë çaji mali man atje, e rigon. Rudina Xhunga: Ne duhet ta vlerësojmë rigonin dhe produktet tona.
Dhurata Thanasi: Më bëri përshtypje njëherë në Amerikë, vete në një supermarket shumë të njohur, dhe shumë organik, gjeta erëzat shqiptare.
Dhe thashë me vete: “Të blesh këtu rigonin shqiptar?” E kishte marrë një firmë e madhe franceze, e kishte paketuar dhe e shiste, sepse ata japin origjinën e produktit dhe këtë duhet të bëjmë edhe në sot. T’i japim Cezarit, çfarë është e Cezarit. Rigoni i Malit të Çikës është ndër rigonët më të mirë, me vlera, sepse rrjedh nga era e detit.
Rudina Xhunga: Ky është rigoni i mirë ëë, Çika?
Dhurata Thanasi: Shqipëria ka një biodiversitet të jashtëzakonshëm. Rigoni i këtyre zonave, bimësia ka një lloj kripësie, sepse e rreh deti. Por rigon të mirë ka Tomori, ka Nemërçka, dhe mund t’i brandojnë.
Rudina Xhunga: Po çajin ku e pi ti? Unë çajin antikoronavirus e marr vetëm në Gramoz. Gjithë ditën pi çaj Gramozi.
Dhurata Thanasi: Ai është mrekulli. Këtë duhet të bëjmë dhe ne këto kohë. Fermerët e rinj, të rinjtë që nesër, pasnesër do t’i rrinë tokës, të dinë origjinën e produkteve, zinxhirin e vlerave që ka edhe nga ana teknike, që mos ta këpusin me gjithë rrënjë, sepse shkatërrohet toka. Pra ka një mënyrë të caktuar për këputjen e çajit, apo rigonit. Gjithë këto njohje duhen shkruar dhe transferuar nga më të vjetrit që janë thesari i vendit tonë, deri te të rinjtë që do ta mbajnë dhe trashëgojnë tokën tonë. Pjesa e tretë.
Rudina Xhunga dhe Dhurata Thanasi hyjnë brenda Lugës së Argjendtë.
Rudina Xhunga: Të bëjmë gëzuar me serenata!
Dhurata Thanasi: Gëzuar me serenata korçare dhe produkt korçar.
(Rudina Xhunga provon shurupin e trëndafilit.)
Rudina Xhunga: Më fal ky është ujë trëndafili?
Dhurata Thanasi: Ky është shurup trëndafili i shtuar mbi një sajder molle, mbi lëngun e mollës së fermentuar. Është i mrekullueshëm, është produkt shqiptar. Rudina Xhunga: Ah ç’më bërë sot! Më solle gjithë shijet e fëmijërisë. Kur ishim të vegjël, fusnim petale në një shishe
me limontoz dhe i linim në diell që të nxirrnin ngjyrë. Unë gjithmonë thosha: “Quhet limontoz, apo tozlimon?” (Qeshin)
Dhurata Thanasi: Dilemë e madhe. Akoma s’e kemi zgjidhur.
Rudina Xhunga: Po rikthen shijet? Është futur kjo në treg?
Dhurata Thanasi: Po rikthehen. Është futur. Ne kemi katër vjet që e kemi si produkt. Është një prodhues në Korçë që bën gjëra të mrekullueshme, me të bashkëpunojmë edhe për bërjen e reçelrave.
Rudina Xhunga: Po çfarë bëjnë këta korçarët moj? Mua më vjen inat ëë, se dua që të prodhoj dhe vetë. (Qeshin)
Dhurata Thanasi: Bravo u qoftë! Ata janë shumë bashkëpunues. Çdo vit që kalon nga një të re, inovacion. E shikon të renë dhe inovacionin
me shumë dashuri, zotëria që bën këto produktet për ne.
Rudina Xhunga: Italianët i marrin të keqen kësaj tonës.
Dhurata Thanasi: Italianët, anglezët, etj. Këtë e gjejmë në Tiranë gjithandej, por është prodhim anglez. I marrin të keqen kësaj tonës se është shumë e mirë dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë kimikat, mund ta pinë fëmijët.
Rudina Xhunga: Ke problem ti që e do kaq shumë Shqipërinë dhe e mburr me burrin italian?
Dhurata Thanasi: Jo absolutisht, unë jam dhe kritike kundrejt Shqipërisë. Me këmbë në tokë dhe largpamës është ai që ia njeh defektet dhe problemet vendit. Sa më shumë t’ia njohim aq më shumë ato defekte mund t’i përdorim edhe si pika forcë për të nisur diçka të re.
Rudina Xhunga: Unë të kujtoj ty dhe burrin tënd që nuk e njoh shumë, por kam dëgjuar që shpëtoi parkun e lodrave, në Vlorë. Ju kujtoj kur shkoj sepse aty është parku i lodrave të fëmijërisë sime. Kur shkoj në Vlorë dhe çoj Alanën dhe njerëzit që shpëtojnë parqet e lodrave, që nuk lejojnë të ndërtohet vend e pavend, që na lënë mundësinë t’i gëzohemi natyrës, janë njerëz për t’u falënderuar.
