Na ndiqni edhe në

Bota

Trump dhe Netanyahu prezantojnë planin 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Ja çfarë parashikon!

Trump dhe Netanyahu prezantojnë planin 20-pikësh për t’i

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajtën një konferencë të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë, ku prezantuan një plan paqeje me 20 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Trump e cilësoi këtë ditë si “historike për paqen”, duke deklaruar se marrëveshja është shumë afër”. Ai tha se plani është përgatitur me kontributin e vendeve kryesore të rajonit si Arabia Saudite, Katari, Jordania, Egjipti, Pakistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe me mbështetjen e disa aleatëve evropianë.

Pikat kryesore të planit përfshijnë:

-Kthimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, të gjallë ose të vdekur.
-Demilitarizimin e Gazës, i mbikëqyrur nga shtete arabe dhe myslimane.
-Shkatërrimin e tunelëve dhe kapaciteteve ushtarake të Hamasit.
-Tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite dhe krijimin e forcave lokale të policisë për ruajtjen e rendit.
-Krijimin e një “Bordi të Paqes” që do të udhëhiqet nga vetë Trump për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes. Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka shprehur interes për t’u bërë pjesë e këtij bordi.
Trump theksoi se vendet arabe do të marrin përsipër komunikimin me Hamasin, por nëse dështojnë, SHBA-ja do t’i japë mbështetje të plotë Izraelit për të shkatërruar Hamasin. Ai u bëri thirrje palestinezëve të marrin “përgjegjësi për të ardhmen e tyre”, duke paralajmëruar se refuzimi i planit do t’i linte pa mbështetje ndërkombëtare.

Netanyahu falënderoi Trump-in, duke e quajtur atë “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”. Ai tha se e mbështet plotësisht planin:

“Ky plan do të sigurojë që Izraeli të mos kërcënohet më kurrë nga Hamasi,” deklaroi Netanyahu.
Kryeministri izraelit kërkoi që të gjitha pengjet të kthehen brenda 72 orëve, duke paralajmëruar Hamasin:

“Kjo mund të bëhet në mënyrë të lehtë ose të vështirë, por do të bëhet. Nëse refuzojnë ose nuk e zbatojnë, ne do ta përfundojmë punën.”
Trump shtoi se SHBA-ja dëshiron marrëdhënie më të mira edhe me Iranin dhe la të hapur mundësinë që një ditë Teherani të bashkohet me Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa vendeve arabe.

Megjithatë, pavarësisht toneve optimiste, shumë detaje të planit mbeten ende për t’u sqaruar, ndërsa Hamasi nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare./K.C/dritare.net