Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sugar baby, sugar shefi

Sugar baby, sugar shefi
Nga Luna Ruvina

E di çfarë është ‘sugar baby’? Nuk habitem nëse nuk e di. Edhe unë që di jo pak anglisht, nuk e dija, por titulli “Pagova kredinë e tre viteve shkollë me një muaj si ‘sugar baby’”, më shtynë të shihja ç’ishte kjo gjë kaq fitimprurëse. ‘Sugar baby’ na qenkërkësh një vajzë a një djalë që hyn në një marrëdhënie me një burrë a grua që nga mosha mund të ishte babai ose nëna e vet në këmbim të parave, një romance, apo thjesht seksit. Këtë të fundit, burri dhe gruaja quhen ‘sugar daddy’ ose ‘sugar mom’. Janë zakonisht njerëz të kapur me para, të martuar ose beqarë, me ose pa fëmijë, që e kanë shumë të qartë se çfarë kërkojnë. Paguajnë me lekë të thata ose me dhurata të shtrenjta. Tek artikulli që lexova, Xheni, protagonistja, një studente angleze, kishte pasur dhjetë marrëdhënie të tilla të krijuara mes faqeve të internetit të konceptuara pikërisht për këtë qëllim. Profili i atyre që regjistrohen aty nuk kërkon vetëm moshën, seksin dhe përmasat, por edhe arsimin, pasionet, stilin e jetesës e gjëra të tjera.  Xheni tregon se përveçse i kishin paguar overdraftin që kishte marrë për studimet, kishte marrë edhe dhurata si një çantë Chanel prej 3000 paundësh, bileta treni të klasit të parë, karta anëtarësie, e të tjera. Dhe në fakt, Xheni, kishte vendosur paraprakisht të ofronte vetëm shoqëri në dreka dhe darka të shtrenjta ku e ftonin këta baballarë pasanikë, pa u angazhuar në lidhje seksuale.

Këtu tek ne edhe në këtë fushë ka konfuzion dhe informalitet të madh, e madje edhe shumë korrupsion. Ç’hyn këtu korrupsioni, do thotë dikush. Epo, korrupsioni, sipas përkufizimit të pranuar gjerësisht, është shfrytëzimi i pushtetit që të jep pozicioni i punës, në sektorin privat apo publik qoftë, për përfitime personale. Është shfrytëzimi i drejtorllëkut, shefllëkut apo pronarllëkut për të pasur vëmendjen, miklimin dhe trupin e një vartëseje, së cilës në këmbim i jep sigurinë e punës, trajtim preferencial kur vjen puna te ngritja në detyrë, shërbime jashtë shtetit nëpër hotele super të shtrenjta paguar nga shteti apo pronari i firmës, ndërkohë që punonjësja, ashtu si Xheni anglezja, mund të vazhdojë të kërkojë një djalë me të cilin të martohet, apo të vazhdojë të mbajë burrin me të cilin është martuar dhe bërë me fëmijë. Eh, korrupsioni t’i lidh këmbët e duart bashkë. Këtu ka pak ‘sugar daddy’ e shumë më shumë ‘sugar shefi’, ‘sugar pronari’, d.m.th. ‘sugar korrupsioni’./dritare.net