Na ndiqni edhe në

Albania All Inclusive

Nga ndryshon Kanuni i Labërisë, nga ai i Lekë Dukagjinit

Nga ndryshon Kanuni i Labërisë, nga ai i Lekë Dukagjinit

Që në lashtësi shqiptarët kanë qenë në kërkim të drejtësisë. Në mungesë të një shteti ligjor, kanë krijuar zakonet e tyre, të cilat i kanë kthyer në norma juridike. Jo vetëm veriu, por edhe jugu ka pasur një kanun të vetin. Kanuni i Labërisë. Prof. Dr. Ismet Elezi, prag moshës 105-vjeçare, bashkë me profesor Pëllumb Xhufin dhe kryeplakun e fshatit Zhulat, Kapo Gjoca, tregojnë për DritareTV nga ndryshonte Kanuni i Labërisë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Pëllumb Xhufi: Në veri në Kanunin e Lekë Dukagjinit janë shumë më të përcaktuara dhe të rrepta nenet që kanë të bëjë me martesën. Në të dyja kanunet martesa bëhej me shkresë, por në veri vendosej saktësisht se dita kur do bëhej martesa. Në rast se nusja e premtuar, pikërisht atë ditë që do vinin krushqit ta merrnin do të ishte sëmurë, edhe duke dhënë shpirt, detyrimisht do të çohej te shtëpia e burrit. Në jug nuk e kemi kaq taksative këtë nen. Nuk e kam gjetur që të ekzistojë në jug një gjë e tillë.

Ismet Elezi: Kur vinte puna për ndarje burrit i takonte për gjithçka. Gruaja nuk kishte asnjë të drejtë të thoshte gjë edhe për fëmijën. Në këtë drejtim ishte njëlloj si Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Pëllumb Xhufi: Pozicioni i gruas në Kanunin e Lekë Dukagjinit, megjithëse respektohet, konsiderohet një barrë. E thoshte vetë kanuni. Nëse vritej gruaja për dy arsyeja të forta; nderi dhe moskryerjes së detyrës së mikpritjes ndaj mikut atëherë gruaja mund të vritej dhe nuk hynte në gjak me familjarët. Mund të hyje në gjak vetëm nëse vritej nga të tjerët, jo nga familja. Në atë rast duhet të jenë familjarët e gruas të marrin hakën. Pra gruaja nuk konsiderohej gjak.

Ismet Elezi: Kur vinte puna te fëmijët ishte nënshtrim total i babait. Ai do komandonte, do vendoste, do e mbante apo jo fëmijë. Ai i kishte të gjitha. Rendi patriarkal ishte 100% i vendosur.

Kapo Gjoca: Idriz Suli doli më normë të re, që edhe gratë duhet të dalin në punë, si gjithë fshatarët e tjerë. Seferi nxori të parën në punë familjen e tij. Gratë që nuk punonin i quanin si turp.

Ismet Elezi: Për mosmarrëveshjet u gjet zgjidhja me pajtim. U rekomandua ndërmjetësimi për falje dhe pajtim. Të kërkonte falje i zoti i shtëpisë dhe fisi, edhe pasi pranohej falja nga familja, atëherë arrihej pajtimi. Falja dhe pajtimi ishin kapituj më vetë në Kanunin e Labërisë.

Pëllumb Xhufi: Ajo që e bashkonte aspektin e hakmarrjes ishte pikërisht kjo që brenda 24 orësh mund të merrej haka të vrarit, duke vrarë ose vrasësin ose të afërmit e tij, vetëm meshkuj. Kjo ishte si në veri dhe në jug. Pas 24 orësh në jug kishte të drejtë të vritej vetëm vrasësi./K.C/dritare.net