
Maratona e Tiranës/ Kufizohet qarkullimi në disa rrugë të kryeqytetit, bllokohet transporti urban
Dritare.net
Qarkullimi i automjeteve në disa zona të Tiranës do të jetë i kufizuar sot, më 19 tetor 2025, për shkak të organizimit të aktivitetit sportiv “Maratona e Tiranës 2025”.
Policia e Tiranës njoftoi se kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 08:00 deri në 16:00, në një sërë segmentesh rrugore që përfshijnë sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Gjergj Filipi”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, rrugën “Ismail Qemali”, bulevardin “Bajram Curri”, kryqëzimin me Rrugën e Elbasanit, rrugën “George W. Bush”, rrugën “Abdi Toptani”, bulevardin “Zog I”, Bulevardin e Ri, rrugën “Ded Gjo Luli”, Rrugën e “Durrësit”, Rrugën e “Kavajës”, rrugën “Myslym Shyri”, bulevardin “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”), bulevardin “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiwan”), si dhe rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”.
Për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit, do të pezullohet edhe itinerari i mjeteve të transportit urban përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Nënë Tereza” dhe në të gjitha rrugët që kryqëzohen me itinerarin e maratonës, gjatë të njëjtës fashë orare.
Gjithashtu, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve për transport të përzier, mjeteve teknologjike dhe atyre për transport pasagjerësh (me përjashtim të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, nga ora 08:00 deri në 16:00. Në të gjitha itineraret e përmendura, lëvizja e mjeteve të emergjencës dhe e Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht.
Policia e Tiranës ka bërë thirrje për qytetarët që të shmangin lëvizjen me mjete në zonat ku do të ketë kufizime, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të policisë në terren./dritare.net

















