Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Të burgosur në kufirin hungarezo-serb/ Historia e babait që bëri një film për të mbajtur gjallë ëndrrat e djalit të tij!

Të burgosur në kufirin hungarezo-serb/ Historia e babait që
Një film i xhiruar nga një baba dhe djali i tij, së bashku të lënë në paraburgim në kufirin hungarezo-serb, ka premierën në Festivalin e të Drejtave të Njeriut, në Evropë.

Artisti iranian, Abouzar Soltani dhe 10-vjeçari Armin kanë qenë mbyllur në Transit Zone, në Hungari për gati një vit.

Ata hynë në vend legalisht për të aplikuar për azil, në dhjetor 2018, pasi pritën më shumë se dy vjet në Serbi. Filmi i tyre "Peshku", tani është shfaqur në Festivalet e të Drejtave të Njeriut në Bratislava dhe Budapest, shkruan dritare.net

Abouzar e  filmoi filmin e tij 3-minutësh, “Fish”, me një telefon në Transit Zone.

“Unë jam Abouzar Soltani, kam lindur në Iran në një familje të madhe artistësh dhe punëtorësh. Unë e mësova kaligrafinë dhe fotografinë nga vëllai im kur isha adoleshent.  Për shkak të diferencave ndaj këndvështrimeve, besimeve të mia dhe klimës që mbizotëron në Iran m’u desh të largohesha me djalin tim dhe të futesha ilegalisht në Evropë.

Qeveria hungareze na burgosi ne për gati një vit në një kamp të mbyllur.

Djali im vizatonte ëndrrat dhe dëshirat e tij për mua dhe më fliste për to. Kur na thanë se do të na rikthenin në Iran, ai ndaloi së më treguari për ëndrrat dhe dëshirat e tij,  nuk po i vizatonte më.

Isha dëshmitar i vdekjes së dëshirave të djalit tim. Prandaj duhej të përpiqesha për të  mbajtur gjallë shpresën dhe dëshirat e tij, sepse djali im është shpresa dhe jeta ime.

Kështu që unë i kërkova Arminit që të bënte film me mua dhe të fillonte të pikturonte.

“Peshku”, u bë fillimisht për të mbajtur gjallë ëndrrat dhe dëshirat e djalit tim. Por me këshillat e miqve të mi filmabërës, ai është bërë zë për qindra-mijëra fëmijë të azilkërkuesve të tjerë, për lirinë e cila është e drejta e tyre dhe ajo çka ata e dëshirojnë.

Në Serbi bëra filmin e parë të shkurtër me celular. Mësova se përmes kinemasë do të ndaja me njerëzit e tjerë ndjenjat  e mia.

Fakti që filmi “Peshku” është parë përtej këtyre telave me gjemba, më jep shpresë se unë,  djali im, fëmijët e tjerë dhe shumë refugjatë këtu, një ditë do të jetojmë të lirë, jashtë këtij ‘burgu’ dhe do të realizojmë ëndrrat tona.”,- thotë Abouzar./Përktheu nga BBC: Kadrije Çako/dritare.net