
Zbatimi i ligjit, tërmeti i ardhshëm shoqëror
Dritare.net

Tërmeti i 26 nëntorit vërtetoi edhe njëherë se para fatkeqësive natyrore fuqia e njeriut është shumë e vogël. Tronditja e madhe që të gjithë përjetuam dhe pamjet e dhimbshme që ndoqëm, janë dëshmia sesi ngjarje të tilla na bëjnë shumë më të ndjeshëm për vlerën që ka jeta.
Shpreh ngushëllimin më të ndjerë për jetët e humbura dhe shpresën për një shërim sa më të shpejtë të të lënduarve, sidomos atyre që iu duhet të përballojnë edhe plagën e thellë shpirtërore të ndarjes tragjikisht nga jeta të njerëzve më të dashur.
Ishte emocionuese të shihje reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve anembanë trojeve dhe atyre në mërgim për të ofruar ndihmë, veçanërisht nga motrat dhe vëllezërit në Kosovë. E paçmueshme është edhe ndihma e ofruar nga vendet e huaja mike dhe fqinje, të cilat reaguan në një kohë rekord, por edhe e atyre që po japin e me siguri do vijojnë të japin mbështetje në fuqizimin e burimeve për rimëkëmbje.
Emocione dhe arsyetime të forta kam përjetuar edhe unë ditët e fundit. Ndjej emocione të forta për çka po iu ndodh bashkatdhetarëve të mi por nuk shmang dot edhe arsyetimin se momente të tilla ndikojnë fuqimisht për të vlerësuar seriozisht jetën, nga të gjitha dimensionet që e garantojnë atë së pari fizikisht, por edhe cilësisht.
Askush nga ne nuk e ka të mundur pas katastrofave të tilla natyrore të ofrojë zgjidhje ideale, aq më tepër kur shumica prej nesh nuk ka akses në vendimmarrje. Por është padyshim e mundur që të gjithë së bashku, pas dhënies së kontributit personal sipas mundësive, të fillojmë të mendojmë dhe veprojmë me racionalitet e gjakftohtësi për përballimin e situatës, por edhe për ndryshimet e nevojshme që duhet të pasojnë në të ardhmen.
Në fazën e emergjencës aktuale rolin kryesor e kanë autoritetet shtetërore dhe armata e profesionistëve të fushës, të cilat janë shumë më të dobishëm se disa “shpirtngushtë” që zgjedhin të bëjnë politikë në ditë të tilla. Kjo klimë konstruktive besoj do ndihmonte për të analizuar me qetësi situatën dhe marrjen e vendimeve të duhura që shpresojmë të zgjidhin problematikat e panumurta në mënyrë sa më efikase.
Pa dashur t’i jap kësaj katastrofe përmasë apokaliptike, është pak por e sigurt se pas tërmetit të 26 nëntorit Shqipëria është përballë dy zgjedhjeve; Ose të punojë seriozisht për të garantuar që shoqëria jonë të funksionojë me standarte bashkëkohore si çdo vend normal perëndimor, ose të vijojë rrugën e krizave ciklike, që më së shumti duket se janë të shkaktuara jo nga natyra, por nga njeriu. Thënë kështu, ka ardhur koha që të pranojmë në vetëdije se është e detyrueshme të ndryshojmë radikalisht qasjen tonë në raport me ligjin e rregullat, të cilat fatmirësisht nuk do i shpikim, por thjesht duhet t’i zbatojmë me rigorozitet.
Kjo sfidë e paevitueshme e ka pikënisjen tek vendosmeria për të mos toleruar më që amullia e moszbatimit të kuadrit ligjor, euforia e një zhvillimi urban pa qëndrueshmëri afatgjatë, apo lukunia e abuzivizmit korruptiv e zhvilluesve dhe zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse që noterizojnë “çmenduri urbane”, të zëvendësojë ligjet, rregulloret, kodin e ndërtimit, normat dhe kornizat e pakapërcyeshme teknike që garantojnë sigurinë dhe funksionimin normal të jetës në habitatin e përbashkët.
Më shumë se asnjëherë tjetër na duhet të marrim seriozisht në konsideratë rreziqet që mund të krijohen në mjedisin tonë, të cilat mund të zvogëlohen ose shtohen nga një numër faktorësh që kryesisht lidhen me kulturën e respektimit të ligjit në mënyrë të vazhdueshme, para dhe pas çdo fatkeqësie natyrore. Në gjykimin tim, ky nuk është momenti për të drejtuar gishtin e përgjegjësisë në mënyrë histerike ndaj të gjithëve, por vetëm ndaj atyre që hetimi i duhur vërteton se kanë abuzuar qartazi duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Ka plot raste gjatë këtyre tre dekadave ku të gjithë kemi qënë dëshmimtarë të abuzivizmit dhe mungesës apo mosvënies në funksionim të mekanizmave kontrollues që parandalojnë rreziqet dhe abuzimet, jo vetëm në sektorin e ndërtimit por edhe në sektorë të tjerë. Ndaj, mendoj se ky duhet të jetë një moment kthese përfundimtare, që në jetën shqiptare të fillojë një periudhë e re post-tranzicion, e cila përfshin gjithë fushat e jetës së vendit, të mënyrës së qasjes së individit në raportin e tij me shtetin dhe ligjin.