Dhurata Thanasi: Aso kohe ishte viti 2002. Qëlloi që ishte atëherë dhe punonte, pas problematikave që kishim pas viteve ’90. Ishte parku i fëmijëve të Vlorës, ishte i hapur edhe i uzurpuar. Nga ca ndërtime, por në bashkëpunim edhe me qeverisjen lokale patën një sinergji dhe vëmendja e parë e OKB-së, asokohe ishte te fëmijët. Është ai park që është sot, që funksionon edhe falë privatit.
Rudina Xhunga: Po është siç ishte ama, nuk ka pallate në vend të tyre, siç ka vende të tjera.
Dhurata Thanasi: Është edhe Kalaja e Kaninës, një mrekulli. Duhet ta mbajmë sepse është perla, ka një histori shumë të lashtë dhe të jashtëzakonshme si shumë kala dhe kështjella në Shqipëri.
Rudina Xhunga: Çfarë ke nga Vlora ti këtu? Më trego pak!
Dhurata Thanasi: Nga Vlora kemi çajin e malit, rigonin, kemi disa raki, verën e një vlonjati të mirë. Rudina Xhunga: Pse ka vlonjat që bën verë të mirë?
Dhurata Thanasi: Po Vlora ka Vloshin e Kaninës së Nartës. Është kantina “Balaj”.
Rudina Xhunga: E kam parë edhe të Mullixhiu. Shikoje këtë se është ngjyrë portokalli, më tha.
Dhurata Thanasi: Edhe Altin Prenga e ka. Po është portokalli. E ka marrë një teknik i huaj. Kemi produkte nga Berati, nga kantina “Urellari”, Vlorën pa tjetër me vajin e ullirit. Si mund të lëmë ullirin kaniniot ne? E kemi patjetër dhe është emblema e ullirit shqiptar. Mjaltë kemi nga Kuçi.
Rudina Xhunga: E vërtetë është që mjalti i Kuçit është më i miri?
Dhurata Thanasi: Ne kemi një biodiversitet të pasur dhe nuk mund të krahasojmë diçka të veriut me të jugut, sepse kanë karakteristika komplet të ndryshme. Ato që ka jugu, nuk i ka veriu dhe
e anasjella. Zona e Kuçit është e mbushur me trumzë. Trumza mbizotëron në të gjitha kosheret e bletëve dhe prandaj kosheret vendosen në këtë zonë, mbi 1000 e ca metra mbi nivelin e detit. Ndikon shumë lartësia dhe zhurma.
Rudina Xhunga: Cili ishte mjalti më i mirë?
Dhurata Thanasi: Ky është, po është ende i pacertifikuar.
Rudina Xhunga: Është i rëndësishëm certifikimi, nuk e thua dot që unë njoh këtë produkt?
Dhurata Thanasi: Është hapi që duhet të bëjnë të gjithë fermerët tanë. T’i certifikojnë produktet e tyre.
Rudina Xhunga: Kush është zona që ka qenë më e qartë për certifikim? Sepse nuk është puna të jetë vetëm i mirë.
Dhurata Thanasi: Nuk është me zona, por me biznese. Ato që e shohin se produkti i tyre mund të shitet jo vetëm në zonën e tyre, te njerëzit që e njohin, por edhe në supermarkete, apo dyqane.
Rudina Xhunga shkon te verat: Ky është Kallmeti. Kallmeti ka hyrë, tani do, s’do të gjithë e dinë që
është shumë i mirë dhe ti nuk pyet dy herë.
Dhurata Thanasi: Kallmeti është i mirë si kultivar, por gjithçka është te teknologjia dhe fermeri i cili punon dhe merret me rrushin.
Rudina shikon çajet.
Dhurata Thanasi: Fermerët duhet të fillojnë vetë ta paketojnë.
Ne ua paketojmë kështu. Ndonjë paketim më dinjitoz, merr dinjitet edhe produkti. Patjetër duhet të jetë me letër.
Rudina Xhunga: Kur e ke në një shportë, ti nuk e shet dot. Ky këtu shitet trefishin e saj që është në shportë.
Dhurata Thanasi: Çdo gjë këtu është shqiptare. Kemi vajza që na bëjnë shporta me produktet tipike tonat, rigonin, çajin e malit.
Asgjë nuk marrim të
gatshme dhe false.
Rudina Xhunga: E ke të gjithë Shqipërinë këtu.
Dhurata Thanasi: Aq sa kemi mundësi. Por kemi sjellë Shqipërinë dinjitoze, atë që bën produkt vërtet të mirë. Se jo të gjithë kanë ecur në atë rrotën e zhvillimit që të jetë edhe i qëndrueshëm, në atë që flasim sot. Pra te certifikimi, kontrolli i cilësisë, sepse njerëzit sot janë vetëdijesuar, jo çdo gjë e fshatit
është e pastër.
Pra duhet të vetëdijesohen edhe fermerët tanë, atë që e bëjnë, ta bëjnë me përgjegjësi që të kthehen njerëzit
të blejnë prapa tek ata.
Rudina Xhunga: Kjo është Dhurata e Lugës së Argjendtë, që më jep gjithmonë kënaqësi.
Tani do të ulem edhe unë të ha drekë, sepse ngela duke folur për gjëra
që të lëshon goja lëng./dritare.net

















