
Nga Gentjan Ruko
Qëndrimi i ri i Gjykatës Kushtetuese për të mos shqyrtuar më ankimet individuale për konstatimin e cënimit të procesit të rregullt ligjor nëpërmjet moszbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, shënon një regres në fushën e të drejtave të njeriut. Gjykata Kushtetuese justifikohet se “ligji procedural ka parashikuar mjete ligjore efektive, me qëllim që individit t`i garantohet mbrojtja efektive, edhe për ekzekutimin e vendimit të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm”.
Në fakt, e drejta e dëmshpërblimit, që është shtuar në Kodin e Procedurave Civile, me ligjin nr.38/2017, qartas nuk përbën mjet efektiv për vënien në vend të të drejtës së shkelur dhe nuk e përjashton Gjykatën Kushtetuese nga detyrimi për shqyrtimin e ankimit individual për moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Është e kuptueshme që një individi, që kërkon të rikthehet në vendin e tij të punës, për të vazhduar karrierën, për të cilën ka investuar dhe sakrifikuar një jetë, nuk mund t’i mohohet një e drejtë e tillë e rifituar gjyqësisht, në këmbim të një dëmshpërblimi, aq më shumë kur ky është në masë të papërcaktuar qartë.
Në të kaluarën, disa prokurorë janë rikthyer në detyrë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për konstatimin e cënimit të procesit të rregullt ligjor nëpërmjet mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Nuk mund të përfytyrohet që të njëjtët, nëse do të ndodhte tani, të ushqenin iluzionin se një dëmshpërblim, që mund të fitonin në Gjykatat e zakonshme, të ishte i barasvlefshëm me humbjen përjetësisht të karrierës së tyre.
Sjellja e re e Gjykatës Kushtetuese ndaj procesit të rregullt ligjor bie ndesh edhe me filozofinë e ndryshimeve kushtetuese, në kuadër të Reformës në Drejtësi. Neni 131/f i Kushtetutës, i ndryshuar, konsiston në zgjerimin e gamës së të drejtave që lidhen me ankimin individual: “Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cënon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.”
Të njëjtës rrjedhë i takon edhe njëri ndër ndryshimet e kryera në ligjin për organizimin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese. Neni 81/3 i ligjit nr.99/2016 synon në bërjen e vendimeve të Gjykatës më konkrete dhe praktike: “Gjykata Kushtetuese, në varësi të llojit të vendimit dhe kur është e nevojshme, mund të caktojë në pjesën urdhëruese organin e ngarkuar me zbatimin e vendimit, si dhe mënyrën e ekzekutimit, duke caktuar afate konkrete, mënyrën dhe procedurën përkatëse të ekzekutimit.”
Kjo duhet konsideruar një hop: Gjykata Kushtetuese nxitet të dalë përtej “thatësisë” së formulimit tradicional “konstatoi cënimin e procesit të rregullt ligjor”.
Qëndrimi i ri i Gjykatës Kushtetuese ndaj procesit të rregullt ligjor sjell ndër ndër mend sjelljen e vjetër “shmangëse”, e cila doli në pah me çështjen “Qufaj Co. Sh.p.k. kundër Shqipërisë”, në vitin 2004. Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në thelbin e të cilit qëndronte konstatimi se: “Gjykata Kushtetuese ishte kompetente për të trajtuar ankesën e kompanisë së ankuesit lidhur me papërputhshmërinë me një vendim të formës së prerë, si pjesë e juridiksionit të vet për të siguruar të drejtën për proces të rregullt”, shkaktoi pothuajse një përmbysje në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Është krejt e panevojshme dhe një barrë e madhe e tepërt për qytetarët shqiptarë që të kërkojnë në Gjykatën e Strasburgut rikthimin e së drejtës për procesin e rregullt ligjor, duke u ankuar ndaj vendimeve të një Gjykate që e shihnin si shpresën e fundit. Shumë individë në Shqipëri nuk e kanë mundësinë të përballojnë, përveçse me borxhe dhe me sakrifica, shpenzimet gjyqësore në Gjykatën Evropiane./dritare.net

















