Udhëtimi i Tunës në Siri, ka krijuar një Tuna tjetër.
“U ktheva e riformësuar. Jam një Tuna tjetër që sapo ka filluar rrugën për të dhënë kontributin minimal që Tiani dhe Zeni të rritet në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh. Në një botë më të mirë”, shkruan Tuna në një shkrim të gjatë në facebook-un e saj, ku tregon edhe arsyet.
Kur ka qenë hera e fundit që jemi ndjerë falënderues për jetën që kemi? Shtratin ku e shtrijmë kokën çdo natë, tryezat me ushqime që na ngopin, mundësite e ndryshme...
Abdurrahim, Abbude, Gazel, Semira, Ali, Sena.... vetëm disa nga fëmijet në jetimoren Tayyibe,stopi ynë i parë. Ishin fëmijet që njohëm storjet e të cilëve ishin secila më e trishtë se tjetra. Vizita jonë dy ditore u realizua si nisme e shoqatës joprofitare me bazë në Zvicërr 'For Children Smile e themeluar në vitin 2019 për të mbështetur familjet dhe fëmijet në nevojë të prekur nga fatkeqësitë natyrore si dhe shkatërrimet nga njeriu.
Në krye të saj njoha 4 gra të mrekullueshme - 4 nëna, para së gjithash. Gra të fuqishme, sypatrembura që deri tani kishin vizituar disa herë Sirine dhe vende të tjera si Jemeni, Libia, Zvicrra, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gaza, Turqia, Bangladeshi etj. E tëra kjo me një vizion. Zonjat Emine, Xhemile, Pemba dhe Hasret, ishte kënaqësi t’i dëgjoj derisa flisnin me pasion për misionin e tyre dhe rezultatet e tij. Kisha ndjesi sikur po shikoj ndonjë serial me shumë sezone me shumë epizode në pritje të fundit të lumtur. Dhe fundi gjithmone ishte i lumtur. Derisa i shikoja aty në terren se me çfarë dashurie të sinqertë përkushtoheshin para banorëve vendas, e kuptoja arsyen e suksesit të tyre.
Ajkuna dhe bashkëshorti i saj Agroni, miq të mi shumë të dashur, më ftuan t’i bashkangjitem iniciativës. Që në sekondën e parë pa asnjë mëdyshje iu thash “po”. Nuk ia përmenda askujt këtë ftesë dhe konfirmimin tim sepse ishte e pritshme të ma kontestonin. “Tani je nënë dhe s'mund të mendosh vetëm për veten” ishin komentet që aty këtu tentonin të më nxisin mëdyshje për të më vetëdijesuar se po nisem diku ku po vë jetën në rrezik, ku nuk kam asnjë garancë për sigurinë... po nisem në një zonë ku vazhdojne luftimet e ashpra dhe çdo moment është i paparashikueshëm dhe mund të bëhet fatal.
Ajkunën dhe Agronin duhet t’i njohësh personalisht për ta kuptuar pse nuk u hamenda fare për ftesën që ma bënë. Jo rastësisht biznesi i tyre nga 0 ka arritur në mesin e top kompanive dhe jo rastësisht “Ajkuna” tani më emër shumë i dashur për shoëbizin, jo vetëm shqiptar, është futur në kompeticion me brende botërore të prodhimeve për flokun.
For Children Smile deri më tani kanë realizuar projekte të shumta jo vetëm në Siri por në të gjitha vendet e botës të prekura duke bërë donacione serioze. Dhe PO - kanë sjellur buzëqeshjet te femijët atje te familjet e tyre, gratë e dhunuara etj
For Children Smile që nga themelimi ishte në partneritet me 'Kizilay Turkey' të cilët i percjellin në çdo hap. Admirimi im maximal shkon për djemt e shoqatës të cilët nuk na lanë vetëm në asnjë sekondë. Udhëheqësit Kadir dhe Hakan Bey dhe ushtria e tyre - djelmoshat zemërbardhë ishin heronjtë e fëmijëve... i mbanin në prehër, i ushqenin, ua krehnin flokët, e njihnin me emër dhe histori secdilin fëmijë aty.
Unë nga afër preka diçka për të cilën kisha dëgjuar, kisha lexuar, por ta shohësh e ta dëgjosh drejtpërdrejtë nga goja e atij që e ka përjetuar dhe e përjeton, ta dëgjosh dhimbjen në zërin që rrëfen më ndyshoi tërësisht pikëpamjet ndaj jetës...
