Na ndiqni edhe në

Arkiv

Sot është 8 mars

Sot është 8 mars
Sot është 8 Mars, e dikush nga ju e ka përgatitur që mbrëmë atë memen me atë foton epike tek Mumja, e ka formuluar në një fjali mllefin, për fshataret e qytetaret, për të martuarat e beqaret, që shfrenohen kinse në këto raste. Për mimozat e për pjatat për tu larë pas “diskos”, për striptistët, për  grumbujt  e grarisë që zbarkojnë me urbanë .

Nëqoftëse jeni një prej këtyre, me shumë gjasa nuk keni njohur kurrë një “fshatare”, nuk keni patur fatin t’ja ndjeni aromën mimozës, nuk ja dini gëzimet e hallet martesës, nuk e njihni vetminë e beqarisë, nuk ja dini vlerën momenteve plot jetë të jetës.

Në fakt 8 marsi nuk njihet botërisht si dita e luleve, kurimeve estetike, cokollatave apo ahengjeve femërore, por si një pararojë e 1 maji-it, festimet alla shqiptarce të të cilit nuk nxitin masivisht qëndrime të tilla antipatie e përbuzjeje.

Ndërsa sindikatat e para në Cikago u ngritën për të drejtat e punëtorëve në Maj të 1886, protesta e parë e mirëfilltë për kushtet mjerane në punë, ishin pikërisht nga gratë e industrisë tekstile në Amerikë 10 vjet më herët, në mars të 1857. Edhe pas incidentit kur flakët përpivën  fasonerinë “Triangle Shirtwaiste Factory “, 131 gra gjetën vdekjen, shumica u dogjën për së gjalli, në një ambient skllavërimi modern, e sheshi njujorkez që deri në atë kohë nuk ishte zgjuar, u përgjak nga ato që patën sërish frikë, e këtë herë iu nënshtruan vdekjes së sigurt, duke u hedhur nga kati i tetë i godinës, për të lënë stigmën e tyre jo vec në atë shesh, por në ndërgjegjën e sistemit, duke e ndryshuar atë hap pas hapi, që prej atij marsi të 1911.

Por të gjitha këto,  për momentin neve, nuk kanë cfarë na interesojnë, në një kohë kur sipas Raportit të UNDP për dhunën në familje , 59% e të anketuarave raportojnë se dhunohen në mjedisin familjar; kronikat e zeza pasurohen vazhdimisht së fundmi me lajme ogurzeza vrasjesh e vetvrasjesh  të grave; niveli i papunësisë tek gratë në vlerësimet e fundit të Instat ishte 41.6%; dhe c’është më e rëndësishmja, për sa kohë ne jemi pjesë e realitetit që na rrethon.

Ne i dimë historitë e shumë prej tyre, si mund t’i paragjykojmë vallë?

Ajo që për shumëkënd që gëzon liri zgjedhjeje dhe veprimi, është e mirëqënë, për disa tjera është vec një luks i limituar pikërisht në 24-orëshin e një dite (për të mos thënë shumë pak). Kjo ditë që për shumë simbolizon arritjet e kushteve sociale, politike dhe ekonomike të grave në botë, në kontekstin shqiptar si për ta shfajësuar atë nga atributi i të qënit femër, është fshehur nën petkun e mëmësisë dhe rëndom na kanë mësuar ta dëgjojmë si “Festa e Nënës”.  E këto gra “nëna” e kanë një arsye më të qënësishme për liri dalje.

Fatmirësisht dhe kaq do të thosha unë. Një ditë në vit, janë disa orë më pak halle nëpër mend; janë disa orë dëfrimi; janë orë buzëqeshjesh dhe plotësie, ndonëse të përkohshme; janë disa orë parapërgatitjesh e kujdesi ndaj vetes; orë “harbimi” mes mikeshash; janë kujtime që do të rrojnë gjatë. Se në dallim nga ti që po lexon, disa nuk janë në gjendje (nuk kanë zgjedhur, apo nuk kanë patur mundësinë të zgjedhin) të kenë përjetime që kthehen në kujtime pozitive.  E  askush nuk gëzon të drejtën t’i gjykojë për këtë. Prandaj herën e ardhshme që do të ngutesh të lëshosh mllef përballë këtij fenomeni, kujto që ca gra aty jashtë kanë nevojë për një datë të caktuar të gëzojnë në jetën e tyre, ndërsa ti që do të mund ta gëzoje kurdoherë, hidhërohesh me gëzimin e tjetrit (apo tjetrës c’është më e keqja).

Prandaj, gëzoju 8 marsit edhe ti e dashur!/BlogAl