
Inxhinieri Romeo Nazarko, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, tregoi se ka bërë tre denoncime në SPAK, jo me qellim te ndeshkoje individë të caktuar, por për fenomene që, sipas tij, dëmtojnë publikun dhe territorin shqiptar. Ai rrëfeu edhe arsyet pse vendosi t’i çojë këto çështje në drejtësi.
“Unë nuk kam lidhje me politikën. Jam inxhinier, punoj si freelancer dhe ushtroj aktivitetin tim privat. Kjo më jep lirinë të flas hapur. Nëse një kallëzim bëhet keq, kthehet kundër teje dhe të akuzojnë për kallëzim të rremë. Prandaj, çdo gjë që kam dorëzuar ka qenë e bazuar në fakte teknike dhe të provueshme.”
Dosja e parë – Rruga Korçë–Ersekë
“Denoncimin e parë e bëra në vitin 2020, për projektin e rrugës Korçë–Ersekë. E bëra sepse isha nga fshati ku fillonte vepra dhe pashë që projekti nuk përputhej me terrenin. Ishte një projekt fiktiv, i bërë në zyrë, që shkatërroi tokat e fshatrave dhe pesëfishoi koston e ndërtimit. Rruga u bë, dosja në SPAK, disa në hetim. Dhe vazhdon.”
Dosja e dytë – Fondet bujqësore dhe AZHBR
“E dyta lidhet me bujqësinë. Kam një pasion për pemëtarinë dhe bëra një projekt për të mbjellë 23 hektarë tokë, me një sistem që do të lidhte pemët, bagëtitë dhe bletarinë. Kërkova fonde nga AZHBR-ja, por më refuzuan me arsye absurde. Kuptova që fondet nuk ishin për fermerët, por për projekte të mëdha ku jepeshin bakshishe. Atëherë e denoncova në Bruksel, ku prokurorët evropianë konstatuan se ishin shpërdoruar mbi 30 milionë euro. Fondet u bllokuan dhe dosja u mor nga SPAK.”
Dosja e tretë – Prona në Berat
“E treta lidhet me një pronë private në Berat. Ishte marrë nga shteti në vitin 1924 dhe iu kthye familjes pronare në vitin 2015. Pastaj ia morën se do kalonte rruga dhe vitin 2020 u dha leje ndërtimi e mbi të u ngrit një hotel me pesë yje. Ky është një shembull se si prona private kthehet në biznes luksoz pa transparencë. Edhe kjo dosje është në SPAK.”
Pse i çova në SPAK?
“Unë nuk pres asnjë përfitim personal. Këto denoncime janë të rëndësishme për fenomenin. Dikush duhet të flasë për bujqësinë, dikush për ndërtimin, dikush për pronat. Nëse heshtim, gjithçka kalon pa gjurmë. Unë nuk dorëzohem. Dua që drejtësia të shkojë deri në fund. Dhe e dini pse, sepse nuk dua te kthehem me ne emigracion. Betejën time do e bej në vendin tim. Kam qenë tre vjet në Athinë. Punoja në ndërtim. Nuk kthehem më.”, e mbylli rrëfimin në Dritare Tv, Romeo Nazarko, denoncuesi i tri dosjeve në SPAK. / dritare.net

















