Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Budapesti, çfarë qyteti! Sa të bëj lekë, do iki prapë

Budapesti, çfarë qyteti! Sa të bëj lekë, do iki
Nga Fjorda Llukmani

Një nga kryeqytetet më të bukura që kam vizituar në Europë është padyshim Budapesti. U bëra shumë pishman që vendosëm të qëndronim vetëm dy netë, pasi ishte goxha i madh, me pika turistike interesante për t’u vizituar. Pas majit të këtij viti, shumica e shqiptarëve që vizituan Budapestin, u nisën nga hapja e linjës low cost Wizz Air. Bileta me avion kushton diku tek 60 euro vetëm me valixhe dore 10 kg. Sigurisht nëse e pret një javë para nisjes nuk kushton aq, por planifikojeni minimumi një muaj para. Për të fjetur unë zakonisht përdor AirBnb, një aplikacion me apartamente. Kështu mund edhe të gatuash në shtëpi e të kursesh ca para, pse jo.

Nuk jemi të gjithë milionerë, me të dashur me lekë.

Kisha planifikuar të qëndroja një javë nëpër Europë dhe mendoja që një valixhe dore nuk do mi zërë të gjitha rrobat e trasha. Do ti, u ankova kot, sepse kur ecën me plan çfarë do veshësh çdo ditë, i bën llogaritë mirë. Bile nja dy pulovra nuk i vesha fare. Në aeroport isha e vetmja e veshur me dy xhupa, por s’më tha gjë njeri. Kur më pa një nga policët në kontroll, i thashë: “Mos më shiko ashtu se jam njeri që mërdhi, prandaj jam veshur kaq trashë.” U shkri duke qeshur ai me mua, si dëng leshi, kur thonë gjyshet.

Sapo zbrita në aeroportin e Budapestit më erdhi një erë e ftohtë në surrat. Nuk po ankohem që në fillim, mendova me vete, se kushërira ime gati ishte të fillonte se pse e solla në një qytet të ftohtë. Sistemi i ngrohjes në apartament ishte fantastik fare. Kurrë nuk kisha qëndruar diku me kanotiere brenda. Madje gjatë natës plasje vape me batanije. Kur njoftova friendsat në Facebook për udhëtimin tim, më shkruan Sidorela, ish shoqja e bankës, e cila jetonte në Budapest. Shyqyr e gjeta dhe një guidë atje. Jo se kam nevojë, por nuk dua të humbas kohë duke u koordinuar me Google Maps. Më pëlqen të shoh sa më shumë gjëra në një kohë të shkurtër. Unë do ju tregoj çfarë të bëni në Budapest për dy ditë.

Szimpla Kert

Në një rrugicë tip Blloku, ndodhej pub-i më i bukur që kam vizituar ndonjëherë. Unë vdes për gjërat vintage e të vjetra. Sidomos kur ke aq shumë sa të marrin mendjen. Ky bar ishte tipi i Radios ose Komitetit që jemi mësuar të shohim në Tiranë. Ama shuuumë herë më i madh se aq. Aty brenda humbje ore shokë!

Me dhoma të ndryshme, stile të çuditshme dekorimi, shkrime kudo nëpër mure, kopshte me pemë... isha jashtë mase e hutuar. I rashë disa herë rreth e përqark dhe gjithmonë fiksohesha me diçka të re. Këtu mblidheshin turistët dhe dëgjoje gjuhë të ndryshme. Ama e theksoj që hungarezët janë populli më racist që kam ndeshur në udhëtimet e mia. Mezi u qesh buza e të kthejnë përgjigje si për hall. Por kjo nuk është një arsye për mos ta vizituar ëëë, secili sheh qejfin e tij në fund të ditës.

Fashion Street

Tip bulevardi i gjatë plot zbukurime dhe dyqane. Mbase nëse e vizitoni pas festave nuk duket aq bukur sa e pashë unë. Megjithatë pranë tij ke plot për të parë. Mund t’i fusni një xhiro tek “Budapest Eye” një karusel nga ku mund të shohësh gjithë qytetin. E quajtëm ne “Budapest Eye” meqë ngjan me atë të Londrës, por sigurisht më e vogël.

St. Stephen Basilica

U takuam me shoqet e mia Sidorelën dhe Jarën, të dyja studente të një programi me Erasmus. Më në fund ishim në dorë të sigurt. Ndaluam përballë Stephen Basilica për të parë një shfaqje 3D. Morëm syzet (sigurisht unë qorre me dy palë) dhe pamë teatër Krishtlindjesh.

