
U hodh nga ballkoni i një pavioni në QSUT, endacaku vuante nga çrregullimet mendore
Dritare.net

Një 53-vjeçar, pacient në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” këtë mëngjes rreth orës 08:30, u hodh në mënyrë krejt të papritur nga kati i katër i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme. Fatmirësisht ai mundi të shpëtojë, dhe tashmë ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa mësohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Përmes një njoftimi zyrtar, QSUT ka sqaruar , se pacienti me inicialet P.Sh është sjellë me urgjencë nga Durrësi, më datë 29 pasi kishte probleme të rënda shëndetësore të gjakut dhe traktit tretës, me një histori sëmundje prej katër ditësh si referencë e kësaj gjendje.
"Gjatë qëndrimit në urgjencë, në momentin e parë ka refuzuar kryerjen e ekzaminimeve laboratorike dhe aplikimin e terapisë përkatëse, siç raportohet edhe në kartelën e pacientit nga mjeku i urgjencës, dhe më tej, me konsultën e realizuar nga mjeku gastrohepatolog, pacienti bindet për të marrë terapinë në urgjencë dhe shtrohet për ndjekje në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme. Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm pacienti ka shfaqur shenja nervozizmi dhe në këto kushte nga mjeku në shërbim, është kërkuar me urgjencë konsulta e psikiatrit. Konsulta e psikiatrit është kryer rreth orës 07:00, i cili pasi ka vlerësuar gjendjen e pacientit, ka rekomanduar trajtimin me anksiolitikë. Pas incidentit të ndodhur pacientit i është dhënë ndihma e parë në Urgjencës Kirurgjikale në QSUT dhe pas vlerësimit të kryer është transferuar me urgjencë në Spitalin e Traumës për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e QSUT.

