Kampi i parë që vizituam dhe shpërndamë pako higjienike, lodra dhe ëmbëlsira për fëmijët kishte 385 familje, pa kushte elementare për jetesë, larg shtëpive ku dikur i thurnin ëndrrat. Disa nga ata ishin njerëz të shkolluar që janë detyruar të lënë gjithçka dhe përkohësisht të vendosen në këto çadra. E përkohshmja e tyre bëhet përditshmëri dhe mbeten aty me vite. Kalova orë të tëra duke biseduar për brengat e tyre. Dëgjova për jetën e tyre, për ëndrrat e tyre. Të gjithë kishin të njëjtën ëndërr: të kenë kulm mbi kokë, një çelës shtëpie që do ta hap dhe do ta mbyll derën kur nuk janë në shtëpi, një nënkresë ku do ta venin kokën... Disa nga fëmijët kanë lind aty dhe nuk din për një jetë ndryshe. Tek po i shihja më dilnin para syve fëmijët e mi dhe çdo dhimbje e një prindi që sjell në jetë një krijesë për t’i mundësuar një jetë të mirë. A thua si ndjehen? A thua si do të isha ndjerë?!
Qëndruam për një kohë në kampin “Vadel Ali” në çadrën e një familjeje 10 anëtarëshe. Kulmi i çadrës ishte i mbuluar me çarshafë, ndërsa ndarja e çadrës në dy dhoma ishte improvizuar me batanije. Kur familja dëshironte të jetë në qiell të hapur vetëm i largonte çarshafët. Çmimi i këtyre çadrave ishte rreth 600€ me një jetëzgjatje rreth 2 vitesh, varësisht nga kushtet klimatike.
Ne nuk bëmë asgjë veç se u munduam për një çast t’ua heqim mendjen nga vuajta që u kishte rënë mbi supe e t’i bëjmë të buzëqeshin, pa çka se veç për një çast të vetëm.
U larguam prej aty, por pamjet që pash do të ngelin përgjithmonë të gdhendura në kujtesën time, bashkë me rrëfimet e trishta, buzëqeshjen e kthyer për pak çaste dhe me dëshprimin nga pafuqia ime për të bërë me shumë.
Jo më pak dëshpëruse edhe vizita e radhës në 'Shtepite me briketa' ne Meshad Ruhin ku Children Smile deri me tani ka ndertuar 250 shtepi. Në tabelat në hyrje të këtyre shtëpive në mesin e donatorëve lexova shumë emra shqiptar.
Ishte udhëtimi më emotiv në jetën time. Janë emocione që shkojnë përtej mundësisë për t’i përshkruar me fjalë. Dhembja e atyre që i pash të ngjitet për shpirti dhe të trishton, të bën të ndjehesh fajtor për skamjen, trishtimin dhe frikën me të cilën jetojnë çdo ditë. Nga ana tjetër të bën të ndjehesh i bekuar dhe me fat për ato që ke dhe t'ia kujtosh vetes çdo ditë.
Çdo shikim që më ndeshej me voglushët sirian para syve më sillte Tianin dhe Zenin tim, lotët rrëshqisnin e nuk arrija t’i kontrolloj as me profesionalizmin që e mësova ndër vite – është diçka më e fuqishme, diçka që më mundte! Çdo bisedë me të rriturit më rikonfimonte se gjëja më e rëndoshme për një prind është të shoh buzëqeshjen në fytyrën e fëmisë së vet i bindur se meriton fëmijëri të lumtur. Fëmijët që takova kishin në sytë e tyre pikëllim të papërshkruar. Ata në vitet e para të jetës mbajnë mbi supe ngarkesa që nuk do të doja të ishin mbi supet e asnjë fëmije në botë. Të gjithë ata që i thurrin lavde luftës nuk e kanë parë dhimbjen dhe dëshpërimin në sytë e këtyre fëmijëve.
U ktheva e riformësuar. Jam një Tuna tjetër. E lumtur me “po”-në që e thash për këtë iniciativë. Sepse dua bota të jetë ndryshe, sepse dua Tiani dhe Zeni të rritet në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh. Në një botë më të mirë. Unë sapo kam filluar rrugën për të dhënë kontributin minimal për një buzëqeshje fëmijësh atje ku ajo më së shumti mungon./L.F-dritare.net