Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Strazimiri rrezikon burgun për armëmbajtje pa leje

Strazimiri rrezikon burgun për armëmbajtje pa leje
Policia e Tiranës ka nisur një procedim penal ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri.

Sipas burimeve nga policia, arma që mbante me vete në protestë Strazimiri, është pa leje dhe për këtë shkak ai do të procedohet sipas ligjit në fuqi.

Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri, rrezikon të vihet në pranga për armëbajtje pa leje. Sipas dokumentit të lëshuar nga Ministra e Brendshme, Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri të përfituar me ligjin nr 7566, datë 25.02 1992, por ky ligj është shfuqizuar.

Për rrjedhojë komisariati numër 3 në Tiranë i ka dërguar Strazimirit dhe një shkresë zyrtare me datë 17 mars 2016, ku i kërkon të dorëzojë armën brenda datës 25 mars 2016. Kanë kaluar 3 ditë nga përfundimi i afatit, por Strazimiri nuk e ka dorëzuar armën.

Në protestën e sotme të organizuar nga PD për moslejimin e ndërtimit të këndit të lojërave pranë Parkut të Liqenit Artificial, Strazimiri është parë me pistoletë në brez.

Ligji për armët dënon dhe personat që kanë armët me leje nëse i mbajnë ato në tubim. Ne nenin 41 pika 4 thuhet: ndalohet mbajtja e armës së zjarrit nga çdo person fizik apo juridik të cilit i është dhënë arma me autorizim në raste tubimesh manifestimesh e aktivitetesh kulturore etj.

Lidhur me armën që mbante gjatë protestës,  Strazimiri reagoi për mediat përmes një deklarate për shtyp.

“Me armë në mënyrë krejt të paligjshme, me numra identifikimi të hequra qëllimisht, sot ishte ajo që nuk mund të quhet më "Policia e Shtetit", dhe jo Gent Strazimiri!Arma e Gent Strazimirit nuk mbahet në brez! Arma e vetme e Gent Strazimirit, është dhe do të jetë ajo që ka qenë gjithmonë: denoncimi e përballja pa kompromis me këtë bandë kriminale që po sundon me urdhra kriminelësh e jo me ligje!” shkruan Strazimiri.