Na ndiqni edhe në

Shqip

Si të përgatitet Shqipëria për luftë! Flet koloneli Sami Neziri!

Si të përgatitet Shqipëria për luftë! Flet koloneli

Kolonel Sami Neziri i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për luftën dhe përgatitjen ushtarake të Shqipërisë. Zoti Neziri tha se shqiptarë kanë pasur perceptimin se në rast të nisjes së një konflikti, ndërhyn në çast NATO-ja. Por jo, duhet kohë, ditë, javë ose muaj që NATO-ja të bëhet gati për të ndërhyrë në një vend ushtarakisht. Shqipëria, thotë Neziri duhet të kishte armatimet e saj, nuk duhet t’i çonte për skrap armatimet që ka pasur. Koloneli kujton rastin e Rusisë që nxori në luftë një model tanku, më të vjetër se sa i pati Shqipëria para se t’i çonte për skrap.


“Fakti është që gjithë Evropa pas Luftës së Ftohtë pati një shkrehje. U mendua që nuk do kishte më luftë, industritë ushtarake e patën të vështirë të ingranohen edhe një herë për të filluar prodhimin. Edhe ne nuk bëmë përjashtim. Por ne duhet t’i ruanim kapacitetet sado të vjetra të ishin. Ne kishim tanke T-59, T-62 dhe po të shohim sot, Rusia ka futur në luftë T-54-ën. Ne kishim një model më të përmirësuar T-59-ën. Rusia i ruajti armatimet e saj, nuk i bëri skrap. Kështu ndodh me të gjitha shtetet. Një armatim ngelet armatim, mund ta modernizosh, por grykat e artilerisë ato janë. Ne kemi nxjerrë nga armatimi në 2007-ën, të gjitha armatimet që kishim dhe pastaj gradualisht ato u çuan për skrap. Duhet të ishin ruajtur. Armatimet kanë edhe efektin e parandalimit. Kur një kundërshtar e di që ti ke armatime, do mendohet dy herë nëse do sulmojë. Me pranimin në NATO, njerëzit e perceptonin NATO-n si një ushtri që është diku në një kazermë, që do ta zgjidhë problemin në çast. NATO-ja është një kontribut shtetesh, nuk ka asetet e veta. Nuk është ushtri në gatishmëri. Tani me nisjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, natyrisht që ka prezencë forcash që janë vendosur në gatishmëri. Por problemi është që NATO nuk reagon me trupa masive brenda orësh. Do kohën e vet vendimmarrja, mobilizimi i rezervistëve, ushtarakëve aktivë.

Kapacitet ushtarake kushtojnë, tani nuk mund t’i krijojmë kapacitetet që kemi pasur në kohën e komunizmit që kanë qenë të konsiderueshme. Ne krahasoheshim me vendet e mëdha për armatime. Por edhe nëse e merr një armatim sot duhet të dish ta mbash. Mënyra më e mirë për vendet e vogla si Shqipëria, është të bëjnë zgjidhje inteligjente, të blejnë ato kapacitete që janë për mbrojtje, që i përshtaten karakteristikave të vendit të tyre. P.sh, e rëndësishme është mbrojtja kundërajrore që e ka çdo shtet. Ajo kushton në blerje, por nuk kushton në mirëmbajtje.”, thotë koloneli në DritareTV./K./dritare.net