Na ndiqni edhe në

Albania All Inclusive

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!

"Në vitin 3623, Leka i Madh prej Petrele nd'Arbënë zu fill monarkinë e vet, në Matiet.”, Pjetër Bogdani.

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh. Nga Pjetër Bogdani, te Frang Bardhi, nga Rosa Lane te Anila Omari, nga Matteo Mandala te Bardhyl Demiraj. Kjo është historia e një Mbreti, Leka i Madh nga Pella e Epirit.

“Në atë kohë ishin dy kryeqytete të Mbretërisë së Bashkuar.”, tha plaku. Ishte Pela ndërmjet Salonikës dhe Manastirit. Ishte Emadhija, qyteti i vjetër në luginën që sot është Mati. Filipi i II-të kishte shtëpi të mëdha në Pela, ashtu dhe në Emadhija.

Ai ishte disa herë në qytet dhe një herë te tjetri. Mes Filipit dhe gruas së tij lindën probleme, pasi ajo donte më shumë Emadhinë dhe nuk kishte dëshirë të shkonte në Pela. Megjithatë, Mbretëresha shkonte edhe pse jashtë dëshirës së saj. Problemet mes Filipit dhe gruas lindën edhe prej një gruaje tjetër greke në Pela.

Nuk e di këngën, por është thurur një ku thuhet se gjithë zhurma ishte e pabazuar dhe e kotë. Pasi Mbreti Filipi i II-të ishte një burrë i mirë dhe mbret i mençur.

Por është e vërtetë se para lindjes së Lekës së Madh, nëna e tij iku prej Pelës, për t’u kthyer në Emadhija, ku u lind dhe u rrit Leka, për të mos pasur djem. Leka mori kalin, e ngau deri në Pela, për ta takuar të atin, Filipin e II-të. Në majë të kalit, Leka i Madh pa për herë të parë babanë e tij. Thuhet se Leka, prej kur mori kalin prej Emadhisë, i shoqëruar nga nëna dhe shumë malësorë të tjerë, kaloi në luginën e Bulqizës ku sot ka fusha me grurë. Në ato ditë, shtrihej një pyll i madh dhe i paanë. Në Bulqizë ata pushuan buzë një burimi, por vargu i fundit i këngës thoshte: “Jetë të gjatë Lekës, birit të Fillipit II-të, Lekës së Madh, mbretit të gjithë botës”. Kjo histori më është treguar në Thethin e madh, në pranverën e 1921.”, Rose Wilder Lane në librin Zonja Lane për Shqipërinë.

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!

“Këtë pohim e ndeshim më herët te Pjetër Bogdani, 1685, ku në kronologjinë e tij të botës ose Jetët e Shekullit thotë: Në vitin 3623, Leka i Madh prej Petrele nd'Arbënë zu fill monarkinë e vet, Matiet.

Frang Bardhi para tij, në 1635-ën, identifikon qytetin Pella të Maqedonisë, me Petrelën, kur e përcakton si qytet shqiptar, i famshëm si vendlindja e Aleksandrit të Madh, mbreti i maqedonasve. Më herët, Nikollë Mekajshi, ipeshkëv i Shtjefnit, në një letër drejtuar papës, Klementi VIII-të, në vitin 1603 shkruan: “U përpoqa me aq sa dita të bëja relacionin mbi mbretërinë e Shqipërisë dhe Maqedonisë, seli e lashtë e Lekës së Madh.

Dhe po aty, Shqipëria është pjesë e Maqedonisë, ajo pjesë që në kohë të lashta, quhet Epir. Dhe më herët akoma, gjysmën e parë të shekullit XIV-të, statutët e Shkodrës, qytet që emërtohet nga turqit, Skënderje, pasi mbahej prej tyre si e themeluar prej Aleksandrit të Madh. Pikërisht me amanetin apo privilegjin e Aleksandrit të Madh.

Në këtë sens edhe emri i Skënderbeut nuk është pa domethënie, dhe po ashtu letra e tij drejtuar princit të Tarentit, për kronikat tona, që flasin për paraardhësit tanë, kaluan në vendin tuaj duke aluduar për Piron dhe ushtrinë e tij.”, Matteo Mandala.

