
Dilaver Goxhaj: Çfarë na tha shefi i aviacionit të NATO-s para se të bombardohej Serbia!
Dritare.net
Kolonel Dilaver Goxhaj i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për kohën kur luftoi në luftën e Kosovës kundër Serbisë. Zoti Goxhaj tregon telefonatën që morën më 24 mars nga kreu i Aviacionit të NATO-s që i lajmëroi se do niste bombardimi i Serbisë dhe nga ajo natë do të niste edhe bashkëveprimi i shqiptarëve me aleancën euroatlantike.
“Unë kam luftuar për Kosovën, bashkë me qindra shqiptarë, oficerë e ushtarakë që shkuam vullnetarisht. Unë kam vajtur në Kosovë në ditët e para të marsit 1999-të para se të hynte NATO-ja në Luftë. Më 18 mars u nënshkrua marrëveshja e Rambujesë, Serbia nuk e nënshkroi. Dy ditë më mbrapa nisi operacioni Potkoi, kur Serbia pruri 250 mijë forca në Kosovë. Më 20 mars, nisëm luftën partizane. Unë bashkë me shefin e shtabit dhe dy të tjerë, shkuam në zonën e dytë operative, për të mbrojtur Kosovën qendrore, vetëm ajo zonën do të bënte luftë mbrojtëse. Sepse po të binte Kosova qendrore do të binte gjithë Kosova. Ndërsa të tjerët shkuan të bëjnë luftë partizane, që sulmonin armikun sa të largohej popullsia. Natën që NATO-ja do bombardonte Serbinë, ne ishim në komandë.
Neve na telefonoi kryetari i Grupit të Drejtimit të Aviacionit të NATO-s që kishte ardhur në Kumanovë. Ai kishte qenë edhe kryesuesi i vëzhguesve ndërkombëtarë që i kishte përzënë Millosheviçi para tre ditësh.
Ai na tha: “Sonte në mesnatë, aviacioni i NATO-s do të fillojë bombardimet kundër Serbisë. Do të bashkëveprojmë me ju. Mbaj shënim çfarë duam ne.” Që nga ai moment ne kaluam aleatë të NATO-s. Shumë objektiva i ndryshuam se kishim NATO-n. Nga 38 mijë fluturime që kreu NATO-ja mbi Serbi, vetëm 550 janë kryer në Kosovë. Në atë betejë që filluam për të mbrojtur Kosovën e filluam më 20 mars dhe e përfunduam më 1 prill, serbët u tërhoqën dhe mbaroi operacioni Potkoi. Nuk u pushtua dot Kosova qendrore.”, tregon kolonel Goxhaj në DritareTV./K.C/dritare.net

















