
Përgjatë historisë, në të gjitha malësitë shqiptare ka vepruar ligji popullor. Ato ishin një kompleks ligjesh të detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjitha bashkësitë, pavarësisht nga pozita dhe pozicioni shoqëror. Këto ligje njiheshin me emrin kanun. Kanuni është një kushtetutë e pashkruar, ashtu si Kanuni i Labërisë, që i ka themelet në Zhulat. Sipas Prof.Dr.Ismet Elezit mendohet që kanuni i Labërisë e ka zanafillën qysh herët, tek ilirët e lashtë. Ai zbatohej në 165 fshatra të Labërisë dhe sigurisht në qytete si Vlora, Saranda, Gjirokastra, Tepelena dhe Delvina.
Kanuni i Labërisë përbëhej nga sanksionimi i etikës dhe vlerave morale si dhe parimet themelore juridike si mbrojtja e nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë dhe barazisë së njerëzve.
"Për Kanunin e Labërisë, unë kisha dëgjuar por askush nuk më kishte thënë diçka konkrete. Burimi i parë për mua ishte shkrimi i Eqrem Vlorës, i cili në një fjalim të mbajtur në Itali tha se edhe Labëria ka një kanun. U interesova në Institutin e Folklorit, në Arkivin e Shtetit, nuk gjeta gjë. Unë isha sekretar shkencor në institutin e shkencave në atë kohë. Iu luta kryetarit Kol Paparisto që të vëmë në funksion institutin e folklorit, të grumbullojë të dhëna si fillim.
Gjeta mbështetje te etnografi i shquar Rrok Zojzi. Me Rrokun bisedova dhe i dhashë disa udhëzime se ku duhet kërkuar, dhe se te cilat persona mund të merrte informacione. I rekomandova disa fshatra në Labëri. Në radhë të parë i thashë të shkojë në Kuç të Kurveleshit, që është qendra e njerëzve që kanë dijeni për të drejtën zakonore. Veç asaj kërkova leje vetë që të shkoja në disa fshatra. Në radhë të parë shkova në fshatin tim të lindjes, Fterrë, në Kuç dhe në disa fshatra të Kurveleshit.
Në fshatin tim bisedova me disa burra zakoni. Ata më dhanë një material të çmuar. Por pyetja ishte: ku është kanuni i Labërisë?! Nga informatat që mora ishte në Zhulat. Shkoi rroku atje dhe gjeti jo vetëm informacione për kanunin por edhe autorin. Ishte Idriz Sulli nga Zhulati. Por Idriz sulli në realitet kishte marrë kanunin nga Papa Zhuli. Idriz Sulli mbajti një Kuvend te rrepet e Taroninës. Nga zona të ndryshme folën delegatë të ndryshëm. Në secilën fjalim jepeshin zakonet e secilës krahinë. Unë i grumbullova këto materiale dhe i rendita. Nisa me nderin, me besën, për familjen, martesën, mikpritjen, trashëgiminë e tokën.
Në Kanun shprehet qartë filozofia popullore për t'u vetëqeverisur me drejtësi, sipas normave të së drejtës zakonore, të rrënjosura në mendje të popullit të saj dhe sipas ligjeve të pushtuesve të huaj. Kanuni është dëshmi e gjallë se bashkësia labe, që kur nuk ekzistonte autoriteti shtetëror e në vazhdimësi, nuk ka jetuar në anarki e në arbitraritet, por ka ruajtur e zbatuar normat e së drejtës zakonore në fusha të ndryshme të jetës për mbrojtjen e vlerave të rëndësishme shoqërore e individuale.
Me botimin e Kanunit të Labërisë jemi nisur nga koncepti kryesor që të ruhen vlerat më të mira morale dhe kulturore të trashëguara nga e kaluara dhe të luftohen anët negative, të papajtueshme me parimet morale e juridike të shoqërisë shqiptare demokratike.
Shqipëria në kohën e tanishme është republikë parlamentare, shtet unitar dhe i pandashëm, me një kushtetutë demokratike, me ligje bashkëkohore, me një sistem të organizuar të drejtësisë, për realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe nuk ka pse të kthehemi prapa për zbatimin e Kanunit.", thotë profesor Ismet Elezi./K.C/dritare.net

















