

Nga Fjorda Llukmani Ksamili është ndër destinacionet kryesore të turistëve gjatë verës. Për herë të parë e kemi vizituar si familje, kur isha 8 vjeçe. Atëherë ishte koha, ku dukej bukur si në fotografitë e internetit. Sot e vetmja pamje e bukur është përballë ishujve. Nëse kthen kohën pas do të shohësh, një mal me ndërtime. Hotele që sa po marrin formë, gropa të hapura apo shtëpi banorësh që rikonstruktohen për t’u dhënë me qira.
Nëse do të vizitosh Ksamilin, bëje në maj ose shtator. Gjatë sezonit, plazhet janë rras e rras me njëri-tjetrin. Gjiret e vogla tejmbushjen me çadra shumë ngjitur. S’ke pikë intimiteti për qejfin tënd. Je aq pranë me komshiun ngjitur, sa mund t’ia vjedhësh birrën pa dashje, me idenë që është e jotja.
U gjenda në Ksamil për Festën e Midhjes. Çdo vit organizohet nga Bashkia Sarandë për nder të ashtuquajturës Mbretëreshës së zonës. “Mbase për t’u bërë bisht fjalëve që, midhja ka dalë me salmonelë është organizuar kjo festë.”,-mendoja me vete.
Festa ishte bazuar te rruga që të çon tek ishujt. Në fakt, po e imagjinoja të ishte diku buzë detit, ose përgjatë shëtitores së Ksamilit. E ç’më duhen mua si turiste rrugicat e lagjes, kur kam ardhur për të parë detin?
Fëmijët e zonës ishin veshur me rroba tradicionale ose kostume të animuara, si kafshët e detit. Për shembull dikush si peshk, një tjetër si sirenë. Disa mbanin dhe degë ulliri në duar. M’u duk si në kohët e grekut që bënin parada të tilla.
Kalamajtë dukeshin, sikur po e shijonin, deri në momentin që nxënësja më e mirë e Ksamilit ngriti flamurin në qendër të fshatit. Veç t’i shikoje fëmijët e tjerë sa xhelozonin.
Në raste të tilla të bëhet qejfi që ta vlerësojnë mundin. Në kohën time, maksimumi kam qenë në tabelën e nderit. As e vrau mendjen njeri, për të na respektuar si nxënës të dalluar.
Ato që më bënë përshtypje ishin gatimet e ndryshme me midhje. Byrek me midhje?
Po shishqebap me midhje? Po qofte me midhje, kishit dëgjuar ndonjëherë? Lloj e soj antipastash. S’ma merrte mendja kurrë, që mund të gatuaje lloje të ndryshme ushqimesh me midhje. M’u kujtua filmi “Dy herë mat” që thotë: “Ekspert i peshkut dhe i midhjes.” Një herë më zuri barku nga ngrënia e tepërt e midhjeve.
U vela, vetëm duke i parë, çfarë kishin gatuar restorantet e zonës me produktin kryesor, Mbretëreshën e Ksamilit.
Dëgjova që organizohen ture në liqenin e Butrintit, për të parë nga afër si rriten midhjet. Dikush të çon atje me varkë e të shpjegon procesin. Këtë vendosa ta lë për herë tjetër. Mezi po pres që, një ditë ta quaj veten “ekspertja e midhjes” se me peshqit jam larg shumëëë./dritare.net

















