
Erdis Reovica: Pse vendosa të qëndroj në Berat!
Dritare.net
Erdis Reovica është menaxheri i pastiçerisë së njohur Turizmi në Berat, një biznes me traditë familjare të rrënjosur thellë në këtë qytet. Pavarësisht sfidave dhe tundimit për të emigruar si shumë të rinj shqiptarë, ai vendosi të qëndrojë në Berat dhe të vazhdojë traditën e trashëguar nga familja e tij.
Për Erdisin ky angazhim është më shumë sesa një biznes, është një mision për të ruajtur shijen autentike dhe traditat lokale.
“Historia e përgatitjes së këtyre ëmbëlsirave tradicionale të Beratit ka nisur në vitin 1969. Ndaj tradita vazhdon sepse ne e përgatisim akoma edhe sot. Monblani, njihet ndryshe edhe si ëmbëlsira me emrin Mali i Bardhë sepse kjo ëmbëlsirë është krejtësisht e bardhë nga kremi i vezëve dhe forma e ëmbëlsirës dikur vinte në formën e një mali.
Familja ime e trashëgon traditën e përgatitjes së kësaj ëmbëlsirë që nga viti 1994. Emrin e pastiçerisë e zgjodhëm pasi ëmbëlsirat dikur janë bërë vetëm tek Hotel Turizmi, ndaj ne vendosëm ta quajmë pastiçerinë tonë me këtë emër.
Me hapjen e dyqanit vjen dhe furnizimi nga punishtja, furnizimi bëhet çdo ditë pra produktet janë të freskëta. Këto ëmbëlsira preferohen të konsumohen në çdo kohë nuk ka stinë për këto ëmbëlsira. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë emigrimi dua të vazhdoj traditën e familjes time të mbaj gjallë biznesin. E kemi menduar që ta zgjerojmë biznesin edhe në Tiranë, ndërsa për qytetet e tjera është problem pasi nuk sigurojmë dot transportin. Por përveç këtij fakti monblani dhe taboshi, pra ëmbëlsirat tradicionale kanë emigruar edhe jashtë vendit. Kemi arritur ta dërgojmë deri në Amerikë, i kemi përshtatur me enë të posaçme. Nëse monblanin arrit ta mbash në një ambient të sigurt mund të rezistojë deri në dy ditë”, u shpreh Erdisi për gazetaren Marina Kërçeli, DritareTV./E.P/Dritare.net

















