Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Të njoh me Deslin, vajzën që nuk do ta harrosh pas këtij shkrimi!

Të njoh me Deslin, vajzën që nuk do ta harrosh pas
Nga Artjola Cani 

Desli ishte një nga ato vajzat e gjimnazit që nuk donte të bënte një punë për para. Që me projektet e para të shkollës së mesme ajo u angazhua në aktivitetet e kryqit të kuq, si dhe vullnetare në Down Syndrome Albania, më pas vazhdoi drejt kësaj rruge për mos ta lënë asnjëherë.

Nisi  studimet për mjekësi të përgjithshme, dhe pas përfundimit të tyre ajo punoi për disa kohë në profesionin e saj, pa lënë mënjanë punën si vullnetare në organizime të ndryshme, por tanimë të përmasave më të mëdha. Fakti që nisi mjekësinë nuk i mjaftoi Deslit që të ndihmonte shtresa të ndryshme të njerëzve në nevojë.

Vazhdoi me të njëjtin ritëm duke u angazhuar  vullnetarisht në aktivitete për mbështetjen e të rinjve, fëmijëve me probleme  të ndryshme si dhe të grave dhe vajzave për zhvillim intelektual dhe ekonomik.

Fillimet e saj ishin të vështira, ndërkohë falënderimet dhe përmirësimi i fëmijëve të cilët ajo ndihmonte i jepnin shumë energji për të vazhduar para.

Desli tregon për dritare.net se duke punuar  vullnetarisht  në këto aktivitete, i dha mundësinë të njihej me shumë të rinj, dhe sot kur kthen kokën pas beson se grupet e mrekullueshme të cilat ka ajo krijuar, nuk do të kishin ekzistuar nëse do lodhej nga njerëzit që e gjykonin për punën që bënte.

Realisht janë të rrallë njerëzit që kanë  durim, por për Deslin ka qenë e thjeshtë puna me fëmijët, sepse ata kanë qenë një burim i pashtershëm energjish.

E pyetur nga dritare.net se cili ka qenë projekti më i vështirë për të, ajo tregon se vështirësi kishte hasur kur filloi të merrej me njerëzit që nuk dëgjonin, por me shumë vullnet dhe punë, hap pa hapi shumë të tjerë ju bashkuan nismës së saj.

Asgjë nuk është pamundur për Deslin, ajo së bashku me grupin e saj filluan të mësonin gjuhën e shenjave për t’ju shërbyer këtyre fëmijëve, duke i socializuar dhe përfshirë, njësoj si fëmijët e tjerë.

Ky projekt është ndër projektet më të mëdha për fëmijët që ajo me grupin e saj kanë zhvilluar. Është një ekspozitë me punët e fëmijëve që nuk dëgjojnë duke krijuar qytetin e tyre të ëndrrave në COD, në Kryeministri. Punimet e këtyre fëmijëve u vlerësuan nga artistë të tjerë.

Ka një numër të madh projektesh që ajo marrë pjesë dhe me pozitivitetin që e karakterizon, tregon se nuk do të ketë fund puna me të rinjtë.

Në një vend me një demokraci të re si kjo e jona, Desli tregon se këtu janë bërë plot gjëra. “Me të gjithë vullnetarët që jam takuar dhe kemi punuar për nisma të ndryshme kemi ndarë opinione rreth shoqërisë civile dhe sigurisht që pavarësisht çfarë është realizuar, ka dhe shumë për të bërë. Jam e mendimit se ka kohë për gjithçka.”

Desli është një kërkuese e palodhur e projekte që në bazë kanë vullnetarizmin e ndihmën ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Ajo ka marrë pjesë në një forum rinor i cili zhvillohet çdo vit, ku diskutohen problematikat e të rinjve, këtë vit i  zhvilluar në Moskë.

International Volunteering Forum, i zhvilluar Moskë, kishte shumë tema diskutime, dhe diçka mjaft interesante në këtë forum ndërkombëtar ishte pjesëmarrja dhe përshëndetja speciale e Presidentit Putin, i cili ka foli për rëndësinë e të rinjve dhe forcën e tyre vullnetarizmin dhe energjinë për të ndryshuar çdo vend.

"Faleminderit çdo vullnetari që i ka shërbyer në një mënyrë apo në  një tjetër. Ju inspiriroj e motivoj te gjithë që të punoni së bashku për  një botë më të mirë. Unë  kam besim te të rinjtë se mund ta sjellin ndryshimin e paqen ne botën ku jetojmë. Faleminderit të gjithë një nga një nga zemra."-u shpreh Putin.

[video width="640" height="352" mp4="http://dritare.net/wp-content/uploads/2018/12/WhatsApp-Video-2018-12-14-at-13.30.51.mp4"][/video]

Por e përzgjedhur si Head of Delegation, Desli mori pjesë atje duke qenë edhe ambasadorja e të rinjve në Future Team Global Leaders, forum me 15000 pjesëmarrës nga e gjithë bota.

Ndër ta ajo kishte pasur mundësinë të mbante një fjalim, dhe në fund, është përzgjedhur në 5-shen më të mirë.

Projekti i fundit në të cilin po punon, në fokus ka gratë dhe vajzat, në mënyrë që të gëzojnë të drejtat e tyre të plota dhe të arrijnë barazinë gjinore.

Por si projekte fundviti nuk është ky i vetmi, ajo na tregon se po punojnë edhe me të rinjtë lidhur me idetë, liderat globalë të së ardhmes nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndarjes së ideve me të rinj në Evropë.

Por do thoni ju se si ja del Desli me grupin e saj të financojnë kaq shumë projekte?  E përfshirë prej disa vitesh tashmë në këtë fushë, atë e ka ndihmuar shumë fakti që ka njohur njerëz të rinj pothuajse në çdo projekt, dhe kjo bën që ata si bazë të kenë punën vullnetare. “Por gjithashtu kemi pasur dhe mbështetjen e BE dhe këshillave rinore.”-tregon ajo.

Gjithashtu Desli ka një mesazh edhe për studentët që po protestojnë prej disa ditësh për arsimin në Shqipëri. “ Më në fund në një vend si i yni demokracia i lejoi këta të rinj super energjikë të bëhen bashkë për të kërkuar të drejtat e tyre. Të protestosh është të shpresosh duke luftuar kërkuar, bashkëpunuar e ëndërruar. Në bazë të punës e forcës si të rinj për të përfaqësuar veten e gjithë shoqërinë tonë denjësisht me krenari si të  rinj evropianë.

“Kam njohur të rinj të hatashëm nga Shqipëria nëpër botë , dhe kam kuptuar se duke menduar globalisht e duke ndarë eksperiencat tona mund të rritemi më shumë në kapacitete cilësore, në ide në të qenit vullnetar dhe të krijuarin e figurave model për veten e të rinjtë e tjerë.”-shprehet  Desli.

Prandaj nëse je edhe ti një njeri që dëshiron të ndihmosh të tjerët, vullneti do ju duhet për të realizuar dëshirën tuaj njësoj siç ja doli Desli./dritare.net