Në asnjë cep nuk mungonin pazaret me shtëpiza të vogla ku mund të blije gjëra nga më të ndryshmet. Nuk patëm kohë ta shikonim kishën nga brenda sepse duhet të niseshim për diku tjetër.

Fisherman's Bastion

Si shqiptarë që jemi morëm autobusin pa paguar biletë. Mesa duket njerëzit andej janë aq të ndërgjegjshëm sa nuk e çojnë nëpër mendje të shfrytëzojnë mungesën e fatorinove. Ekzistonte një kontroll, që ne ua mësuam uniformat, që të vendoste gjobë 40 euro nëse ishe pa biletë. Ne shpëtuam paq.

Kalojmë tek ura jeshile për t’u ngjitur lart në kodër. Oh Zot çfarë bukurie tek Fishermans Bastion! Arkitekturë fantastike, si ato kalatë që ndërtonim buzë detit. Kisha në qendër kishte çati me ngjyra. Nga aty dukej komplet Budapesti dhe lumi Danub.

Mos e humbisni një pamje të tillë ku ka bërë foto gjithë dynjaja që ka vizituar këtë qytet. Shumë pranë ndodhej dhe Kështjella e Budës të cilën nuk patëm kohë ta shikonim.

Banjat termale Szécheny

Ditën e nesërme u vërdallisëm nëpër qytet me makinë dhe ngecëm në trafik. Binte shi, në fakt, e s’të bëhej asgjë përveç parazitimit. Hëngrëm në restorant italian dhe u nisëm për në banjat termale më të famshme. Szecheny ndodhet pak larg qytetit. Imagjino, ne me makinë na u desh diku tek 40 minuta.

Ta dini që vizita juaj në Budapest nuk ka pikë kuptimi po nuk shkuat këtu! Në fillim mu duk budallallëk të lahesha jashtë, në pishina me ujë të ngrohtë. Kur shikoja fotot në Instagram më dukej e pamundur, si mund të qëndrosh me kokë lagur, ndërkohë që jashtë është 5 gradë. Jo vetëm që ishte e mundur, po të vinte aq lezet sa s’të bëhej të dilje më prej saj. Banjat krijonin avull e s’kishte gjë më të bukur. Paguam diku tek 15 euro për të përdorur të gjitha ambientet jashtë dhe brenda. Sigurisht e preferuara jonë ishte jashtë.

Pllaq-plluq aty me rosat, se nuk lejohej të notoje. Le që ishte cekët një herë, sa për të ecur në këmbë. Kishte dhe pishina për të notuar, por duhej të ishe me kapuç në kokë. Roja e banjës na fishkëlleu gjithë inat se po pinim birra në pishinë. Sigurisht duke folur gjithë nerva, se nuk dinin të qeshnin fare hungarezët. “Duhet të dalësh jashtë që ta pish birrën”- thoshte ai. Po dola jashtë unë o zotëri thaj e ngri, si mund të më shkojë mendja për të pirë, me rrobe banje, e lagur, në këtë të ftohtë? Nuk më rrihet mua pa i thyer rregullat, megjithëse ai vazhdonte, nuk e prisha terezinë. Nëpër cepa të pishinës mund të gjesh dhe vende për masazh. Kur dolëm nga aty të gjithë ndjeheshim si bebe të sapo dalë nga barku i mamit.

Pas banjave termale bëmë pazar në supermarket, gatuam në shtëpi dhe dolëm për jetë nate. Për jetën e natës në  Budapest do shkruaj enkas në një tjetër artikull.

Theksoj, më sipër keni gjërat më kryesore, por nëse klikoni në Google, ju dalin ploooot të tjera. Sa të bëj ca lekë e më shihni prapë në Budapest, mbase brenda pak muajsh. Duke qenë se më keni gjykuar sikur jam anti çifteve, po ua bëj qejfin t’ju them se ky qytet është dhe për beqarët dhe për të dashuruarit. Romantik dhe modern në të njëjtën kohë.

Mirë të gjithë shqiptarët po dynden në Budapest, por ata drreq pse nuk vinë tek ne? Vonë e kuptova që më mirë në fakt, me atë surrat negativ që kanë./dritare.net