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!

“Autorja, duke u mbështetur në një material të gjetur në një arkiv të Venecies kohët e fundit nga prof. Lucia Nadin që përmban kujtimet e misionarit françeskan Cherubino da Trento nga qëndrimi në Shqipërinë e veriut, u përqendrua në kultin e Shën Aleksandrit në Malin e Oroshit në Mirditë, duke e identifikuar këtë shenjtor te Aleksandri i Driziparës, legjionar romak, martirizuar rreth vitit 300 në Drizipara të Trakisë. Kulti shumë i përhapur i Aleksandrit në Shqipëri mund të ketë lidhje me kujtesën apo subkoshiencën popullore për Aleksandrin e Madh si paraardhës të shqiptarëve. Në mbështetje të kësaj hipoteze, ajo sjell dëshmi të shumta për ekzistencën e një tradite popullore që rrëfen për prejardhjen shqiptare të Lekës së Madh. Më tej autorja shtron për diskutim pyetjen nëse kjo është një traditë e shpikur nga intelektualët (sipas teorisë së Hobsbawm dhe Ranger) apo një traditë autentike popullore dhe arrin në përfundimin se kujtesa për heroin legjendar të lashtësisë vjen si një vazhdimësi në shekuj, e cila mbështetet në fakte historike po edhe në “mendimin e përgjithshëm të kombit tonë.-Anila Omari botuar në revistën Studime Filologjike, dhjetor 2023.

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!
“Dy figura të rëndësishme shqiptare kanë dominuar në periudha të ndryshme të historisë, Aleksandri i Madh ose Leka i Madh dhe Gjergj Kastriot Skënderbeu. Më vjen keq se historiografia jonë ka kohë që nuk merret me madhështinë e kësaj figure. Ai mbretëroi në lashtësi, në një pjesë te Maqedonisë që ishte popullsi pellazgo-ilire dhe mendohet se ai origjinën e ka nga Mati. Edhe këtë e tregon pikërisht toponimi Pellë, e ligjërim te tillë. Thuhet se Aleksandri i Madh ka lindur në Pella. Pella nuk është Petrela. Nuk bëhet fjalë as për Petrelën, as për pelën. Bëhet fjalë për Pellën, pyllin. Në gjuhën vendase origjinale matjane, pyllit i thonë Pella. Mendohet se Aleksandri i Madh e ka vendlindjen në Pellë, që ka qenë një qendër urbane e kohës së lashtë dhe ka ekzistuar në zemër të Matit. Këtë e pohon edhe studiuesi dhe konsulli austriak i Janinës, Hahn i cili në vitin 1863 eksploroi nëpër Mat historinë e kësaj krahinë. Duke biseduar me banorë të Matit ai arriti të saktësojë Pella, e ka origjinën në zemër të Matit. Pyjet e dendura që kemi pasur në këtë zonë, e vërtetojnë këtë gjë sepse Pella ka qenë një vend i rrethuar nga pylli. Për historinë e Aleksandrit të Madh na vijnë në ndihmë edhe disa përkujdesje të mëvonshme, sidomos në Bizant kur u krijuan institucione shqiptare. Ndër to kemi toponime dhe emërtime kishash me emrin Aleksandri i Madh. Një nder këto është ndërtuar në shekullin e IV ose të V-të të erës sonë dhe ndodhet në Skënderaj. Aty është një kishë me emrin Kisha e Shën Aleksandrit. Pranë kësaj kishe ndodhen edhe rrënojat e një kishe tjetër, që quhet Kisha e Dakolit. Në gjuhën matjane, dakol është “më i fuqishmi”. Kjo kishë mendohet se i referohet figurës së Aleksandrit të Madh. Shpesh ne i referohemi Aleksandrit si Leka i Madh. Ai mbretëroi në vitet 356-323. Që në moshën 20-vjeçare ai qe një perandor, mbret i fuqishëm që bëri emër dhe la emër, la histori.”, Historiani Sefer Duka, në Burrel ku shkoi gazetarja Rudina Xhunga për të realizuar dokumentarin “Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!”/dritare.net

Mbreti që erdhi nga Mati, Aleksandri i Madh!