Someg/ Mielli serb bën bukë të keqe

Nëse ka një produkt që nuk mund të largohet kurrsesi nga tryeza e shqiptarëve, ajo është buka. Por çfarë hanë shqiptarët, çfarë mielli dhe çfarë produktesh?

Para 3 ditësh, Kosova vendosi tarifa për miellin serb, në mënyrë që të favorizonte miellin vendas. Ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta, mielli serb është më i liri. Po sa përdoret ai në furrat në Shqipëri?

Dritare.net foli me Ibrahim Yzeirin, administratorin e furrave të bukës më të njohura në kryeqytet, “Someg”. Ai tregon se ky miell përdoret më shumë në zona periferike, apo furra problematike dhe që iu shpëtojnë kontrolleve të shtetit.

“Furrat më të mira të qyteteve, nuk e njohin fare miellin serb, se nuk ka interes për të. Aty ku është buka më e lirë, përdorin miellin serb, pasi edhe ai është më i lirë. Mund të jetë edhe i mirë, unë nuk kam paragjykime. Por ai nuk është ofruar te ne nga një distributor. Ekziston si formë abuzive në treg. Për mua nëse është në parametrat e duhur, është i certifikuar nga shteti shqiptar, s’ka asnjë problem. Unë jam për përdorimin e miellit nga e gjithë bota. Sepse në të tillë mënyrë do të ulet çmimi i miellit dhe çmimi i bukës.”

Dikur shqiptarët ishin në kërkim të standardeve, e “Someg” duke ruajtur traditën, synonte të arrinte cilësinë evropiane. Pasi arriti këtë, i ka vendosur synimin vetes që të kujdeset për shëndetin e shqiptarëve, prandaj edhe logoja e saj është “Ushqehu shëndetshëm”. Yzeiri tregon se në furrat “Someg”, përveç miellit shqiptar, përdor miell që e merr nga vende të ndryshme të botës.

“Më parë hahej bukë masive në Shqipëri, ndërsa sot nuk ndodh kështu. Dalja e njerëzve dhe e jona jashtë Shqipërisë, pjesëmarrja në panaire, ndikimi i krizës evropiane, ka sjellë zgjerimin e produkteve. Ne kemi shumë lloje të reja bukësh. Kemi futur bukën integrale, që nuk ka kolesterol, të jep ndjesinë e ngopjes dhe është e mirë për ata që janë me dietë.

Kemi futur bukën me fara, bukën e zezë, atë të tërshërës, të elbit, thekrës, përbërja e të cilave është shumë e nevojshme për organizmin dhe shumë e ushqyeshme. Në “Someg” ka shumë lloje të bukëve integrale, të cilat kanë emra të veçantë, pasi mielli merret nga firma të veçanta. Çdo gjë është e përgatitur dhe e studiuar, në sasi dhe cilësi. Ndërsa, çmimi i bukëve varet nga distributori dhe mielli që përdor. Në varësi të përbërjes dhe cilësisë, vendoset edhe çmimi.”

LEXO DHE :  OSBE i kërkon Ramës të rishikojë ligjin e medias online

“Someg” është e vetmja furrë që ofron një larmi të tillë produktesh, për të gjitha shijet dhe nevojat shëndetësore. Nëse hyn aty, gjen çfarë të duash dhe mund të përfundosh duke blerë gjithçka. Gjen trendet e prodhimit më të fundit në botë.

“Unë kam futur sanduiç dhe tost integral, shumë të shëndetshme, sidomos për ata që janë me dietë. Kam futur edhe briosh integral. Këtë muaj kam futur bukën pa gluten. Dhe kjo është mjaft e rëndësishme për ata njerëz që u bën alergji kjo proteinë. Ishte e vështirë futja e saj, pasi ka kosto dhe jo fitime. Mielli është shumë i shtrenjtë, do ambient më vete për t’u prodhuar dhe shumë kujdes. Jam i pari që e futa, pasi dua të sjell risi dhe cilësi. Këtë javë do të fus bukët me quinoa dhe fara kia, fara të lashta, të ushqyeshme dhe që mbrojnë organizmin.”

“Someg”, operon prej 25 vjetësh në treg dhe mbetet ndër më të kërkuarat dhe më cilësoret. Yzeiri, thotë se ka një sekret në këtë sukses. Jo çdo biznes mund të mbijetojë, për kaq kohë.

“Nuk është e vështirë të hapësh biznes, por ta mbash atë. Merita jonë qëndron në njehsimin e të gjitha pikave të “Someg”. Gjen shumëllojshmëri produktesh, të njëjtën mbajtje dore dhe të njëjtin arredim. Kur ti vjen çdo ditë dhe gjen të njëjtën cilësi, shije, pjekje, shitëse, uniformë, atëherë bëhesh klient i kësaj furre, sepse e di se çfarë gjen aty.”/Nga Dritare.net/ Dritare.net