10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës!
Dritare.net

Mbarë bota përkujton 10 vjetorin e shenjtërimit të humanistes së shquar Nënë Tereza. “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme dhe shenjtorja e të varfërve të të gjithë botës e cila kurrë nuk e harroi origjinën e saj.
10 vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore. Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. Murgesha 'u lumturua' në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.
Në këtë ditë të shënuar, Nënë Tereza përkujtohet nga krerët më të lartë të shtetit dhe politikës.
Kush ishte Nënë Tereza?
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë dhe humbi jetën në Kalkutë më 5 shtator 1997. Sot bëhen 27 vite që Nënë Tereza është ndarë nga jeta. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku ushtroi pjesën më të madhe të aktivitetit të saj bamirës, por figura e saj vazhdon të jetë burim frymëzimi për bamirësi, besim dhe shërbim të përulur, veçanërisht në një botë gjithnjë e më të përçarë nga varfëria dhe padrejtësitë sociale. Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza ka marrë më shumë se 700 çmime për punën e saj bamirëse.