
"Vetëvendosja" mbështet protestën e Naftëtarëve para Kryeministrisë
Dritare.net

Lëvizja Vetvendosja ka vendosur të mbështesë protestën e Naftëtarëve në Shqipëri. Nëpërmjet një deklarate ata i bëjnë thirrje minatorëve dhe punëtorëve në Kosovë të solidarizohen me Naftëtarët në Shqipëri duke u kujdesur që rastet e ARMO-s e Ferronikelit mos t’i lejojmë të përsëriten.
Deklarata e plotë e VV
Dekadave të fundit si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, qeveritë kryesisht me orientim nga privatizimi i shpejtë dhe i lirë, shitën pa u menduar gjatë, gati të gjithë sektorët strategjikë të vendeve tona.
Këtë fat e pësuan qindra uzina e fabrika, degë të industrisë së rëndë e të lehtë, si dhe sektorët e shërbimeve.
Këto ditë naftëtarët në Tiranë po protestojnë meqë prej 10 muajsh nuk kanë marrë pagat nga kompania e privatizuar ARMO.sha. Të njëjtin problem prej vitesh e kanë pasur dhe shumë punëtorë e ish punëtorë në Kosovë. Së fundi, në mënyrë të njëjtë po e pësojnë punëtorët e Ferronikelit në Drenas, në Kosovë.
Prej vitesh VETËVENDOSJE! në mbështetje edhe të Sindikatave dhe bazuar në Alternativën e saj qeverisëse ka protestuar e reaguar kundër privatizimeve të sektorëve strategjikë.
Ne po ashtu kudo ku kemi pasur mundësi e rast e kemi përcjellë shqetësimin për privatizimin e rafinerive të naftës, ARMO.sha duke pasur parasysh që Shqipëria është i vetmi vend në Evropën Juglindore që prodhon e përpunon naftën.
Qeveritë që nuk kanë në dorë sektorët strategjikë as mund të krijojnë vende pune, as rritje ekonomike, as politika që rimëkëmbin industrinë e prodhimin vendas qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë.
Sigurisht që qeveria aktuale e Shqipërisë është duke marrë masa për rastin ARMO.sha. Këto masa është me rëndësi që të jenë kah kthimi në domeinin publik të Rafinerisë dhe mbrojtjen e punëtorëve më të kualifikuar shqiptarë të kësaj industrie të cilët janë një pasuri e pamatshme në kushtet tona.
Aktualisht në Kosovë ende nuk ka zgjidhje për rastin e Ferronikelit të privatizuar e që ka ndërprerë prodhimin dhe po ashtu ka një tendencë të pashembullt për ta çuar Kombinatin Trepça drejtë privatizimit, të plotë ose pjesë të tij.
I bëjmë thirrje minatorëve dhe punëtorëve në Kosovë të solidarizohen me Naftëtarët në Shqipëri duke u kujdesur që rastet e ARMO-s e Ferronikelit mos t’i lejojmë të përsëriten.

