Duke konsideruar si pozitiv angazhimin e shtetit në situatën e krijuar nga termeti i 26 nëntorit dhe shpresëplote për kapërcimin e shpejtë të situatës, edhe falë solidaritetit që shfaqet papushim në te gjitha mënyrat, dua të ngacmoj një mendim që shkon pak më tej në kohë e që shtrihet në gjithë territorin. E dimë të gjithë; probleme të ngjashme, ku më shumë e ku më pak, tridhjetvjeçari i fundit, po jo vetëm, ka krijuar në të gjithë vendin. Tërmeti na e zbuloi dhimbshëm në pjesët e goditura. Njohja e gjendjes në të gjithë territorin duhet të jetë një detyrë serioze, veçanërisht për pushtetin vendor. Dhe mendoj është një detyrë që duhet të programohet e të fillojë te realizohet. Si hap i parë që do ndihmonte në përshpejtimin e evidentimit të permases se problemit, ndoshta mund të ishte një zgjidhje që unë do ta quaja “amnisti per ndërtimet në 30 vitet e fundit”.
Çfarë dua të them konkretisht me këtë?
Mendoj se me ligj ndoshta duhet t’iu kërkohet individëve të përfshirë në procesin e ndërtimeve të këtyrë 3 dekadave, kam parasysh investitorë, pronarë, projektues, konstruktorë, drejtues teknikë, përfaqësues të firmave zbatuese etj, që në mënyrë të përgjegjshme qytetare e profesionale, të bëjnë të njohura për autoritetet lokale dhe ato shtetërore, nëpërmjet një lloj “vetëdeklarimi” brenda një afati relativisht të shkurtër, problematikën konkrete (nëse ka ), të çdo objekti ku ata vetë kanë qënë pjesëmarrës të procesit të ndërtimit. Nga ana tjetër, shteti të marrë përsipër ruajtjen e identitetit të tyre dhe të garantojë jo penalizimin për përgjegjësi që mund të rrjedhin nga ky “vetëdeklarim” për 30 vitet e shkuara, në mënyrë që të mos rrezikohej e ardhmja profesionale e tyre. Vetëm pas verifikimit të vërtetësisë të një deklarate të tillë të mund të ndermerren masat qe parashikon ligji, qofshin edhe penale.
Por çfarë do të sillte aplikimi i një formule të tillë?
Së pari, ajo do të shkurtonte në mënyrë eksponenciale kohën e vlerësimit fizik dhe analizën e situatës në të cilën ndodhen sot të gjitha objektet në territorin e Shqipërisë, por kryesisht në zonat e prekura nga tërmeti i fundit. Kjo automatikisht do ta bënte më të shpejtë edhe më efektive vendimmarrjen për radhën dhe mënyrën e ndërhyrjeve, sikurse do të lehtësonte edhe punën që tashmë ka nisur nga grupet e ekspertëve në terren, veçanërisht për vlerësimin e banesave që mund të jenë të banueshme, pavarësisht dëmtimeve të shfaqura.
Kjo “amnisti e përgjithshme” mund të përdoret si mekanizëm reflektimi për marrjen e një përgjegjësie të re të gjithë shoqërisë në zbatimin pa lëshime të ligjit në fushën e ndërtimtarisë. Ky reflektim mund të jetë hapi i parë i një “meakulpa” i të gjithë shoqërisë, në raport me ligjin dhe rregullat. Padyshim që legalizimi i kësaj ideje do ishte një vendim jo i lehtë politik, por pikërisht vendimmarrja e përbashkët e gjithë klasës politike, do të shënonte në fakt edhe fillimin e një ndryshimi të madh.
Nga ana tjetër, në një pikëpamje më njerëzore ajo do ta largonte panikun e krijuar në shoqëri dhe do të na përfshijë në një përpjekje të përbashkët, për shëndoshjen e shoqërisë dhe fillimin e një kapitulli të ri funksionimi, marrëdhëniesh, respekti njerëzor por edhe institucional. Fryma e solidaritet që është e shfaqur tashmë, le t’i shërbejë pikërisht kësaj ideje. Këtë frymë duhet ta përqafojë mbarë politika, bashkë me gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë.
Një problematikë tjetër që duhet trajtuar është e lidhur edhe me procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale, një fenomen social i cili duhet analizuar në kushtet e situatës së post-tërmetit. Gjatë procesit për dhënien e çertifikatës së legalizimit të objekteve, sot duhet të merren edhe më seriozisht në vlerësim të dhënat e sigurisë fizike të objekteve, aq më shumë të atyre që janë realizuar me kontribute “alla-shqiptarçe” pa përfshirjen e profesionistëve të fushës. Kjo do kërkonte që për çdo objekt në proces legalizimi, krahas titullit të pronësisë si pjesë e dokumentacionit të jetë edhe pasaporta teknike e nënshkruar nga ekspertë të licensuar, për të dhënë garanci për qëndrueshmërinë e tyre.
Natyrisht, çdo ide ka nevojë të trajtohet teknikisht, ekonomikisht dhe juridikisht nga ekspertë. Ajo mund t'i japë fund veç të tjerash edhe paragjykimit jo të vogel për gjendjen e ndërtimeve në vend sikurse mund të shërbejë për një strategji afatgjatë për korrigjimet apo shëndoshjet e nevojshme, që veç sigurisë së jetës do të ndikonte jo pak në sistemimin aq sa është e mundur të ambienteve urbane. Njohja e gjendjes së ndërtimeve në të gjithe territorin është premisa e parë për ta futur procesin në një program afatmesëm, edhe financiar. Edhe ndërtimet e para vitit '90 e kanë kaluar ose po e kalojnë cakun e jetëgjatësisë së tyre dhe sigurisht kanë nevojë për vlerësim të gjëndjes se tyre. Shoqëria dhe shteti duhet të ndërgjegjësohen e të veprojnë që raste të padëshiruara të fatkeqësive natyrore të mos na evidentojnë problematikën apo dhe rrezikun me të cilin ndoshta bashkejetojmë. Kjo është natyrisht një rruge e gjatë, e veshtirë por është më pak e kostueshme në të gjitha aspektet. Është momenti të mendojmë të gjithë seriozisht për këtë./dritare.net

















