Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria në hartën e rrezikut të lartë nga fatkeqësitë, por ndërgjegjësimi zero

Shqipëria në hartën e rrezikut të lartë nga
Shqipëria është e vendosur në zonën e rrezikut të lartë për tërmetet dhe përmbytjet, por vendi nuk i ka të zhvilluar institucionet dhe kurrikulat mësimore për t'u mbrojtur nga fatkeqësitë.

FAO ( Departamenti i Bujqësisë dhe Ushqimit në Organizatën e Kombëtare të Bashkuara) ka bërë së fundmi një analizë gjithëpërfshirëse të reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë dhe e sistemit të menaxhimit për bujqësinë në Shqipëri.

Analiza sugjeron se, aktualisht, në Shqipëri, nuk ka një agjenci të përfshirë ose të ndërlidhur për rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet nga fatkeqësi.

Ndonëse ekziston një program studimi për “mbrojtjen civile dhe shpëtimin”, i ofruar nga universitetet private, nuk ka asnjë kurrikul që integron RRF-në  (Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë) në arsimin bazë dhe e atë të mesëm.

Me mbështetjen e donatorëve organizohen çdo vit seminare, trajnime dhe një tryezë të rrumbullakët për RRF-në, duke u fokusuar te mbrojtja dhe shpëtimi. Megjithatë, përpjekjet e përgjithshme për rritjen e ndërgjegjësimit kanë qenë të kufizuara vetëm në shpërndarjen e fletëpalosjeve, broshurave, posterave.

OJQ-të, si “Kryqi i Kuq Shqiptar” dhe “Save the Children”, janë përfshirë në organizimin e fushatave kombëtare periodike për çështjet e ndërgjegjësimit për komunitetet e cenuara, ndonëse përpjekje të tilla nuk kanë arritur ende deri te komunitetet më në nevojë dhe mbeten sporadike dhe josistematike.

Studimi i OKB-së, thotë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta natyrore, duke përfshirë, por pa u kufizuar tek ato me origjinë hidrometeorologjike dhe gjeologjike, si tërmetet, përmbytjet, thatësirat, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e tokës.

Sipas të dhënave nga DesInventar, një sistem ky për menaxhimin e informacionit rreth fatkeqësive, nga viti 1852 deri në vitin 2013 në Shqipëri kanë ndodhur rreth 4000 raste  fatkeqësish./Monitor